Analiza

Aleatët arabë dhe dora e Iranit. Pakti i çuditshëm që i pëlqen Assadit

SKENARI: Damasku është i kënaqur për sulmet. Teherani, vetëm në dukje është përjashtuar nga lojërat: në të vërtet udhëzon militantë shiitë që gëzojnë mbështetjen ajrore të SHBA dhe lëvizin në bashkërendim me drejtuesit e Riadit, fuqia kampione e sunitëve

aleatet sirianeBernardo Valli

Parashikohej prej kohësh. Përshpejtimi ndodhi prej situatës shumë të rëndë ushtarake në Irak. Tani, shtrirja e ofensivës ajrore amerikane në Siri i jep të gjithë atributet e një lufte, tentativës për frenimin dhe me kalimin e kohës shkatërrimin e shtetit të vetëshpallur islamik. Kohëzgjatja? Do të ishte e guximshme të bëheshin parashikime. Barack Obama është matur shumë. Sa i përket zhvillimeve, presidenti i SHBA nuk duket se ka dyshime. Ai nuk dëshiron t’u lërë as edhe një “strehë” terroristëve. Por është një sipërmarrje që kërkon kohë dhe rrezikon të përfundojë në duart e kreut të ardhshëm të SHtëpisë së Bardhë.
Një ndërhyrje më e madhe, e mbështetur edhe prej vendeve arabë, sidoqoftë ishte e detyrueshme. Madje ishte urgjente. Në planin politik dhe ushtarak. Zgjerimi i konfliktit në një pjesë të madhe të Tigrit dhe Eufratit, Gjysmëhëna pjellore e historianëve, një herë e një kohë “djepi i qytetërimit” por e shndërruar në luginë të tragjedive, nuk arrin megjithatë që të largojë konfuzionin e krijuar prej një lëmshi aleancash dhe lojërash të dyfishta.
Mbështetja ajrore e SHBA në gjashtë javët e fundit ka bërë të mundur që forcat e armatosura irakene dhe militantët kurdë të ndalin marshimin drejt Bagdadit të trupave të “kalifatit”, por nuk ka shmangur humbje të rënda në pjesën tjetër të Irakut. Deri në atë pikë sa që qeveria kombëtare, duke humbur terren nuk kontrollon më një të katërtën e vendit. Në provincat me shumicë sunite, sidomos ajo e Anbarit, ngjitur me kryeqytetin, njësi të tëra janë rrethuar dhe një pjesë e tyre janë asgjësuar. Edhe me ekzekutime në masë.
Pasiviteti i popullsisë sunite, apo edhe bashkëpunimi i saj, kanë favorizuar dhe vazhdojnë të favorizojnë forcat xhihadiste të kalifatit, që është vetë shprehje e ekstremizmit sunit. Solidariteti më shumë komunitar se sa fetar, me një mozaik fisesh dhe mbetjeve të Sadam Huseinit, që kërkojnë një revansh ndaj shiitëve, është një armë efikase në duart e Shtetit Islamik. Në jug të Sirisë, ky i fundit ka fituar terren duke shkaktuar eksodin e popullsisë kurde drejt Turqisë.
Pra ishte e domosdoshme që të goditej sa më shpejtë të ishte e mundur kundërshtari në territoret e tij siriane, në provincën jugore të Raqqas, “kryeqyteti” i Shtetit Islamik. Prej ku vijnë urdhërat dhe ndihmat. Dhe ishte po kështu urgjente që në operacione të përfshiheshin vendet arabë sunitë, për të qartësuar dëshirën e tyre të vendosur, me armë në duar, për t’u dalluar prej ekstremizmit sunit. Duke u vetëshpallur kalifat, ai është vendosur mbi të gjithë shtetet myslimanë, dhe praktikisht ka fshirë kufijtë duke qenë se autoriteti i Kalifit përfshin të gjithë Islamin. Vetëshpallja ka përplasur traditën dhe ndjeshmëritë. Në shumë kryeqytete është shfaqur si një uzurpim. Një blasfemi. Pjesëmarrja e Bahreinit, e Jordanisë, Katarit, Emirateve të Bashkuar Arabë dhe mbi të gjitha Arabisë Saudite në inkursionet në Siri ka qenë një deklaratë e hapur lufte ndaj atyre që, duke ushtruar terrorizmin, janë vetëshpallur pasardhës të Profetit, e si pasojë ka vendosur vehten në një pozicion superioriteti në krahasim me vetë ruajtësit e Mekës dhe Medinës.
Dinjiteti i fyer i presidentëve, sovranëve dhe emirëve është megjithatë i huaj për ndjenjën e popullsive, të vëmendshme ndaj thirrjeve më të guximshme fetare. Prej kësaj edhe numri i madh i pjesëmarrësve në koalicionin e madh që nxitet nga amerikanët, të cilët nuk duan të ekspozohen shumë.
Barack Obama ka qenë i sjellshëm, ka thënë se janë afro 40, pa përmendur emrat. Pesë vendet që kanë dërguar avionët e tyre mbi Siri janë në pararojë të një loje jo të vogël, por pjesa më e madhe e botës arabe nuk ka guxuar të shkojë përtej deklaratave parimore apo ndihmave indirekte, dhe sa më anonime të jetë e mundur. Solidariteti i tyre i rezervuar është gjithësesi shumë i vlefshëm.
Barack Obama ka mundur të pohojë se në luftë nuk janë vetëm SHBA. Ka shtuar se do të bëjë gjithcka për të garantuar sigurinë e anëtarëve të koalicionit të madh, të rajonit dhe “të të gjithë botës”. Ndonëse ambicioz, angazhimi duhej të ishte më eksplicit. Konflikti nuk është i kufizuar në fushëbetejën siriano-irakene. Degëzimet e Shtetit Islamik janë të mëdha dhe të paparashikueshme. E ka zbuluar këtë orët e fundit rrëmbimi dhe ekzekutimi i pengut francez në Algjeri, nga ana e një organizate që thotë se frymëzohet prej kalifatit të largët të Raqqas.
Grupi origjinal, “kalifati”, mund të eleminohet apo dobësohet prej bombave të telekomanduara të avionëve pa pilot dhe raketave të US Navy, por për të neutralizuar patologjinë vrasëse të islamizmit do të duhen armë të tjera dhe një kohë më e gjatë. Terreni i përplasjeve është më i gjerë se sa Gjysmëhëna pjellore, e pagëzuar kështu prej formës së saj gjeografike dhe bujarisë së të korrave, që në ndërkohë kanë rënë dhe janë zëvendësuar prej naftës.
Bashkë me Shtetin Islami, SHBA kanë bombarduar grupin e armatosur Khorasan të përbërë nga ish militantë të al Kaedës. Kreu i tij, Muhsin al Fadhli ishte i ri, vetëm 19 vjec në 11 shtator 2001, por me sa duket ka patur një rol në organizatën që sulmoi Kullat Binjake. Lufta civile ka krijuar në Siri një numër të pasaktësuar lëvizjesh islamike. Shpesh herë në konkurrencë mes tyre. Të gjithë thonë se i kundërvihen forcave qeveritare të Damaskut dhe konsiderojnë Assadin si armikun e tyre kryesor, por në të njëjtën kohë përplasen, në brendësi të rebelimit, me ata me të cilët nuk i ndajnë idetë. Tensioni është i madh. Më shumë në shënjestër është Koalicioni kombëtar, i konsideruar laik, të cilin amerikanët kanë vendosur ta furnizojnë me armë.
Eshtë krijuar kështu një situatë, në të cilën SHBA bombardojnë dhe njëkohësisht ndihmojnë opozitën. Bombat janë për forcat xhihadiste dhe mbështetja është për të moderuarit. Të cilët vriten mes tyre, xhihadistë kundër laikëve, dhe në të njëjtën kohë luftojnë secili për hesap të vet kundër Assadit. Amerikanët e përjashtojnë aksionin e tyre me presidentin sirian. Refuzojnë të bashkëpunojnë me të. Barack Obama e ka akuzuar se torturon njerëzit e tij dhe i ka mohuar cdo lloj legjitimiteti. Por Damasku siguron se është informuar nga Uashingtoni për sulmin ndaj Shtetit Islamik dhe Bashar al Assadi thotë se është në favor të “cdo përpjekjeje kundër terrorizmit ndërkombëtar”. Pra, deklarohet i kënaqur për inkursionet amerikanë kundër kalifatit.
Bashar al Assadi, si alavit, që i përket një komuniteti të zonës shiite, ka si aleat kryesor iranianin Hasan Rohani. I cili është megjithatë më realist se mbreti. E denoncon si të paligjshëm sulmin amerikan në Siri, sepse ndodh pa autorizimin e Damaskut. Kontradiktat, lojërat e dyfishta, deklaratat false janë të shpeshta. Irani është në dukje i përjashtuar nga lojërat, por militantët shiitë nën ndikimin e tij apo urdhërat e tij, luftojnë në terren kundër Shtetit Islamik dhe me mbështetjen ajrore “të pa bashkërenduar” të amerikanëve. Dhe në sintoni të dukshme me Arabinë Saudite. Ky lajm i fundit, nëse do të konfirmohet, do të ishte një risi e madhe në Lindjen e Mesme. Sauditët, kampionë të sunitëve, bashkëpunojnë me iranianët, kampionë të shiitëve. Dy armiq flasin nën tryezë, për të eleminuar kalifatin. /la repubblica/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button