Histori

Aleksandri i Madh, biri i epirotes, që shkoi përtej kufijve të botës

Screen Shot 2015-10-09 at 22.29.49

Donte me patjetër që të ishte më i madhi i të gjithëve. Një hero, i vetmi sovran i Tokës, pushtuesi pa të ngjashëm, një perëndi. Aq shumë besoi, sa ia doli. Parabola e tij e shkurtër është demonstrimi më i mirë që fati ndihmon më të guximshmit. Por magjepsja e pashtershme e Aleksandrit të Madh (356-323 para Krishtit) nuk qëndron aq shumë tek titanizmi, tek ambicia e shfrenuar, tek vlera ushtarake, tek dëshira për të kapërcyer limitet e veta si dhe kufijtë e botës së njohur. Qëndron edhe, mbi të gjitha, në kompleksitetin: në kombinimin-pajtimin misterioz dhe të lumtur të shumë kundërvënieve.

SHUMEFORMESH

Aleksandri ishte një ndjekës i deklaruar i Dionisit, kultit të të cilit iu dedikua që i vogël, i ndikuar edhe nga e ëma, Olimpia; por në veprimin politik dhe ushtarak shfaqi shenja të pangatërrueshme të një inteligjence Apolloniane, pragmatiste, reflektuese, largpamëse. Nuk ishte vetëm një luftëtar i vrullshëm, siç e përshkruan Plutarku: u shfaq edhe një politikan mendjemprehtë dhe një diplomat i zgjuar. Një udhëheqës që dinte të përfshinte, siç do të thuhej sot. Një pararendës i shoqërisë shumëetnike. I pamëshirshëm me tradhëtarët, bujar me kundërshtarët luajalë.

Sipas imazhit dhe ngjashmërisë së hyut të tij të preferuar, i pëlqente shumë të pinte dhe të jetonte si nomad në një çadër, por ishte njëkohësisht një njeri i kulturuar: njihte dhe praktikonte mjekësinë, recitonte përmendësh tragjeditë e Euripidit, nuk flinte gjumë pa lexuar disa vargje të Iliadës, shfaqte një interes të spikatur për shkencat.

“Asnjë person tjetër”, vëren Pietro Citati, autor i një biografie për Aleksandrin, “nuk kishte arritur të përfshinte brenda vetes kaq shumë persona të ndryshëm, të shpërndarë përreth një qendre, që vazhdon të na shpëtojë, të mos e rrokim. Alternonte vrullin dhe ftohtësinë, guximin dhe maturinë, shpejtësinë dhe ngadalësinë, nxitimin dhe moderimin; mizorinë dhe mëshirën, arrogancën dhe ëmbëlsinë, rendjen drejt infinitit dhe vëmendjen për hollësitë më të vogla”.

Endrra lavdie

Megalopsikia, siç e quanin grekët madhësinë e shpirtit, dhe etja për lavdi ishin të shkruara në ADN-në e tij: familja e të atit, Filipit II të Maqedonisë, besonte se rridhte prej Herkulit, birit të Zeusit; familja e të ëmës Molosët (dinasti e Epirit) nga Akili, heroi i luftës së Trojës. Shenja të mbinatyrshme dhe ëndrra paralajmëruese, ndihmuan në krijimin e heroit. Pothuajse e pashmangshme që pasardhësi, që pa dritën në pallatin mbretëror të Pellas në 20 korrik 356 para Krishtit, do të rritej në kultin e heronjve dhe idealeve Homeriane të mishëruar nga Akili, Ajaksi, Agamemnoni dhe të mëdhenjtë e tjerë të Iliadës: agonizëm, rivalitet, nder, hakmarrje. Tensioni për të qenë gjithmonë më i miri dhe sensi i miqësisë, si ajo që lidhte Akilin me Patroklin: ndjenjë që Aleksandri e provoi për shokun e rinisë, Hefestionin.

Konkurrentin e parë Aleksandri e pati brenda shtëpisë, babain e tij. Asistoi në rritjen e pandalshme të të atit dhe të pushtetit maqedonas, jo pa xhelozi dhe vuajtje. “Imë atë do të pretendojë gjithçka dhe nuk do të më lërë mundësinë për të bërë, me ju, ndonjë gjë të madhe”, shfryhej me miqtë. “Në fakt ai”, shkruante historiografi Plutark, “nuk aspironte për kënaqësi apo pasuri, por virtyte dhe famë, dhe mendonte që sa më shumë të merrte nga babai, aq më pak do të kishte fituar i vetëm”.

Shpirtit të konkurrencës, iu shtua në vitin 337 para Krishtit, një dozë e mirë hidhërimi autentik. Në verën e atij viti, Filipi u martua me një maqedone të re, Kleopatrën, e vetmja jo e huaj ndër shtatë gratë e tij. Në banketin e martesës, daja i nuses, Attali, tha se nga bashkimi mund të lindte trashëgimtari i ligjshëm i fronit, duke lënë të kuptohet se Aleksandri ishte bastard, trashëgimtari normal por bir i një epiroteje. I biri u revoltua: kishte fyer atë dhe kishte fyer të ëmën. Mori Olimpian dhe u tërhoq me të në Epir. U paqtua me të atin vetëm një vit më vonë, por ishte sa për fasadë. Gjë që nuk largon prej dyshimin si atëvrasës, duke qenë se në vjeshtën e vitit 336 para Krishtit, Filipi u vra nga një prej truprojave. Pra, kalimi i trashëgimtarit ndodhi në një klimë tragjedie. Aleksandri trashëgoi një luftë të saposhpallur kundër perësve. Ishte vetëm 20 vjeç.

Autor i legjendës së tij

Bëmat e tij të para ishin në Ballkan, në dëm të fqinjëve të pashtruar, Tribalë dhe Ilirë. Më pas i takoi Tebës, e cila kishte guxuar të rebelohej. Ndëshkimi ishte i pamëshirshëm: vrasje në civilë dhe ushtarë, pak të mbijetuar u morën si skllevër. U kursyen vetëm ata që u strehuan në tempullin e Pindarit, poet i dashur për Aleksandrin. Në atë pikë, në vitin 334 para Krishtit, mund të niste ekspeditën kundër persëve. Fillimi i një aventure të pafund.

Nëse i ati, që ishte bërë kreu i grekëve, pasi këta e kishin luftuar për shumë vite si barbar, donte të kufizohej vetëm me çlirimin e qyteteve grekë të Azisë së Vogël, Aleksandri e radikalizoi aspektin ideologjik të operacionit. Duke marrë rolin e flamurmbajtësit të helenizmit, ua caktoi perësve rolin e barbarëve. Një seri aktesh simbolikë shënoi kalimin e tij në Azinë e Vogël. Aleksandri pozoi para ushtarëve të tij në tempujt kushtuar Herkulit dhe Akilit. Donte të ngrihej në piedestalin e legjendës.

Mes një flijimi për Poseidonin dhe një për Athinanë, përsëriti veprimin e Protesilaut, akeu i parë që kishte zbarkuar në Azi, i ofroi një flijim Pruamit, dhe, i lakuriq dhe i lyer me vaj, si një atlet, rendi përreth bashkë me shokët, siç ndodh me yllin e Akilit (kështu rrëfen Plutarku). Që nga ai moment e tutje, u kujdes që çdo etape të projektit të tij t’i japë një veshje të mbinatyrshme. Jo më kot, mes artistëve dhe shkencëtarëve, mori me vete dhe një historiograf, Kalistenin, i ngarkuar që të hidhte në letër menjëherë bëmat e tij.

Grusht i hekurt dhe dorashkë e kadifenjtë

Në betejën mbi lumin Graniko (334 para Krishtit) bëri menjëherë të qartë se kush ishte më i forti: në inferioritet numerik, sulmoi kalorësinë perse, duke i dhënë një goditje vdekjeprurëse kundërshtarit të tij.

Me të nënshtruarit, përdori dorashkën e kadifenjtë. Duhej që ta shihnin si një çlirimtar, jo si një shtypës. Që në hapat e parë, maqedonasi adoptoi një strategji të konsensusit që u bë më pas model për perandorët romakë: vendosja e një pushteti absolut lirie dhe progresizmi. Kështu, nga njëra anë solli liri dhe demokraci në qytetet greke të rajonit; nga ana tjetër, riktheu të drejtat e popujve indigjenë. Në përgjithësi ruajti status quo-në administrative, me një ndryshim të vetëm: në vend të satrapëve persë, vendosi të tijtë.

Me këtë politikë, e gjithë pjesa perëndimore e Azisë së Vogël përfundoi nën kontrollin e tij, ndërkohë që rritej fama e Aleksandrit, si gjysmëperëndi i destinuar të dominonte të gjithë Azinë. Episodi i nyjës gordiane (Anadoll, Turqia e sotme) është një hallkë e kësaj apologjie: simbol i fuqisë së pushtetit lokal, pas shumë shekujsh paprekshmërie, nyja u pre me shpatë prej Aleksandrit.

Hyjni

Ndërkohë që greku Memnon, mercenar i paguar nga persët, organizonte kundërofensivën në Egje, Aleksandri kërkoi përplasjen direkte me “Mbretin e madh”, Darin III, duke penetruar në Cicilia (turqi). Beteja e parë dhe fitoja e parë. I rrethuar nga kalorësia greko-maqedone, Dari mori arratinë dhe imazhi i tij publik u bë copë e çikë. Aleksandri burgosi gratë e sovranit armik, që e la të arratiset.

Mori Tirin dhe Gazën me masakra dhe kryqëzime. Mbreti i madh u përpoq ta ndalë, duke i ofruar ndarjen e perandorisë dhe dorën en jë prej bijave të tij. Aleksandri refuzoi: në atë moment mori formë projekti i tij i dominimit universal. Kur Aleksandri mori Egjiptin dhe themeloi Aleksandrinë, u shfaq edhe një herë si mbrojtës i traditave lokale dhe u prit si një faraon i ri. Më tepër madje, si hyj: biri i Zotit suprem, Amoni Ra. Ai vetë ishte i pari që u bind. Në vitin 331 para Krishtit organizoi një ekspeditë në oazin libian të Sivas, i famshëm për orakullin e Amonit, aty ku i vetëshenjtërua si gjysmëperëndi. Pasi pushtoi Darin në Gaugemalë, pushtoi Babiloninë, Persepolin dhe Susan: Mesopotamia ishte e tija dhe u kompletua metamorfoza e pushtuesit.

Modeli oriental

Ishte sikur Aleksandri të kishte përvetësuar shpirtin e armikut. Ashtu si në Egjipt, rindërtoi tempuj dhe ruajti tradita dhe kulte. I bëri homazhe Kirit dhe urdhëroi që Dari të varrosej me të gjithë nderimet. Jo vetëm kaq: nisi të vishet si ata, mbajti unazat e tyre, përshtati ceremonialet e tyre. Brenda pak kohësh demonstroi se kishte asimiluar konceptin e orientalëve, sipas të cilëve sovrani përfaqësonte hyjninë mbi tokë dhe dominonte të gjithë botën. Dhe që tani të vazhdonte me hapa të shpejtë drejt integrimit të botës helenike me atë iraniane, urdhëroi martesa në masë mes njerëzve të rrethit të tij, me gra të fisnikërisë së lartë perse. Ai vetë dha shembullin me Roksanën, më e dashura e shoqërueseve të tij. Por biri i Zeusit Amon nuk mund të kënaqej me perandorinë akimenide: duhej të zotëronte të gjithë botën e banuar. Një projekt megalloman që mes viteve 327 dhe 323 e bëri djaloshin Aleksandër të marshonte për mijëra kilometra në vende mes më të rrezikshmëve të globit: deri në Punjab, në Indinë e veriut, në deltën e Indit, në oqeanin indian. Një fluturim utopik që u ndal përballë murit të kundërshtimeve të një ushtrie të rraskapitur. Si dhe një etheje banale malarike, nëse nuk duam t’i besojmë versionit të një mëlçie të shkatërruar prej alkoolit pa fund. Ishte 10 qershori i vitit 323 para Krishtit. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button