Shpesh i “diabolizuar” si njeriu që do ta nxjerrë Greqinë nga euro, programi i kryetarit të Syriza-s ka filluar të “përkulë” Berlinin dhe Brukselin
Axel Hansen
Die Zeit
Çështje e ditës në këtë dimër është: a do të dalë Greqia nga zona e euros? Prej disa ditësh ndodh që qeveria gjermane shpërndan skenarë kontradiktorë: ndonjëherë kancelarja Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble, ministri i financave, i shohin gjërat pa shqetësim, ndonjëherë ata shqetësohen për rreziqet ekonomike.
Në janë shtuar spekullimet për një dalje të Greqisë nga zona euro (me shumë pak gjasa), kjo ndodh për shkak të një njeriu që sot duket se është kandidati më i mundshëm për postin e kryeministrit: ky është kryetari i koalicionit të partisë së majtë Syriza, të cilin në Berlin dhe në Bruksel e shohin si një politikan konfuz dhe me kërkesa radikale.
Eliminimi i borxhit dhe fundi i masave shtërnguese që ai rekomandon janë në shënjestër të të gjithëve. Mirëpo Tsipras mundet që më shumë të kontribuojë në “rregullimin” e tragjedisë greke, të cilën shumë drejtues politikë nuk duan ta besojnë. Radikalizmi i Tsiprasit të bën të dridhesh, por kërkesat e tij janë të justifikueshme.
1. Ndarja me establishmentin
Tsipras do të jetë kryetari i qeverisë greke, i cili nuk i përket rrethit të partive që e kanë drejtuar vendin si një self-service qysh prej dekadash.
Paaftësia e klasës politike greke për të bërë reforma, përfshirë këtu kundër klientelës së saj dhe të të krijojë një administratë fiskale efikase, është një nga shkaqet kryesore të krizës së vazhdueshme. “Greqia, qysh prej brezash, është udhëhequr nga një elitë e vogël e cila gjykon më të rëndësishme të ruajë pushtetin dhe të sigurojë përfitime, se sa të ngrejë institucione efikase dhe të përfshijë gjërësisht qytetarët”, shkruan Marcel Fratzscher, këshilltar i qeverisë gjermane dhe drejtor i Institutit të Kërkimeve Ekonomike DIW, në një artikull të botuar në gazetën “Süddeutsche Zeitung”.
Tsipras nuk mishëron vetëm fundin e sistemit të vjetër, ai i ka shpallur “luftë” të hapur atij. Një nga njoftimet e tij: në rast fitore në zgjedhjet, do të ulë influencën e oligarkëve që kontrollojnë sektorë të tërë të ekonomisë, të lidhur me një numër politikanësh të korruptuar.
Edhe Brukseli dhe Berlini kanë filluar të shohin gjëra të mira në mesin e gjithë kësaj frike. “Donatorët e fondeve vlerësojnë se me Tsiprasin do të kenë më në fund një njeri i cili nuk bën pjesë në elitat e vjetra, të cilat e kanë zhytur Greqinë në këtë zallamahi”, shkruan e përditshmja e Mynihut.
2. Masat shtërnguese, jo të dobishme
Tsipras dëshiron të shkëputet nga politika shtrënguese që solli uljen e shpenzimeve publike, largimin nga puna të nëpunësve publikë dhe uljen drastike të pensioneve dhe pagave. Ajo që ishte një nevojë absolute deri në një farë shkalle, pesë vjet më vonë u bë një nga arsyet kryesore të vazhdimësisë së krizës. Megjithëse ekonomia ka filluar të rritet lehtësisht qysh prej disa kohësh, shumica e ekonomistëve janë të mendimit se masat shtrënguese kontribuojnë për recesionin.
Qysh prej vitit 2010, ekonomia ka rënë 20 % dhe përqindja e papunësisë është dyfishuar. Sipas vlerësimeve të Hans-Werner Sinn, drejtor i Institutit të Kërkimit IFO [Universiteti i Mynihut], ekonomia greke është “me mijëra milje” larg të qënurit konkuruese në nivel botëror. Për ish komisionerin evropian Günter Verheugen, një gjë është e sigurt: “Ajo që po përballojnë grekët do të shkaktonte një kaos të përgjithshëm për shumë pak kohë në Gjermani. Gjermanët nuk do të kishin durimin e grekëve”.
Tsipras ka nisur një debat të nevojshëm, megjithëse ka shumë pak gjasa që ai të mund të zbatojë premtimet e tij në letër. Berlini është ndërgjegjësuar që Aleksis qysh prej disa muajsh është më pak agresiv dhe nuk e përjashton mundësinë që ai të jetë i hapur për negociata.
3. Borxhi i papaguar
Tsipras nuk shpreson të rimbursojë të gjithë borxhin grek. Donatorët e fondeve i kanë premtuar popullsisë së tyre që ato do t’i marrin shumat e tyre. Sipas të gjitha gjasave, Greqia nuk mundet të rimbursojë borxhet e saj, të paktën në një të ardhme të afërt. Pra Berlini dhe Brukseli nuk mund të injorojnë debatin që Tsipras sapo ka nisur.Qeveria gjermane nuk dëshiron të hapë këtë front për momentin. Gjermania ka dhënë 50 miliard euro të ndara në dy plane shpëtimi.
Ekonomistët gjykojnë gjithësesi që këto fonde nuk do të jenë rimbursuar në total. Ekonomisti Thomas Straubhaar kohët e fundit është shprehur për një “ngrirje” të këtij skenari: “Nuk bëhet fjalë më që të evitohen dëme të tjerë shtesë dhe në veçanti që të sigurohet pagesa e interesave”.Shumë propozime qarkullojnë aktualisht mbi mënyrën e zbatimit të projekteve të Tsiprasit. Ekonomisti Hans-Werner Sinn kërkon që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për borxhin. Greqia sidoqoftë asnjëherë nuk do të mundë të rimbursojë huatë e saj, argumenton ai. Duhet pra më mirë të thyhet spiralja. DIW propozon një variant të moderuar: borxhi të mbesë zyrtarisht, por interesat do të jenë të lidhur me përqindjen e rritjes ekonomike. Nëqoftëse nuk ka rritje, do të ketë vetëm pak ose aspak interesa. Nëqoftëse ka rritje, interesat do të rriten.