Histori

Ali Pashë Tepelena: Një takim i këndshëm, një bisedë e ëmbël

Mjeku anglez kishte dëgjuar shumë për bëmat e këqija të Ali Pashait, që nga ngjarjet e Kardhiqit e deri në ndëshkimet e rënda publike që zbatonte Pashai, por toni i përdorur në kujtimet e tij për Pashanë është tepër interesant. Mirësia e shfaqur nga një sundimtar tiran tregonte se mjalti që rridhte prej gojës së tij nuk ishte gjithmonë i hidhur

ali pasha

Aty nga ditët e fundit të vitit 1812 erdhi në Janinë mjeku anglez Henry Holland, mjek primar në spitalin qendror të Marinës Angleze në Ishullin e Maltës. Në atë kohë ai ishte 24 vjeç dhe kishte një shtat të gjatë e të derdhur. Ishte biri i një prej familjeve angleze më të dëgjuara të kohës. Ai kishte sjellë me vete letra rekomandimi për Ali Pashanë dhe për sekretarin e tij, Kolovo, i cili në fakt kryente detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Pashait. E vendosën si bujtës në shtëpinë e një greku që ishte një nga më pasanikët e qytetit. Në ato kohëra Kolovi ishte 54 vjeç dhe kishte një paraqitje imponuese, ku spikaste një dashamirësi karakteristike. Meqë zotëronte anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten, I propozoi doktorit që të bëhej përkthyesi i tij. Të nesërmen e mbërritjes në Janinë, doktor Hollandi u shpu në pallat për një takim me Ali Pashën. Kur hyri në pallat, ai u ndodh ndërmjet ushtarëve shqiptarë të Pashait, të cilët me paraqitjen dhe ecjen e tyre të madhërishme silleshin lart e poshtë. Hollandit, ndërmjet karrocave të pashait që ndodheshin në atë cast në oborrin e pallatit, syri i zuri një pajton. Pajtoni ishte një karrocë e rëndë gjermane, që dukej sikur kishte përshkruar nja njëzet here rrugët e Evropës. Pasi ngjiti shkallët e gurta që i dolën përpara ai u gjend para një korridori të madh, dritaret e të cilit, të gjera dhe të larta, vështronin nga liqeni dhe nga malet e Janinës. Korridori ishte I mbushur plot e përplot me njerëz. Syri dallonte ushtarë shqiptarë, turq e marokenë. Midis tyre kishte oficerë turq, sekretarë grekë dhe izraelitë, korrierë tartarë, skllevër zezakë, tregtarë të shumtë si dhe banorë të ndryshëm që prisnin të parashtronin lutjet e kërkesat e tyre para Pashait. Kur në fund të korridorit u hap një perde e rëndë, Hollandi u gjend në një sallon të madh me një tavan të lartë. Salloni ishte i mbushur me shtylla të larta e të zbukuruara me gdhendje dhe kishte plot dritare të mëdha, të cilat vështronin nga liqeni. Muret e sallonit ishin të zbukuruara me yje të kuq e të kaltërt. Tavani i tij prej dërrase kishte një gdhendje në formë katërkëndëshi, në skajet e të cilit ishin gdhendur yje dhe mesi i tij kishte plot gdhendje karakteristike të lyera me ngjyrë të kuqe. Në muret e sallonit, ndërmjet shtyllave, vareshin shpata, dorezat e florinjta të të cilave, ishin të zbukuruara me gurë të çmuar. Dyshemeja ishte e shtruar me sixhade të bukura dhe të rënda. Salloni pothuajse në të katër anët rrethohej me mindere të gjerë, mbi të cilët ishin vendosur jastëkë të kuq, të zbukuruar me tantella të përgatitura me fije argjendi. Pranë zjarrit të druve, që digjeshin nën një tendë të qendisur me hijeshi, qëndronte i ulur Ali Pashai në një minder që ishte pak më I lartë se minderet që qarkonin sallonin madhështor të audiencave. Në kokë mbante një takie të lartë e të rrumbullaktë me ngjyrë të kaltër të errët, anët e të cilës ishin të zbukuruara me qëndisma të bëra me fije ari dhe argjendi. Mbi veshjen e tij të brendshme, që e kishte me vija të qëndisura me ar, mbante një xhubë të verdhë me reflekse të kuqe. Në brez kishte një kamë e një kobure, dorezat e të cilave ishin të zbukuruara me gurë të ndryshëm të çmuar. Edhe në gishtat e duarve kishte unaza me gurë brilantesh. Nargjileja afër tij ishte e zbukuruar me gurë brilantesh. Si përherë, ai kishte një qëndrim dinjitoz që shprehte mirësjellje. Fytyra e tij që shprehte sinqeritet ishte e qetë dhe tërheqëse, por brenda kësaj paraqitjeje, ashtu si e ka përshkruar dhe Bajroni “fshihej zjarri i një furre që digjej pa ndërprerje”. Hollandi e solli bisedën rreth Bajronit dhe Hobhousit, të cilët e kishin vizituar kohë më pare Pashanë. Gjatë kohës që bisedohej për këta, Pashai nuk shprehte ndonjë mërzi, por me sa dukej ai dëshironte të bisedonte më shumë për politikë. I pëlqente që biseda të zhvillohej për atë që francezët kishin bërë në Rusi dhe anglezët në Spanjë. Pas kësaj bisede u hap problemi i një anijeje të tij transporti, e cila ishte kapur nga një frigate angleze, e më pas e kishin çuar në Korfuz. Hollandi u përpoq të bënte një koment dhe të mos prekte kështu asnjërën palë. Ali Pasha e ndoqi bisedën me interes dhe pasi ia plasi një të qeshure të madhe vendosi të ndryshojë përmbajtjen e saj. E pyeti Hollandin nëse e kishin pritur mirë dhe pastaj I kërkoi që t’i bënte një vizitë mjekësore të kujdesshme, para se ai të largohej nga Janina. Ky takim zgjati gjysmë ore. Gjatë gjithë kësaj kohe shërbyesit e Aliut dhe të Kolovos me veshjet e tyre më të mira, katër shqiptarë të hijshëm dhe dy robër zezakë me mjekra të bardha, qëndruan vazhdimisht në këmbë në qëndrim ceremonial.

Gjërat që i interesonin më shumë Ali Pashait

Disa ditë pas këtij takimi u thirr Hollandi për t’i bërë vizitën mjekësore. Me ndërmjetësinë e Kolovosë, Pashai i kallëzoi mjekut simptomat e sëmundjes që po kalonte. Gjatë bisedës me të, ai shprehu dyshimin se mos barku i tij kishte mbledhur ujë. Sipas konstatimit të Hollandit, kjo ishte vetëm një parandjenjë e Pashait. Në çështjet profesionale goja e Hollandit ishte aq e heshtur sa nuk la gjë të shkruar për gjendjen shëndetësore të Ali Pashës. U mjaftua të thotë se nuk vuante nga asgjë serioze dhe shqetësimet që ai ndiente ishin pjesërisht pasoja të moshës dhe pjesërisht ato ishin edhe pasoja të mënyrës së jetesës së tij. Ali Pashai kur dëgjoi fjalët shpresëdhënëse të dala nga goja e një mjeku si Hollandi, shprehu një qëndrim plot mirësjellje. Ai në përgjithësi ushqente mosbesim tek fjalët e mjekëve, por kësaj here Hollandi ia fitoi zemrën e besimin. Pas vizitës mjekësore vazhdoi të flasë me të për politikë dhe pastaj e pyeti për jetëgjatësinë. Hollandi I tha se rrethet shkencore prej kohësh kishin hequr dorë nga kërkimi i eliksirit të zgjatjes së jetës. Më pas Aliu e solli bisedën edhe tek alkimia dhe i tha atij se ishte kurioz të dinte nëse ishte bërë ndonjë zbulim për prodhimin e arit. Hollandi i shpjegoi se kjo gjë ishte e pamundur dhe u përqëndrua në përpjekjet e shkencës për ta nxjerrë këtë lëndë nga minierat dhe nëpërmjet metodave të pastrimit, ta sillte atë në gjendje përdorimi. Biseda vazhdoi më tej mbi teleskopin, mbi armët, mbi fuqinë e shteteve të ndryshme, mbi ndërtimin e rrugëve dhe të urave si dhe mbi metodat që përdoreshin për zhvillimin e bujqësisë. Ali Pasha mbeti shumë i kënaqur nga takimi me Hollandin dhe kur ai u largua, i dhuroi një shpatë nga më të fismet, të përgatirur me çelik Damasku, më i çmuari i kohës dhe instistoi të takoheshin edhe herë të tjera.

Vizitat e tjera që bëri doktor Hollandi

Doktor Hollandi gjatë udhëtimi të tij vizitoi edhe Veli Pashën, një nga tre djemtë e Pashait. E gjeti të ulur mbi minder dhe në kokë mbante një çallmë të kaltërt, të mbështjellë anash me një rrip të bardhë prej linoje. Linjat e fytyrës i kishte të rregullta dhe një e qeshur karakteristike e tij të bënte për vete. Ai po i arrinte të dyzetat, ishte i claret dhe i tha Hollandit se mund të qëndronte sa të dëshironte, bile I propozoi të përdorte edhe karrocën e tij personale. Thuhej se Veliu ishte një burrë shteti më i mirë se vëllai i tij, Muhtari, por jo i aftë sa ai në çështje ushtarake. Thuhej gjithashtu se ai ishte i apasionuar edhe pas kulturës, dhe njëherë kishte ndryshuar edhe drejtimin e rrugës për të shkuar dhe për të parë antikitetet e Athinës. Thuhej se si i ati, në jetën seksuale ai nuk puthte pa kafshuar dhe nuk përkëdhelte pa gërricur. Thashethemet shkonin aq larg sa që edhe për atë që në Janinë njihej me nofkën zonja Katja pa vesh, thuhej se veshin ia kishte kafshuar Veliu në një çast dashurie. Mjeku personal i tij ishte Lluka Vajen, i cili me të hollat e Aliut kishte studiuar mjekësi në Vjenë e në Laipcig. Gjatë muajit shkurt, Hollandi shkoi në Prevezë dhe kur hyri në qytet e gjeti Pashanë në mes të një grumbulli ushtarësh shqiptarë. Kur e pa Aliu u gëzua shumë dhe e pyeti gjerë e gjatë se si kishte udhëtuar. Kur mësoi se Hollandi kishte dëshirë të shkonte në Gjirin e Artës për të vizituar antikitetet që ndodheshin aty, i dha si shoqërues dy nga ushtarët e tij më besnikë. Ishin djem shumë të hijshëm por kishin koncepte të çuditshme për dëfrimin.

Udhëtimet në Gjirokastër dhe Tepelenë

Pas dy ditë udhëtimi, Hollandi u takua rishtas me Pashanë në gërmadhat antike të Filipiadhës. Pashai plak ishte ulur mbi një jastëk të kuq prej kadifeje dhe kishte rënë në mendime të thella. Gjatë kthimit për në Prevezë, karrocën e Pashait e shoqëronte një grup ushtarësh shqiptarë, të gjithë të hijshëm dhe belholë. Në Janinë, Hollandi vizitoi edhe Muhtarin, djalin e madh të Pashait, tek i cili nuk gjeti asgjë interesante. Në vazhdim të udhëtimit të tij shkoi edhe në Gjirokastër ku pati rastin të takohet me djalin e vogël të Ali Pashës, Salinë. Saliu ishte një djalosh 12- vjeçar, por paraqitja e tij hijerëndë tregonte se ai ishte personi që komandonte në pallat. Ishte një djalosh inteligjent, flokëverdhë dhe me sy të kaltër që ngjasonin me ato të të atit, kur ishte i ri. Kama dhe pisqolla që mbante në brez ishin të vogla, dukeshin sikur ishin bërë posaçërisht për të. Mësonte shqip, greqisht dhe turqisht si dhe stërvitej fizikisht.

Hollandi vizitoi edhe Tepelenën, e cila iu duk tepër interesante. Komanda e Tepelenës i ishte besuar Isuf Arapit, vëllait dhe njeriut më të besuar të Pashait. Isufi ishte plakur shumë, i kishte arritur të nëntëdhjetat, por mosha nuk ia kishte pakësuar forcat dhe ashpërsinë. Anglezi e gjeti Isufin në një dhomë të vogël të rrethuar nga njerëzit më besnikë të gardës së tij. Ishte i veshur shumë bukur. Me kalimin e viteve, vijat e fytyrës së tij vazhdonin të shprehnin dhunë dhe seriozitet. Fytyra i ishte nxirrë edhe më tepër se ajo e një skllavi abisinas. Doktor Hollandit aty i vunë në dispozicion një apartament të veçantë. Edhe e ëma e Saliut, djalit të vogël të Pashait, e cila ishte një skllave gjeorgjiane, vazhdonte të trajtohej me dashamirësi nga Pashai. Ajo me 60 shërbëtorët e saj qëndronte në një apartament të veçantë të haremit të sarajeve.

Kthimi në Janinë dhe largimi

Hollandi, pasi u kthye në Janinë qëndroi edhe dy javë të tjera në këtë qytet dhe gjatë gjithë kësaj kohe pati takime të shpeshta me Ali Pashën. Gjatë këtyre bisedave, Pashai i ishte shprehur doktorit se kur Saliu, djali i tij më i vogël, të bëhej 16 vjeç, kishte vendosur ta dërgonte të udhëtonte. Fillimisht do ta shpinte një vit në Marok dhe pastaj në Angli, Francë, Rusi, Stamboll dhe së fundi Anadollin. I tha gjithashtu se kur i biri do të ndodhej në Angli, shpresonte se Hollandi do të ishte i gatshëm ta ndihmonte atë. Në takimin e fundit që zhvilluan, mirësjelljes dhe pritjes miqësore iu shtua dhe një ngrohtësi e veçantë. I prekur e mbylli bisedën me këto fjalë: “Shpresoj se nuk do të më harroni dhe do të vini të më vizitoni prapë. Shpresoj se herë pas here do të më dërgoni letrat tuaja që do t’i pres me kënaqësi”. Kurse doktor Hollandi ndarjen me Ali Pashanë e përshkruan kështu:“Kur u ndava me këtë njeri që vazhimisht më priti me mirësjellje e me ngrohtësi, nuk kishte sesi të mos dëshpërohesha. Kur më përcolli u ngrit nga minderi, eci në këmbë deri afër meje, pastaj më puthi në të dy faqet dhe më uroi një rrugë sa më të mbarë”. Mjeku anglez kishte dëgjuar shumë për bëmat e këqija të Ali Pashait, që nga ngjarjet e Kardhiqit e deri në ndëshkimet e rënda publike që zbatonte Pashai, por toni i përdorur në kujtimet e tij për Pashanë është tepër interesant. Mirësia e shfaqur nga një sundimtar tiran tregonte se mjalti që rridhte prej gojës së tij nuk ishte gjithmonë i hidhur. Hollandi, i cili arriti të bëhet mjek personal I mbretëreshës Viktoria, atë “bar mjekimi” që kishte përfituar nga biseda e ëmbël me Ali Pashanë, pati rast ta përdorë shpeshherë ndaj të sëmurëve të tij. /(“Spektër)

Leave a Reply

Back to top button