Ekonomi

Amartya Sen: Antibiotik i përzier me helm. Ja dëmet që na shkaktoi politika e shtrëngimit

Screen Shot 2015-11-01 at 19.23.56Nga Amartya Sen

Në fjalimin e mbajtur në Bankën Botërore në maj 2011, thoja se impakti i një politika shtrëngimi pa dallim mbi rritjen ekonomike, do të ishte shumë destabilizues për ekonomitë europiane. Historia është e mbushur me shembuj ndërprerjesh të frikshme, në vijim të vënies në zbatim të shkurtimeve drastike të shpenzimeve, si dhe masave të kursimit në kohë papunësie të lartë dhe shfrytëzimi të ulët të burimeve prodhuese. Në fillimin e tij, Depresioni i Madh i viteve ’30 u përballua pikërisht në të njëjtën mënyrë, me rezultate të dëmshëm, që shtynë John M. Keynesin të lëshonte një paralajmërim serioz kundër marrëzisë së politikave të tilla.

Ka shumë ngjashmëri me gjendjen e shkretë, drejt të cilës shkon sot ekonomia europiane. Mbi masat që duhet të merren, mendimi i vendim-marrësve europianë ka qenë një tjetër. Por sot, pas bërjes së hesapeve, rezultatet e pretenduar të politikave të shtrëngimit në zvogëlimin e peshës së defiçitit dhe borxhit, rezultojnë shumë të këqinj. Eshtë e rëndësishme të pyesim, për cilat arsye, debati ekonomik është prirur kaq shumë në “ndezjen” e fuqive terapeutike të rreptësisë fiskale? Injorimi i paralajmërimeve të Keynesit është një faktor i rëndësishëm. Por ka patur edhe një konfuzion të çuditshëm, mes nevojës për të nxitur reforma institucionale dhe nevojës për rreptësi fiskale. Nuk ka dyshim që, tashmë prej kohësh, Europa ka nevojë për reforma institucionale (politikat fiskale, pensionet…).

Por duhet të bëhet dallimi mes nevojës së arsyeshme për reforma, dhe nevojës së supozuar për një rreptësi fiskale të padallimtë. Përzierja e të dyjave në një formulë të vetme, ka bërë të vështirë që të flasim për reforma, pa folur në të njëjtën kohë për shkurtime në shpenzimet publike, në çdo sektor. Eshtë njësoj sikur një të sëmuri që kërkon një antibiotik për të ulur temperaturën, t’i jepet një antibiotik të përzierë me helm për minj: e pamundur të pish njërin, pa futur në trup edhe tjetrin.

Nëse mbështeten reformat ekonomike, duhet të pranohet edhe politika e shtrëngimit (kështu na është thënë vazhdimisht), por në të vërtetë nuk ka asnjë arsye të mirë për të përzierë dy elementët në një formulë të vetme. Shumë vende të Europës kanë ende nevojë për reforma, por nuk kanë aspak për masa të mëtejshme shtrëngimi. Më shumë se dyqind vjet më parë, Adam Smithi thoshte se një politikë e mirë ekonomike duhet të ndjekë dy objektiva: “Së pari, t’u mundësojë qytetarëve të krijojnë një të ardhur të përshtatshme si dhe të sigurojnë jetesën; së dyti, t’i ofrojë shtetit dhe komunitetit të ardhurat e mjaftueshme për të garantuar shërbimet publike”.

Babai i ekonomisë moderne dhe lajmëtari më i mirë i sistemit të tregut nuk kishte asnjë dyshim, se si dhe ku shteti duhej t’u përgjigjej nevojave të një shoqërie të shëndetshme. Për shumë breza, debati publik u ka dhënë më shumë vlerë dhe ka mbështetur pikëpamjet e gjera të Adam Smithit. Ka arsye të forta për të menduar se do të kishte ndodhur edhe sot, sikur t’i kishim lënë hapësirë një dialogu publik të hapur dhe të informuar, në vend që t’ia nënshtronim superioritetit të supozuar të gjykimit të udhëheqësve financiarë, me ngushtësinë e pikëpamjeve të tyre në lidhje me shoqërinë njerëzore, dhe mosinteresimin e tyre për nevojat e një demokracie të ngritur mbi diskutimin.

* Amartya Sen, i lindur në Indi në vitin 1933, ka fituar Cmimin Nobel për Ekonominë në vitin 1998. Docent në shumë universitete, është i njohur për studimet mbi marrëdhëniet mes zhvillimit, mirëqenies dhe demokracisë

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button