Ekonomi

“AMAZON” / Libra, sekrete dhe (pak) fitime. Ujku që i pëlqen Wall Street-it

amazonThonë se fitimet i ka të reduktuar, por në Bursë është shndërruar në një kolos që vlen më shumë se sa Coca Cola. Sepse tregu e vlerëson modelin e biznesit, që ka në qendër rrokjen e shijeve dhe zakoneve të klientëve

Një botues amerikan e krahason me “Kumbarin”. Një gazetë e madhe e quan “Oktapodi”. Një dokumentar i BBC-së, i xhiruar në fshehtësi në fabrikat e kompanisë, përshkruan shfrytëzimin dhe ritmet obsesivë prej “Kohësh Moderne”, sic i përshkruan Charlot. A është Amazon fytyra e re e kapitalizmit amerikan? Novator, fleksibël, largpamës dhe vizionar, por edhe i pamëshirshëm. 20 vite nga themelimi, tre libra të dalë njëri pas tjetrit dhe një investigim i The New Yorker, përpiqen që të hedhin dritë mbi një kompani kaq misterioze sa që, krahasuar me të, Apple i kohëve të Steve Jobs mund të quhet shumë transparente.

Amazon ka të ardhura prej 75 miliardë dollarë në vit, e megjithatë askush nuk e di me saktësi se cilët janë burimet e fitimit. Numri i punonjësve (shumë prej të cilëve sezonalë, part-time, me kontrata afatshkurtra, të nënpaguar etj) është një sekret industrial. Krijesa që Jeff Bezos nisi të ndërtojë në vitin 1994 vecohet nga të gjithë si një Moloch i pandalshëm, në gjendje të gëlltisë sektorë të tërë, duke shkatërruar konkurrencën. Dhe jo vetëm në libra. Ata që vazhdojnë ta identifikojnë Amazon-in vetëm me shitjen e librave në internet, kanë mbetur shumë kapituj mbrapa.

“Shitjet e librave tashmë përbëjnë vetëm 7 përqind – rrëfen George Packer tek The New Yorker – sot Amazon shet pak a shumë gjithcka: iPod-e ose korrëse bari, lojëra ose vepra arti, pampers-a për fëmijë ose këpucë, printera 3d, armë zjarri, madje edhe vibratorë”. Eshtë supermerkatoja e përsosur në internet, një konkurrent i vërtetë i Wal-Martit, numri një në shpërndarje. Dhe ndryshe nga Wal-Mart nuk kufizohet vetëm të shesë: prodhon edhe vetë.

Investigimi i The New Yorker vë në radhë këtë renditje zanatesh të rinj. Amazon-i, me bumin e lexuesit të vet dixhital “Kindle” është tashmë një kompani që prodhon pajisje elektronike, si Apple. Eshtë një kompani që ofron me qera shërbime, që nga filmat për në shtëpi deri në “re”-në informatike për të depozituar sasi të mëdha të dhënash. Eshtë shtëpi botuese, u ofron shkrimtarëve të botojnë libra, duke kapërcuar ndërmjetësimin e botuesve të vjetër. Eshtë shtëpi prodhimesh kinematografikë dhe televizivë, në konkurrencë me Time Warner dhe Paramount (por edhe me Youtube-n e Google). Eshtë një revistë recensionesh letrarë, edhe pse aspak e “pavarur”. Dhe kohët e fundit, drejtori i përgjithshëm, Bezos vendosi të blejë edhe gazetën më të rëndëisshme të kryeqytetit, The Washington Post.

Në 20 vite histori të trazuar, ekspansioni nga një sektor në një tjetër mund të duket i crregullt. Në fakt ka një fije lidhëse, që e bën Amazon-in paradigmën e kapitalizmit të ri. Mbi të gjitha një kapitalizëm pa fitime, ose pothuajse pa fitime. Ndoshta si zgjedhje tranzitore, në fakt tashmë 20-vjecare, kjo kompani i ka fitimet shumë të ulët. E megjithatë, në Wall Street modeli Bezos u pëlqen shumë dhe ecuria e aksioneve të tij në një periudhë afatgjatë është thjeshtë spektakolare. Në Bursë vlen më shumë se sa Coca Cola dhe AT&T.

Për Amazon-in, rëndësi ka që të rritet me shpejtësi të madhe, të pushtojë sektorë të rinj, të përmbytë konkurrentët deri sa të krijojë shkretëtirë përreth vetes. Përdorimi i librave është ekzemplar. Në vitin 1994, Bezos nuhati dy gjëra: që industria e botimit ishte në krizë të thellë për shkak të Internetit, domethënë e dobët. Dhe që lexuesit janë një objektiv i rëndësishëm sepse zënë shtresën nga mesi e sipër të konsumatorëve. Libri ishte kali i Trojës, një mënyrë për të siguruar informacione të rëndësishme mbi ne, shijet tona, interesat tanë. Por natyrisht, edhe adresën tonë dhe kartën e kreditit. Që përpara Google dhe Facebook, ishte Amazon-i që kuptoi së pari se në ekonominë dixhitale, burimi më strategjik janë të dhënat mbi klientët. Kur sigurohen ato, cdo gjë bëhet e mundur. Dhe në shumë fusha, Amazon-i synon të përsërisë strategjinë “nuk ka të burgosur” që e ka përdorur me sukses në fushën e botimeve: duek shkaktuar dështimin e gjysmës së 4000 librarive të pavarura dhe detyruar botuesit që të praktikonin ulje deri në 53%. Dhe një biznes i ri, si leximi elektronik përfundoi në kontrollin e Kindle, që sot ka 65% të tregut.

Nga këta suksese nuk përfitojnë shumë punonjësit, në një kompani ku sindikata është e ndaluar, dhe në maksi-magazinat, shpërndarësit duhet të dërgojnë një porosi cdo 33 sekonda. Wal-Mart, për shkak të sjelljeve të veta anti-sindikaliste, të paktën merr mbi vete antipatinë e opinionit publik progresist. Bezos ka shpikur “shfrytëzimin e padukshëm”, në një biznes ku konsumatori është i vetëm në shtëpi, përpara ekranit të një tableti ose një telefoni celular, duke bërë pazar në një univers kibernetik aseptik dhe (në dukje) pa punë të njeriut.

Il Venerdi

 

Leave a Reply

Back to top button