Analiza

Amerika bën prova lufte dhe Kimi bëhet gati të përgjigjet

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, pavarësisht rritjes së tensioneve me Phenianin dhe rrezikun që këto manovra mund të shndërrohen në një pretekst për të nisur një shkallëzim ushtarak me regjimin e Kim Jong-un. Stërvitjet, e njohura si Ulchi Freedom Guardian (UFG) dhe që do të zgjasin për dymbëdhjetë ditë, përfshijnë 50,000 ushtarë të Koresë së Jugut dhe 17,500 ushtarë amerikanë, rreth 7500 më pak, krahasuar me vitin 2016. Shumë e kanë parë këtë reduktim të trupave amerikane si një lloj mesazhi çtensionimi nga ana e Uashingtonit në lidhje me Lindjen e Largët, si kundrejt Phenianit, ashtu edhe kundrejt Pekinit, që është alarmuar nga militarizimi i deteve në frontin e brigjeve të vet. Në fakt, siç konfirmohet nga vetë Pentagoni, qëllimi i ushtrimeve është testimi i aftësive të koordinimit dhe integrimit mes të forcave të Koresë së Jugut dhe SHBA, madje edhe për të plotësuar kërkesën për t’i bërë fuqitë aleate gjithnjë e më autonome. Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, “manovrat janë bazuar në një strategji parandalimi në tre faza, duke përfshirë kërcënimin bërthamor, rrezikun e armëve bërthamore dhe përdorimin e armëve bërthamore”.

Stërvitjet e këtij viti, të cilat janë simulimi më i madh luftarak i kompjuterizuar në botë, përfshijnë gjithashtu vëzhgues nga shtatë aleatët amerikanë (Australija, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Zelanda e Re, Holanda, Danimarka dhe Kolumbia) dhe të Komandës së Kombeve të Bashkuara. Seuli dhe Uashingtoni argumentojnë se këto janë vetëm manovra mbrojtëse, të menduara për të mbrojtur Korenë në rast të pushtimit nga Koreja e Veriut. Pheniani, në anën tjetër, kurrë nuk i ka konsideruar këto ushtrime thjesht mbrojtëse, por gjithmonë i ka parë të tilla manovra, si kërcënime për sigurinë e tij, kështu që përgjigja e Kim ka qenë gjithmonë nisja e stërvitjeve balistike, në përgjigje të këtyre manovrave të armikut.

Ajo të cilës i frikësohet bashkësia ndërkombëtare është reagimi i Kim Hong Un ndaj këtyre stërvitjeve ushtarake. Përgjigja ka qenë gjithmonë e kufizuar në teste raketore dhe lëvizje trupash në kufi me Korenë e Jugut, në mënyrë që të dërgohet një mesazh sfide në Uashington dhe në Seul: një demonstrim muskujsh, por në thelb i padëmshëm. Këtë vit, megjithatë, gjërat janë ndryshe. Në javët e fundit, tensioni mes Koresë dhe SHBA ka arritur nivelet e e rrezikut të një konfrontimi ushtarak, dhe manovrat ushtarake nuk janë duke çuar në drejtim të çtensionimit të situatës. Pheniani i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të mos aktivizonin, të paktën këtë vit, stërvitje të përbashkëta me Korenë e Jugut, të paktën jo tani. Kina dhe Rusia ishin dakord që këto stërvitje janë absolutisht të padobishme, dhe një rrezik për stabilitetin e zonës, por administrata Trump dhe Korea e Jugut vazhduan përpara, ndoshta për të mos lënë të kuptohej se kushtet i dikton Kimi.

Por, duke vepruar kështu, rreziku i një casus belli mund të mos jetë më një hipotezë e largët, por një mundësi që absolutisht mund të shmangej me përdorimin e diplomacisë. Diplomaci që duket se dëshiron ta përdorë edhe vetë Kimi, pavarësisht ofendimeve, aq sa që ka zëra se Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut i ka kërkuar Japonisë që të veprojë si ndërmjetës për një kanal bisedimesh me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Problem tani mbetet përgjigja e Kimit. Në javët e fundit, duke konfirmuar planet e Koresë së Veriut për të goditur Guamin, shfaqjet zyrtare të regjimit tregojnë një hartë të madhe dhe një vijë të drejtë që nis nga kantieret e Mayang-do / Sinpo, shkon në Japoni dhe mbërrijnë drejt e në në Guam. Fotot e qeverisë koreane nuk janë kurrë propagandë e pastër, por edhe mënyra për të sinjalizuar botën se cilat janë planet reale të qeverisë së Koresë së Veriut.

Në vitin 2016, ishte fotografia e Kimit me një sferë metalike prej gjysmë metri, që bindi inteligjencën amerikane rreth aftësisë së Koresë së Veriut për të miniaturizuar bombën atomike. Ashtu si përdorimi i disa llojeve të rrobave ushtarake, ose civile tregon nëse synimet e Kimit janë për luftë apo diplomatike. Harta e madhe që u shfaq në këto orë ishte një sinjal se reagimi i Kimit mund të ishte një nisje e një rakete nga një kantier detar, ndoshta një nëndetëse, siç dyshohet nga shumë analistë perëndimorë. Dhe për të konfirmuar këtë, fotografitë më të fundit satelitore që vijnë në Pentagon tregojnë më shumë aktivitet në uzinën Sohae, e cila është zona ku janë ndërtuar vektorët kryesorë të Koresë së Veriut. / Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button