Analiza

Amerika po “riluan” Luftën e Ftohtë, dhe Rusia Luftën e Dytë

Justinian Jampol

Edward B. Robin

putin obamaUshtarë rusë në lëvizje, avionë MiG fluturojnë mbi anijet luftarake amerikane, manovra lufte të NATO-s, një kryeqytet i një vendi europian në rrezik pushtimi. Titujt e lajmeve në gazetat amerikane muajt e fundit duket sikur i përkasin një tjetër epoke. E njëjta gjë mund të thuhet për gazetat ruse, të cilat e kanë futur vendin në një furi nacionaliste, si reagim ndaj atij që perceptohet si agresion nga Perëndimi.

Amerikanët po rivënë në skenë Luftën e Ftohtë, ndërkohë që Rusia po rivë në skenë Luftën e Dytë Botërore – luftëra që secila palë mund të pretendojë se i ka fituar. Asnjë prej epokave nuk ka shumë ngjashmëri me konfliktin aktual në Ukrainë, por përmendja e betejave të të shkuarës me qëllim që të kuptosh dhe t’u përgjigjesh kundërshtarëve të sotëm, ka pasoja potenciale.

Ka patur një rishfaqje dramatike të aludimeve të Luftës së Ftohtë në mediat amerikane, teksa kriza e Ukrainës është nxehur dhe ka dominuar lajmet kryesore. Linja e vazhdimësisë mund të lexohet kështu: Budapest 1956, Pragë 1968, Kiev 2014. Në këtë formë të veçantë, Vladimir Putini po sillet si Sekretar i Përgjithshëm i një perandorie sovjetike.

Në Rusi, rrallëherë dëgjon të përmendet “Lufta e Ftohtë” e re. Në vend të saj, retorika e nacionalizmit, pushtuesit e huaj, dhe rreziku i fashizmit janë bërë pjesë e një modeli të racionalizimit të kundërshtimit rus ndaj qeverisë ukrainase të orientuar nga Perëndimi. Këta janë sinjale për qytetarët rusë – gjuhë e kodifikuar që i përket epokës së Luftës së Dytë Botërore, kur pushtuesit nga Europa Perëndimore pothuajse e shkatërruan mëmëdhenë.

Historia është përdorur gjithmonë – dhe shpesh herë manipuluar në mënyrë cimike – për të informuar gjendjen aktuale, si dhe për t’u hapur rrugën një serie të caktuar qëllimesh dhe objektivash politikë. Megjithatë, në krizën e Ukrainës, dy palët që janë vënë përballë, kanë përvetësuar histori të ndryshme. Duke ripohuar fitoret e tyre, si lindja ashtu edhe perëndimi po rikonfigurojnë të kaluarën, me qëllim që ta vënë atë në vijë me narrativën aktuale, e cila buron më shumë prej nevojës politike se sa prej librave të historisë. Në 6 qershor 2014, presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë në festimet në plazhet e Normandisë, për të përkujtuar 70-vjetorin e Ditës së Zbarkimit. Media ruse e zvogëloi rëndësinë strategjike të pushtimit dhe, më përgjithësisht, kontributin e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në fund të fundit, mëmëdheu humbi 20 milionë njerëz në luftën kundër fashizmit, dhe beteja ende nuk ka marrë fund. Tani, fashistët në Ukrainë, siç lihet të kuptohet, po rrezikojnë sërish paqen. Ndërkohë, ka shumë pak prova për të mbështetur këto pretendime. Paradoksalisht, rritja e mbështetjes në “Europën e Re” për politikat e Rusisë mund të gjendet në radhët e partive të ekstremit të djathtë, që disa i quajnë neo-fashiste.

SHBA, nga ana e vet, duket se i ka hequr pluhurin librit të rregullave të Luftës së Ftohtë, duke pohuar se rrethanat shumë komplekse të krizës së Ukrainës janë nxitur prej “agjentëve rusë”, në një akt të pabesueshëm agresioni të stilit sovjetik, siç e përmblodhi Sekretari i Shtetit, John Kerry për publikun amerikan. Kerry iu lut homologut të tij rus, Sergey Lavrov që t’i rezistojë shndërrimit të Ukrainës në një gur shahu për tensionet ruso-amerikanë. Një çerek shekulli pas rënies së Murit të Berlinit, koncepti i luftërave me përfaqësim kundër Rusisë është rikthyer në modë.

Pavarësisht gjithë retorikës, kolonat mbështetëse të Luftës së Ftohtë – konkurenca ideologjike, rreziku i shkatërrimit reciprok, dhe ekuilibri dypalësh global i fuqive – nuk ekzistojnë më. Pa fuqinë e madhe manikeiste që e shihte komunizmin si një virus global dhe infektues (me aftësi bërthamore), analogjitë e Luftës së Ftohtë me Rusinë e sotme, duken të tepruara, për të thënë më të paktën.

Reagimi ndaj periudhave historike që kanë qenë shumë antagoniste dhe të përgjakshme për të udhëhequr veprimet në fushëbetejën e Ukrainës lindore sot, ofron potencial për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, i nxitur prej fitoreve të dikurshme dhe kujtimeve të përplasjeve të vjetra.

Në vend të përvetësimit të historive të caktuara në shërbim të objektivave politikë të momentit, dhe provokimit të armiqësive të mëtejshme, studimi i vlerave kulturore kohëgjata dhe i tendencave sociale mund të ofrojë një bazë për të kuptuar motivimet dhe strategjitë.

Nëse historia mund të shpjegojë zhvillimet që po ndodhin në Ukrainën lindore, Rusia po vepron siç ka bërë gjithmonë – si një entitet nacionalist që kapërcen edhe ideologjinë, edhe sundimtarin. Stalini e kuptoi këtë kur e pagëzoi Luftën e Dytë Botërore si “Lufta e Madhe Patriotike”. Ushtarët e tij mund të mos vdisnin për të, as për komunizmin, por ata do të jepnin jetën për Rusinë Mëmë, siç bënë për Car Aleksandrin në vitin 1812.

Sa për Amerikën, ndërhyrja në problemet dhe konfliktet e jashtëm mund t’i përkasë gjithashtu një tradite shumë më të vjetër se sa Lufta e Ftohtë – Katërmbëdhjetë Pikat e Woodroë Wilsonit. Tendenca idealiste drejt promovimit aktiv të demokracisë, vetëvendosjes, dhe transparencës ka kapacitetin që të bjerë ndesh me interesat kombëtarë të të tjerëve, duke përfshirë ata të Rusisë, edhe në një kohë kur vetë shprehjet e interesit gjeopolitik të Rusisë janë mbështjellë me një retorikë të ngjashme demokratike.

Me shumë gjasa, Rusia do të veprojë gjithmonë sipas atij që e sheh si interesin e vet gjeostrategjik, duke mbrojtur sferën e vet të influencës dhe unicitetin sllav/euraziatik. Edhe SHBA do të veprojë në mbrojtje të interesit të vet, që ndonjëherë në mënyrë disi të ngatërruar përfshin ideologjinë dhe idealizmin si manifestime të Veçantisë Amerikane.

Historia na informon për të kaluarën dhe ndoshta kuptimin e saj, por kujtesa dhe retorika përdoren si mjete për të vërtetuar interesat e shteteve. Pavarësisht dallimeve se si Rusia dhe SHBA po përfaqësohen në përplasjen aktuale në Ukrainë, duke sjellë shembuj historikë që nuk i qëndrojnë analogjisë rigoroze, të dy vendet ndajnë një qasje shumë të ngjashme në përdorimin e episodeve të të kaluarës, si justifikim për veprimet e të tashmes.

Ndërkohë që kjo gjë nuk na thotë asgjë të re për historinë, ajo iluminon petëzimin e versioneve zyrtarë të “asaj që ndodhi” dhe sinjalizon risqet potencialë të shfrytëzimit të konflikteve të të kaluarës, të ngulitur në psikikën kolektive të të dy shteteve, duke provokuar antipati, frikë dhe ndoshta luftë./HuffPost/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button