Analiza

ANALIZA E DER SPIEGEL: Skenarët që po përgatiten në të gjithë Europën, nëse Greqia del nga Eurozona

Bankat në të gjithë Evropën, duke përfshirë Bankën Qëndrore Evropiane, po përgatiten mbi mundësinë që Greqia të lërë eurozonën. Me Athinën dhe Brukselin ende në mosmarrëveshje, një skenar i tillë duket më real se kurrë. Por sa përçarëse, do të ishte në të vërtetë kjo ngjarje?

grexit

Të mërkurën e javës së shkuar, 30 menaxherët kryesorë në një bankë të madhe gjermane morën një e-mail në të njëjtën kohë. Pak kohë më vonë, telefonat e tyre ranë thuajse njëkohësisht me një zë të automatizuar, që u jepte të gjitha fjalëkalimet, dhe një numër për të telefonuar saktësisht në orën 8.30 dhe bashkuar një telekonference me bordin e drejtorëve.

Ky komunikim i ethshëm, ishte hapi fillestar i planit të emergjencës, një strategji e paraqitur në një dokument prej dhjetëra faqesh, që përmban në detaje mënyrën sesi menaxherët duhet të reagojnë në rast se Greqia lë eurozonën. Pas ndarjes fillestare të informacionit, ky i fundit i kalon bordit mbikëqyrës dhe zyrtarëve publikë të financave gjermane.

Plani përfshin ndërkohë edhe kontaktet me investitorët e mëdhenj. Pyetjet, kanë të bëjnë me humbjet e mundshme të bankave. Reagimi shtrihet edhe në komunikimin e brendshëm të bankës, me udhëzime për punonjësit, për të menaxhuar situatën e re. Konsumatorët dhe pronarët e aksioneve gjithashtu, duhet të mbahen të informuar. Saktësisht në orën 18.00, kur mbaroi edhe dita e punës, “kriza” mori fund. Skenare të tilla po praktikohen në të gjithë Evropën ditët e fundit. Të enjten e shkuar, qeveria e re greke e kryeministrit Aleksis Cipras, më në fund aplikoi për një zgjatje të programit të saj të shpëtimit. Por, nga perspektiva e ministrit gjerman të Financave Volfgang Shojble, Athina nuk arriti të përmbushë kushtet e përcaktuara nga eurozona. Pra edhe nëse një kompromis u arrit në fund, loja e e nivelit të lartë e pokerit nuk ka përfunduar.

Larg nga të qënit e thjeshtë
Kreditorët e Greqisë, tashmë të njohur si “institucionet” në vend të “trojkës”, nuk duhet të arrijnë një marrëveshje vetëm mbi normën e interesit dhe periudhën e pagesës, por edhe për çështje të tilla si paga minimale dhe rritja e përfitimeve të atyre që kanë dalë në pension. Nga njëra anë, janë mbështetësit e krahut të majtë të partisë populiste së Ciprasit “Syriza”, shumë prej të cilëve jetojnë ende në botën e viteve ’70, në epokës së partive të përçara komuniste.
Në anën tjetër, ndodhen 18 ministrat e financave eurozonës, që janë bashkuar për të siluruar premtimet e Ciprasit gjatë fushatës zgjedhore. “Syriza” dëshiron të rrisë shpenzimet publike, ndërsa euro grupi kërkon reduktimin e tyre. Athina planifikon të rrisë numrin e nëpunësve civilë, ndërsa Brukseli beson se shpenzimet publike duhet të ulen më tej.
Eurogrupi beson se privatizimi i aseteve, që zotërohen nga shteti duhet të jetë një prioritet, ndërsa qeveria Cipras tani për tani, e ka pezulluar këtë proces. Pra klima është tejet helmuese. Suksesi do të varet kryesisht nga lëshimet që do të bëjë Ciprasi. Për të qenë të sigurtë, atij duhet t’i jepet një lehtësim i normës së interesit, ose të lejohet të përmirësojë kushtet sociale në Greqi.

Ndërkohë Cipras, duhet të bjerë dakord për vijimin e planit të kursimit. Dhe kjo do të ishte saktësisht e kundërta e asaj që ai u premtoi qytetarëve grekë gjatë fushatës zgjedhore. Opsioni tjetër i vetëm mbetet largimi i Greqisë nga eurozona. Banka Qendrore Evropiane gjithashtu po përgatitet për një skenar të tillë. Madje zyrtarët e BQE-së po kërkojnë nga Athina të kontrollojë flukset e kapitalit, në kushtet kur dyshohet se çdo ditë grekët po dërgojnë jashtë vendit më shumë se 1 miliardë euro.

Selia qëndrore e Syriza-s
Në selinë qëndrore të Syriza-s në sheshin Kumunduru në Athinë, udhëheqjen e partisë nuk e gjetëm, pasi ndodhej në parlament, për zgjedhjen e presidentit të ri. Por funksionarët e nivelit të dytë dhe të tretë, ishin aty, duke shprehur mosbesim ndaj BE. “Gjermanët dhe elita evropiane, duan të na merret fryma. Përse? Për shkak se ata duan që Greqia të bëhet një shembull në këtë drejtim” – thotë 61-vjeçari Alekos Kalivis, një anëtar i byrosë politike të partisë.

Çfarë do të ndodhë nëse Brukseli nuk i bindet kërkesave të Athinës? “Ata duhet të binden, përndryshe do të ishte sikur zgjedhjet të mos kishin ndodhur. Në çdo rast ne s’mund të pranojmë asnjë zgjidhje, që na kërkon të braktisim parimet tona” – shton ai. Ndërkohë Vasilios Primikiris, një mjek anestezist 63-vjeçar, anëtar i Komtetit Drejtues, shprehet se Syriza është e dënuar të ketë sukses dhe këmbëngul se qeveria Cipras ka ende ndikim në Evropë. “Një dalje e Greqisë nga Eurozona, do të ishte zgjidhja më e shtrenjtë për të gjithë” – thotë ai. Pastaj – vazhdon ai- peshkaqenët do të fillojnë kërkimin për gjah të freskët në vende si Italia apo Spanja. “Zonja Merkel është varrmihësja e Evropës”- thotë Primikiris.

Historia e suksesit në Letoni
Valdis Dombrovskis, nënkryetar i ri i Komisionit Evropian, është një fizikan i njohur, që ka fituar në Bruksel reputacionin e një politikani që flet vetëm kur ka diçka për të thënë. Për më tepër, 43-vjeçari nga Letonia, e di sesi duhet të “lundrojë” një vend përmes vështirësish financiare.
Kur shteti balltik u përfshi nga kriza financiare në vitin 2009, Dombrovskis ishte kryeministër i vendit. Ai reduktoi menjëherë numrin e nëpunësve civilë me 30 përqind, dhe uli me 40 përqind pagat e atyre që mbetën në punë. Dy vite më vonë, ekonomia letoneze filloi sërish të rritej. “Bindni tregjet financiare, se jeni seriozë mbi reformat dhe keni rivendosur stabilitetin financiar” – tha ai për BBC-në në vitin 2011, duke shpjeguar historinë e sukseshshme të Letonisë. Tashmë që Dombrovskis është Komisioneri i ri për Euron dhe Dialogun Social, ka një qasje të rreptë ndaj mosmarrëveshjeve mbi borxhin e Greqinë. Ai nuk i kupton realisht grekët. Para zgjedhjeve të janarit, gjendja në vend ishte përmirësuar. Asokohe Athina kishte më shumë shanse për marrjen e ndihmave të reja nga Brukseli, çka do të krijonte një hapësirë më të madhe manovrimi për qeverinë.

Por zgjedhja e Ciprasit ndryshoi rrënjësisht situatën. Shumë grekë ndaluan pagimin e taksave, apo paguan më pak, në pritje të shkurtimeve të tyre, sipas premtimeve të bëra gjatë fushatës. Ndërkohë, nga frika e qeverisë së majtë, kompanitë shkurtuan investimet. Rezultati tani është se vrima në buxhetin kombëtar është me e madhe sesa ishte më parë. “Tanimë s’ka asnjë alternativë tjetër për grekët, përveçse të aplikojnë për një program të ri gjithëpërfshirës të shpëtimit” – thotë një burim në Bruksel. Negociatat e ardhshme – vijon burimi – mes Eurogrupit dhe Athinës “do të jenë më të ashpra se çdo gjë tjetër që kemi parë deri tani”.
Fatura e mundshme e “Grexit”
Nëse Greqia do të dalë nga Eurozona, qeveria do të duhet të qarkullojnë brenda natës një monedhë të re, e cila në mënyrë të menjëhershme, do të zhvlerësohej ndaj Euros. Të paktën në fillim do të ketë një kaos të vërtetë. Bankat, do të funksionojnë përmes lëkundjesh të rrezikshme, normat e interesit do të rriteshin shpejt, dhe kompanitë do të falimentonin. “Numri i falimentimeve do të rritej me 50 përqind që këtë vit, me një shtesë prej 30 përqind për vitin e ardhshëm” – parashikon Ludovik Subran, ekonomisti kryesor tek agjensia e sigurimit të kredive “Euler Hermes”. Ndërkaq agjensia e ndërkombëtare e rejtingut “Standard & Poor’s”, mendon se edhe kompania më e madhe shtetërore e shërbimeve të energjisë elektrike, ka të ngjarë të shkojë drejt falimentit.

Për të parandaluar, që njerëzit të mënyjnë nëpër banka, Greqia duhet të aplikojë përkohësisht kontrollet mbi flukset e parave. Transfertat jashtë vendit do të ndalohen, do të vendosen kufij për tërheqjen e shumave nga banka, dhe kontratat e furnizimit do të pezullohen. Ka të ngjarë, që edhe ilaçet apo produktet ushqimore të huaja, të gjenden vetëm tek tregu i zi dhe do të mund të blihen vetëm me një monedhë të fortë.
Analistët e bankës gjermane “Commerzbank” besojnë se një rrjedhojë e mundshme e zhvlerësimit të monedhës kombëtare, do të ishte që borxhi i qeverisë greke do të rritej, nga niveli i tanishëm prej 175 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në 230 përqind. Athina s’do ishte më në gjendje të paguante këstet e borxhit. Është akoma më e vështirë, të parashikohet sesi do të reagonin njerëzit, ndaj një situate të tillë. Shpallja e falimentit nga Argjentina në vitin 2001 u pasua nga trazira të dhunshme dhe grabitje masive. Një shembull i tillë gjithashtu na tregon sesa shumë kohë mund t’i duhet një ekonomie për t’a rimarrë veten nga një krizë si kjo.

Dhjetëra mijëra argjentinas, shumë prej tyre të mirëarsimuar braktisën vendin e tyre, dhe shumë grekë do të bënin të njëjtën gjë. Gjithashtu besimi i investitorëve ndërkombëtarë do të lëkundej. Ka mundësi që qeveria greke të ketë vështirësi për të grumbulluar para në vitet që do të vijnë.

Mundësi për Greqinë ?
Në të njëjtën kohë, një monedhë e re më e lirë, do të krijonte disa mundësi. Ajo papritmas, do t’i bënte eksportet greke shumë më të lira. Hans- Verner Sin, president i një think-tanku ekonomik

në Mynih, beson se për shembull vendi mund të ringjallë industrinë tekstile, që u zhduk disa vite më parë. Ndërkohë, vendi do të bëhet më i lirë për të kaluar pushimet. Aktualisht, shumë destinacione turistike në Greqi vuajnë, pasi çmimet janë më të lira në Turqi, ku qiejt dhe detet janë po aq blu sa në vendin fqinj. “Në veçanti, industria greke e turizmit do të përfitonte fuqimisht nga një Grexit” – thotë Tomas Majer, që më parë ka shërbyer si ekonomist kryesor në “Deutsche Bank”.

Çështja këtu ka të bëjë me shkallën e stimulit që kjo ngjarje do të siguronte mbi eksportet dhe sektorin e turizmit. Më e rëndësishme akoma është çështja se kur do të fillojë bumi. Por Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, dyshon nëse Greqia në një periudhë afatgjatë, do të përfitonte nga rifutja e dhrahmisë.

“Një zhvlerësim i ngadaltë, nuk do të bëjë absolutisht asgjë, për të ndryshuar problemet strukturore të Greqisë” – thotë Stefan Kots, kreu i qendrës së parashikimit në institut. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka një pikëpamje të ngjashme mbi këtë skenar. Burimet nga FMN-ja në Uashington thonë se kostoja e daljes nga euro, do të jetë më e madhe për Greqinë, sesa po të vazhdojë me programin e reformave në gjirin e Euros.

Por ndryshimi i monedhës, do të mund të sigurojë një avantazh të rëndësishëm për qeverinë greke. Kjo e fundit mund të shtypë aq shumë para sa i nevojiten, për të financuar premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore. / Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel”/ a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button