Analiza

ANALIZA / Fati i rendit botëror liberal? Nëse as nuk bien dakord se çfarë është…

Nga Mark Leonard

LONDËR – Pas Annus horribilis, që ishte viti 2016, shumica e vëzhguesve politikë besojnë se rendi liberal botëror është në telashe serioze. Por aty ku mbaron dakordësia. Në konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, debati mbi këtë temë mes udhëheqësve, si kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence, Ministri i Jashtëm kinez, Uang Yi, dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tregoi një mungesë konsensusi, edhe në atë se çfarë është rendi liberal botëror. Kjo e bën të vështirë të parashikosh, se çfarë do të ndodhë me të.

Kur Perëndimi dhe sidomos Shtetet e Bashkuara, dominonin botën, rendi liberal ishte pak a shumë gjithçka që ata thonin, se ai ishte. Vendet e tjera ankoheshin parashtronin qasje alternative, por në thelb, pranonin dhe zbatonin me rregullat e përcaktuara nga perëndimorët.

Por teksa fuqia globale ka kaluar, nga Perëndimi tek “pjesa tjetër,” rendi liberal botëror është bërë një ide që kontestohet gjithnjë e më shumë, me rritjen e fuqive si Rusia, Kina, India, dhe mundësinë që këto të sfidojnë gjithnjë e më shumë perspektivën perëndimore. Dhe, me të vërtetë, kritika e Merkelit në Mynih ndaj Rusisë, për pushtimin e Krimesë dhe mbështetjen që ajo i jep presidentit sirian Bashar al-Assad, ndeshi në deklaratat e Lavrovit, se Perëndimi kishte injoruar normat e sovranitetit në të drejtën ndërkombëtare, me pushtimin e Irakut dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kjo nuk do të thotë se rendi liberal botëror është një koncept tërësisht i vjetëruar. Shpallja fillestare – quajeni “Rendi Liberal 1.0″ – doli nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, për të mbështetur paqen dhe prosperitetin global. Ai mbështetej nga institucionet, si Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila më vonë u bë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga marrëveshjet rajonale të sigurisë, të tilla si NATO. Ai vinte theksin në multilateralizmin, edhe përmes Kombeve të Bashkuara, si dhe promovimin e tregtisë së lirë.

Por Rendi Liberal 1.0 kishte kufijtë e tij – domethënë, kufijtë sovranë. Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme gjeopolitike, mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, nuk mund as edhe të quhet tamam një “rend botëror.” Ajo që vendet bënin brenda tyre ishte në thelb punë e tyre, për aq kohë sa nuk ndikonte në superfuqinë rivale.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, megjithatë, një Perëndim triumfues e zgjeroi ndjeshëm konceptin e rendit liberal botëror. Rezultati – Rendi Liberal 2.0 – depërtoi përtej kufijve të vendeve, për të marrë në konsideratë të drejtat e atyre që jetonin në këta vende.

Në vend që të ruante sovranitetin kombëtar me çdo kusht, rendi në zgjerim kërkoi që të bënte bashkë sovranitetin dhe krijuar rregulla të përbashkëta, të cilave qeveritë kombëtare duhej t’u përmbaheshin. Në shumë drejtime Rendi Liberal 2.0 – mbështetur nga institucione si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), si dhe normat e reja, si Përgjegjësia për të Mbrojtur (R2P) – kërkoi të formësojë, sipas shëmbëlltyrës së Perëndimit.

Por, pa kaluar shumë kohë, fuqitë e fiksuara pas sovranitetit, si Rusia dhe Kina, ndalën zbatimin e tij. Gabimet trashanike të politikëbërësve perëndimorë ishin përgjegjëse – lufta e zgjatur në Irak dhe kriza ekonomike globale – për shfuqizimin e Rendit Liberal 2.0.

Por tani, vetë Perëndimi është duke hedhur poshtë rendin që vetë e krijoi, shpesh duke përdorur të njëjtën logjikë të sovranitetit, që përdornin dikur fuqitë në rritje. Dhe nuk janë në rrezik vetëm shtesat më të fundit në normat e këtij rendi. Me Mbretërinë e Bashkuar që ka refuzuar Bashkimin Evropian dhe Presidentin e SHBA, Donald Trump që ka dënuar marrëveshje të tregtisë së lirë dhe marrëveshjen e Parisit për klimën, në rrezik duket se është Rendi Liberal 1.0.

Disa pohojnë se Perëndimi e teproi me krijimin e Rendit Liberal 2.0. Por edhe Amerika e Trumpit ka ende nevojë për Rendin Liberal 1.0 – dhe multilateralizmin që është në themel të tij. Përndryshe, ajo mund të përballet me një lloj të ri globalizimi, që kombinon teknologjitë e së ardhmes me armiqësitë e së kaluarës.

Në një skenar të tillë, ndërhyrjet ushtarake do të vazhdojnë, por jo në formën postmoderne që synonte ruajtjen e Rendit (ilustruar nga kundërvënia e fuqive perëndimore ndaj gjenocidit në Kosovë dhe Sierra Leone). Në vend të kësaj, do të mbizotërojë forma moderne dhe para-moderne: mbështetje për represionin e qeverisë, si ka bërë Rusia në Siri, apo luftërat “me prokurë”  etno-fetare, si ato që Arabia Saudite dhe Irani kanë zhvilluar në të gjithë Lindjen e Mesme.

Interneti, migrimi, tregtia, dhe zbatimi i të drejtës ndërkombëtare do të shndërrohen në armë në konflikte të reja, në vend se të qeverisen në mënyrë efektive nga rregullat globale. Konflikti ndërkombëtar do të nxitet kryesisht nga një politikë e brendshme gjithnjë e përcaktuar prej ankthit për statusin, mosbesimit të institucioneve, dhe nacionalizmit mendjengushtë.

Vendet evropiane janë të pasigurt se si të përgjigjen ndaj këtij kaosi të ri global. Janë shfaqur tri strategji të mundshme për të dalë prej tij.

E para kërkon një vend si Gjermania, e cila e konsideron veten një aktor të përgjegjshëm dhe ka një ndikim të madh ndërkombëtar, që të marrë përsipër rolin e kujdestarit kryesor të rendit liberal botëror. Në këtë skenar, Gjermania do të punojë për të mbështetur Rendin Liberal 1.0 në nivel global dhe për të ruajtur Rendit Liberal 2.0 në Evropë.

Një strategji e dytë, ilustruar sot nga Turqia nën presidentin Rexhep Tajip Erdogan, mund të quhet maksimizim i fitimit. Turqia nuk është duke u përpjekur që të përmbysë rendin ekzistues, por ajo as nuk ndjehet përgjegjëse për ruajtjen e tij. Në vend të kësaj, Turqia kërkon të marrë sa më shumë nga institucionet perëndimore si BE dhe NATO, duke nxitur marrëdhënie me përfitim të ndërsjelltë, me shtete si Rusia, Irani dhe Kina, që shpesh kërkojnë t’i minojnë ato institucione ndërkombëtare.

Strategjia e tretë është hipokrizi e thjeshtë: Evropa do të flasë si një aktor i përgjegjshëm, por do të veprojë si një maksimizuese fitimi. Kjo është rruga që kryeministrja britanike, Theresa May mori kur u takua me Trumpin në Uashington, DC. Ajo tha gjithë gjërat e duhura për NATO, BE, dhe tregtinë e lirë, por premtoi një marrëveshje të veçantë me Shtetet e Bashkuara, jashtë këtyre kornizave.

Në muajt e ardhshëm, shumë udhëheqës do të duhet të vënë një bast, nëse rendi liberal do të mbijetojë – dhe nëse ata duhet të investojnë burime për këtë qëllim. Perëndimi kolektivisht ka fuqinë që t’i përmbahet Rendit Liberal 1.0. Por në qoftë se fuqitë perëndimore nuk munden që të bien dakord për atë që duan nga ky rend, apo cilat janë përgjegjësitë e tyre për ta ruajtur atë, gjasat janë që as nuk do të lëvizin gishtin.

Përgatitur dhe botuar ekskluzivisht nga www.bota.al, me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – What Liberal World Order?

Leave a Reply

Back to top button