Analiza

Analiza / Ja pse kurdëve po u soset durimi me Amerikën

Nga Richard Engel

Screen Shot 2015-02-11 at 11.33.13 AM

Balancimi i interesave dhe qëllimeve konkurruese, tingëllon si një politikë e shëndoshë. Por ajo që duket e shëndoshë në një prezantim nga kompjuteri në Uashington, nuk u duket e arsyeshme njerëzve, të cilët po luftojnë në vijën e parë të frontit të luftës. Kurdët kanë humbur mbi 1 mijë Peshmerga në luftën kundër ISIS, dhe kanë pranuar një valë të paparë refugjatësh në territorin e tyre. Durimi i njërit prej aleatëve tanë më të ngushtë është duke sosur

Erbil, Irak – Vetëm disa dhjetëra ushtarë me pushkë automatike dhe një Humvee e vjetër ruajnë linjën e parë të frontit kundër ISIS-it. Kjo fortifikatë kurde, e vendosur pranë Mosulit, është sulmuar disa herë në ditë, çdo ditë. Deri më tani, ISIS-i ka dërguar mbi 20 autobomba në përpjekje për t’a shkatërruar.
Kurdët mezi po mbahen në pozicionet e tyre, dhe ndihen gjithnjë e më të frustruar. Ata duan të dinë se përse SHBA – aleati i tyre – nuk po i ndihmon më shumë, duke i furnizuar me armët dhe municionet që ata kërkojnë. Por Uashingtoni nuk po i injoron kurdët nga inati.
Zvarritja e këtyre ndihmave, vjen për shkak të shqetësimit në rritje se këto armë nuk do të përdoren vetëm kundër Shtetit Islamik, dhe se në fund ato do të shërbenin edhe për një arsye tjetër: pavarësinë kurde.
Të luftohet ISIS-i apo të mbahet i bashkuar Iraku?
Duke dëgjuar presidentin amerikan Barak Obama dhe Sekretarin e Shtetit Xhon Kerri, lufta kundër ISIS-it tingëllon e thjeshtë. Grup terrorist është përhapur në Siri dhe Irak, dhe dalëngadalë po vret të dyja kombet. Shpesh ISIS-i është përshkruar si një “kancer”. Fushata ajrore e SHBA-së është projektuar të shkatërrojë këtë “kancer” dhe të shërohet kombet që ai ka prekur.
Por vetë ISIS-i e ka vendosur veten përgjatë linjave të vjetra e të pazgjidhura të Irakut. Dhe askund në këtë plan nuk ekziston Kurdistani apo Iraku verior, sikurse qeveria në Bagdad e quan atë. Ushtria amerikane ka një aleancë të veçantë me kurdët e Irakut.
Ndryshe nga arabët (si sunitë edhe shiitë), kurdët nuk kanë ngritur kurrë armët kundër trupave amerikane. Në fakt, edhe para pushtimit amerikan në vitin 2003, kurdët ishin në mënyrë të guximshme pro-amerikanë. Kryeqyteti kurd Erbili është unik në të qënit një qytet iraken, ku ju mund të shihni flamuj amerikanë të varur prapa dyerve në dyqane dhe restorante.
Kurdët besojnë se një marrëdhënie e fortë me SHBA është çelësi për arritjen e qëllimit të tyre përfundimtar të pavarësisë. Duke përbërë rreth 17 përqind të popullsisë së Irakut, kurdët janë anëtarë të një grupi etnik shpesh të etiketuar si “kombi më i madh pa një shtet”. Atdheu i tyre historik është i ndarë ndërmjet Sirisë, Iranit, Irakut dhe Turqisë.
Kurdët e kaluan shekullin e shkuar duke kërkuar, luftuar dhe vdekur për të drejtën për një atdhe të lirë dhe të pavarur. Tani, më në fund, duket se ëndrra është e mundur. Gjatë luftës amerikane në Irak, kurdët ishin partnerë konstruktive në një qeveri të brishtë 3-palëshe, me fqinjët e tyre sunitë dhe shiitë.
Por amerikanët u larguan dhe ISIS-i dha fund iluzionit të unitetit të Irakut, duke i lënë të lirë kurdët të deklarojnë si të tyren tokat ku ndodhen. Ndërsa luftëtarët e ISIS-it marshuan nga njëri qytet pas tjetrit verën e kaluar, ushtria e Irakut u tërhoq përpara mbërritjes së tyre. Kur forcat irakiane ikën, forcat kurde – të njohur si Peshmerga – pushtuan qytetin e Kirkukut dhe fushat e mëdha të naftës.
Ishte një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. Tani që ata kanë qytetin, nuk kanë ndërmend t’ia lëshojnë përsëri qeverisë qendrore në Bagdad, të cilën kurdët e shohin si të korruptuar dhe sektare. Kurdët besojnë se nafta e Kirkukut, do ta bëjë rajonin autonom kurd në Irakun verior, një shtet ekonomikisht të qëndrueshëm, madje edhe të pasur.
Kontrolli i Kirkukut është çelësi i ekzistencës kombëtare, të cilën kurdët e kanë kërkuar gjithmonë. Një referendum formal do të zhvillohet së shpejti, mbi fatin e Kurdistanit të Irakut. Para mbërritjes së ISIS-it kurdët mund të kenë parë një farë dobie tek mbajtja e aleancës së tyre jo të lehtë me shtetin e Irakut. Ata kishin nevojë për paratë që qeveria qëndrore kishte dërguar në veri me ushtrinë irakiane, me superioritetin e saj, armët amerikane ishin garancia më e mirë për sigurinë, në një rajon të paqëndrueshëm, sesa Peshmergat e armatosur lehtë.
E gjitha kjo ka ndryshuar tani. Dhe referendumi, i planifikuar fillimisht të zhvillohej vitin e kaluar, është gati e sigurtë se do të tregojë që kurdët e Irakut janë të gatshëm për t’u shkëputur. E gjitha kjo vendos në një kurs përplasje dy elementët kyçe të politikës amerikane në rajon. “Shtetet e Bashkuara, jo vetëm duhet të shqetësohen për Shtetin Islamik, por gjithashtu edhe për unitetin e ardhshëm të Irakut” – thotë Entoni Kordesman, një specialist mbi Lindjen e Mesme në “Qendrën për Studime Strategjike” në Uashington. “Kjo është paksa një kombinim mes xhonglimit dhe shëtitjes mbi një litar të tendosur. Nëse ju bëni një gabim, në thelb mund të shkaktoni një formë të re të konfliktit civil” – tha Kordesman.
Më shumë armë
Të dëshpëruar për lajme të mira nga lufta kundër ISIS-it, politikanët në Uashington shpesh nuk ngurrojnë të shprehin një mori lëvdatash mbi kurdët, të cilët me ndihmën e këshilltarëve të SHBA-së dhe mbështetjen e ngushtë nga ajri nga ushtria amerikane, kanë arritur të rimarrin zonat e mëdha që kishin humbur prej ekstremistëve qershorin e shkuar.
Por, në një intervistë ekskluzive, njeriu që drejton këshillin e sigurisë së rajonit Kurd, tha për televizionin ”NBC News” se as sulmet ajrore dhe as lavdërimet e Uashingtonit nuk janë të mjaftueshme për të fituar luftën. “Të lavdërosh është një gjë e mirë. Ne gjithashtu e shohim veten si aleatë të besuar të Shteteve të Bashkuara dhe botës së lirë” – tha Masrur Barzani, kancelari i Këshillit të Sigurimit të Rajonit të Kurdistanit. “Por lufta ka nevojë për më shumë sesa thjeshte vetëm lëvdata. Ajo ka nevojë për armë dhe municione” – theksoi ai.
Duke folur për emisionin e NBC-së “Takim me shtypin” të djelën e shkuar, sekretari Kerri tha se ai e kupton plotësisht “padurimin” e Barzanit, por shtoi se fakti është se vetë “ushtria irakiane duhet të ritrajnohet dhe rimëkëmbet”.
Megjithatë, kurdët dhe ushtria irakene duan gjëra të ndryshme për Irakun. Ka pak dyshim se armatosja e kurdëve do të shpejtojë ditën kur kurdët do të vetëshpallen të pavarur. Udhëheqësit kurdë ndihen gjithnjë e më rehat kur flasin për një Kurdistan të pavarur në Irakun e Veriut, si qëllimin e tyre kryesor. “Pavarësia – thotë Barzani – është një e drejtë që Perëndia ia ka dhënë popullit kurd, për të qenë jo më pak i barabartë se çdo komb tjetër mbi faqen e Tokës”.
Luftë e gjatë
Sa më shumë që kurdët flasin për një të ardhme të pavarur, aq më pak rehat ndihen zyrtarët e e SHBA-së dhe për pasojë ka shumë më pak të ngjarë t’u dërgojnë atyre armë. Por dështimi për t’i armatosur në mënyrë të përshtatshme kurdët, nuk do të ishte vetëm një tradhëti ndaj tyre, por kjo  mund të ngadalësojë progresin që ata kanë bërë tashmë kundër ISIS-it.
“Duket se ka për të qenë një luftë e gjatë” tha Barzani për “NBC News”. “Ushtritë Peshmerga janë duke bërë më të mirën e tyre, duke luftuar ISIS me çdo gjë që kanë në dispozicion, çka në fakt nuk është kushedi çfarë. Kjo është një luftë shumë e vështirë” – nënvizoi ai.
Zgjidhja që administrata Obama ka gjetur, është bëjë dallimin: të armatosë kurdët, vetëm sa për të luftuar ISIS-in, por jo me armë më të rënda, të cilat më vonë do të rrezikojnë të përdoren në një luftë të brendshme me Bagdadin. Kurdët janë të frustruar. Dhe kështu – thonë ata – janë edhe amerikanët që u dërguan për t’i ndihmuar.
“Në thelb, ata po bëjnë të mirën e tyre” – thotë Barzani për këshilltarët amerikanë. “Por unë mendoj se shumë prej tyre janë po aq të frustruar sa edhe ne” – shton ai. Balancimi i interesave dhe qëllimeve konkurruese, tingëllon si një politikë e shëndoshë. Por ajo që duket e shëndoshë në një prezantim nga kompjuteri në Uashington, nuk u duket e arsyeshme njerëzve, të cilët po luftojnë në vijën e parë të frontit të luftës. Kurdët kanë humbur mbi 1 mijë Peshmerga në luftën kundër ISIS, dhe kanë pranuar një valë të paparë refugjatësh në territorin e tyre. Durimi i njërit prej aleatëve tanë më të ngushtë është duke sosur./NBC/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button