Analiza

ANALIZA / Shtatë gabimet vdekjeprurëse të Shtëpisë së Bardhë, nga Bushi tek Obama

Duke përmbysur regjimet armiqësore dhe duke ruajtur një prani të SHBA përballë kryengritjeve të egra, Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë nocionin – të inkurajuar nga braktisja e Vietnamit Jugor në 1975 dhe nga episodi i Black Hawk Down i vitit 1993 – se nuk ishin të gatshme dhe nuk kishin fuqi për luftëra të gjata e të kushtueshme. Kundërshtarët e Amerikës, në vende të tilla si Damasku, Teherani, Moska, Pekini dhe Pheniani, e morën mesazhin. Për një kohë, pra, arritjet ushtarake të Amerikës në Afganistan dhe Irak kanë ndihmuar avantazhin e saj strategjik gjetkë. Respekti dhe frika filluan të pakësohen në dhjetor të vitit 2009, me njoftimin e Obamës për afatin e tërheqjes nga Afganistani dhe ranë ndjeshëm në fund të vitit 2011 me evakuimin e forcave amerikane nga Iraku. Prestigji amerikan ra edhe më tej me debatin e “vijës së kuqe” siriane, agresionin e pakontrolluar të Rusisë në Ukrainë dhe ngritjen e shtetit islamik. Shtetet e Bashkuara më tej pësuan një rënie në pozitën e vet strategjike në çështje të tilla si programi bërthamor i Iranit, Banka e Zhvillimit e Kinës dhe lufta civile siriane

Nga Mark Moyar

Mposhtja strategjike shpesh rezulton nga një akumulim i dështimeve taktike. Sprapsjet e përsëritura në betejë mund të shkatërrojnë aftësitë e një kundërshtari, siç ndodhi me Francën Napoleonike ose vullnetin e tij, siç ndodhi me Britaninë në Luftën Amerikane për Pavarësi. Në raste të tilla, organizatat ushtarake mund të meritojnë të paktën një pjesë të fajit për humbjen strategjike, sepse në shumicën e vendeve udhëheqja ushtarake mban përgjegjësinë kryesore për stërvitjen, pajisjen dhe komandimin e forcave të armatosura, funksione që janë themelore për efektivitetin taktik. Strategjia ushtarake, në të kundërt, shpesh përcaktohet nga udhëheqësit civilë, dhe në rastin e Shteteve të Bashkuara, është prerogativë statutore e komandantit të përgjithshëm, i cili është civil.

Kur një vend gëzon sukses ushtarak taktik me aq vazhdimësi sa Shtetet e Bashkuara, përgjegjësia për suksesin strategjik duhet të mbetet kryesisht tek ata që bëjnë strategjinë. Ushtria amerikane mund të konsiderohet fajtore për sprapsjet e fundit strategjike, po qe se do të kish patur shumë ndikim në hartimin e strategjisë. Por ndikimi i saj nën administratën e Bushit ishte shumë më i kufizuar, dhe nën administrimin e Obamës këshillat e saj strategjike janë injoruar në masë të madhe.

Një rishikim i ndërhyrjeve ushtarake të Amerikës që nga viti 2001 tregon se shtatë gabime të mëdha, janë “përgjegjës” për paaftësinë e Amerikës, për t’i kthyer sukseset taktike në fitore strategjike. Këto gabime janë përshkruar më poshtë. Në çdo rast, gabimi ka qenë rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve presidenciale, mbi politikat ose strategjinë. Disa nga këto vendime u morën në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këshillat ushtarake. Ushtria mund të fajësohet për disa gabime të rëndësishme taktike, siç janë mungesa e informacionit për kryengritjet në vitet e hershme të luftës në Irak dhe mbështetja e tepërt në doktrinën e kundërvënies ndaj rebelëve duke u mbështetur shumë tek popullsia, në vitet e luftës në Afganistan. Por ushtria në fund i korrigjoi problemet e saj të mëdha taktike, dhe asnjë nga këto probleme nuk penguan suksesin strategjik.

Paaftësia, në formën e gjykimit të keq dhe të çorganizimit, kontribuoi shumë në gabimet e administratave të Bushit dhe të Obamës. Mbështetja në teoritë e gabuara, të cilat mund t’i atribuohen zellit ideologjik dhe paaftësisë, gjithashtu i dëmtuan të dyja administratat. Teoritë mbi demokratizimin i bënë Bushin dhe Obamën tepër optimistë, për perspektivat e ndërhyrjes në vende të caktuara. Aderimi i Presidentit Obama në ideologjinë McGovernite nxiti një kundërshtim të panevojshëm ndaj përdorimit të fuqisë ushtarake amerikane. Përveç kësaj, preokupimi me politikën e brendshme dhe popullaritetin personal, ndikoi në shumë nga vendimet strategjike të këqia që mori Obama.

1. Besimi i tepruar tek demokratizimi

Presidenti George Bush i riu dhe këshilltarët e tij kryesorë besonin se qeveritë armiqësore të Afganistanit dhe Irakut mund të zëvendësoheshin me regjime demokratike, të afta për të ruajtur rendin e brendshëm dhe për të shtypur vetë ekstremistët. Për këtë arsye, ata nuk caktuan numrin e mjaftueshëm të trupave amerikane për t’iu kundërvënë kryengritësve pas ndryshimit të regjimit dhe nuk kishin në plan të mbanin trupa amerikane, për më shumë se një periudhë të shkurtër, përtej formimit të qeverive të reja. Ky qëndrim reflektonte edhe mungesën e të kuptuarit të fraksioneve në ato vende, si dhe një nënvlerësim të vështirësive të zbatimit të demokracisë liberale, në shoqëritë me tradita autoritare. Sukseset strategjike afatshkurtra të ndryshimit të regjimeve, që sukseset taktike të Amerikës bënë të mundur në Afganistan dhe Irak, u zhdukën, pasi qeveritë e reja demokratike nuk arritën të ndërmarrin veprimet ushtarake dhe politike, të nevojshme për stabilizimin.

Obama koordinoi përmbysjen e Moammar Gadhafit të Libisë, bazuar në të njëjtin besim të gabuar tek demokratizimi. Ndryshe nga Bushi, ai ndoqi ndryshimin e regjimit, pa dërguar forcat tokësore amerikane, duke argumentuar se ato do të ishin një pengesë për stabilitetin dhe zhvillimin politik të Libisë. Eksperimenti demokratik i Libisë dha rezultate edhe më të dobëta, pasi forcat antidemokratike e shkatërruan qeverinë demokratike në më pak se tre vjet, duke e zhytur vendin në kaos dhe dhunë.

2. Përzgjedhja e keqe e aleatëve vendas

Bushi dhe Obama gabuan në mënyrë të përsëritur në zgjedhjet e aleatëve brenda shoqërive të kontestuara, në përfshirjen e shumë prej njerëzve që udhëhoqën demokracitë e sapo-instaluara të përmendura më lart. Sikur Shtetet e Bashkuara të kishin zgjedhur individë të ndryshëm në këto raste, eksperimentet e tyre në demokratizim mund të kishin dalë më mirë. Siç ka treguar historia në vende të tilla si Botsvana, Kili dhe Kosova, cilësia e udhëheqjes shpesh është një faktor kritik, për qëndrueshmërinë e demokracive të reja.

Në Irak, administrata e Bushit përjashtoi Baathistët dhe oficerët ushtarakë nga qeveria e pasluftës, duke hedhur në vend të tyre mërgimtarët, të përjashtuarit dhe politikanët shiitë, të cilët dolën të ishin më pak virtuozë se sa ishte menduar. Qeverisë së re irakiane i mungonin guvernatorët, shefat e policisë dhe oficerët ushtarakë për t’u përballur me kryengritësit, shumë prej të cilëve ishin ish-Baathistë apo oficerë ushtarakë. Për shkak të paefektshmërisë së tyre, ushtrisë amerikane iu desh të ndërhynte.

Vendimet e mëvonshme për lejimin e ish-Baathistëve dhe oficerëve ushtarakë në qeverisje, kontribuan në stabilizimin e vendit në vitet 2007 dhe 2008. Kryeministri Nouri al-Maliki, një shiit shumë sektar, të cilin Obama e mbajti në pushtet pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2010, e zhbëri progresin duke larguar shumë nga këta individë, kur ushtria amerikane u tërhoq nga Iraku. Në këtë mënyrë, ai i dobësoi forcat e sigurisë të qeverisë dhe rigjallëroi antagonizmin sunit ndaj qeverisë qendrore, duke çuar në ngritjen e Shtetit Islamik.

Në Afganistan, administrata e Bushit zgjodhi të fuqizonte Hamid Karzain, bazuar në vlerësimet e ekzagjeruara të aftësive të tij në udhëheqje. Duke dhënë poste të rëndësishme qeveritare për fiset dhe personat e preferuar, Karzai u dha dorë të lirë aktorëve malinj, dhe sjellja e tyre grabitqare i shtyu afganët në krahët e kryengritësve. Në kohën kur u largua nga detyra, ai përqeshej pothuaj universalisht, për paaftësinë dhe korrupsionin.

Në Libi, administrata e Obamës mbështeti rebelët, për të cilët dinte shumë pak dhe që ishin në fund të fundit, tepër të dobët për të vendosur kontrollin qeveritar mbi vendin. Abed Rabbo Mansour Hadi, të cilin Obama e ndihmoi të vijë në pushtet në Jemen, u tregua i paaftë për të frenuar kryengritësit Houthi. Rebelët sirianë të pranuar nga administrata e Obamës kanë qenë krejtësisht të paefektshëm, dhe disa kanë dezertuar duke u bashkuar me grupet ekstremiste.

3. Nxitimi për kundër-rebelimin

Nga fundi i vitit 2003 deri në fund të vitit 2006, administrata e Bushit u përpoq të nxitonte kundër-rebelimin në Irak, duke besuar se përfshirja e zgjatur e Amerikës do të armiqësonte irakianët ksenofobë dhe do të shuante mbështetjen amerikane për luftën. Për të larguar Shtetet e Bashkuara sa më shpejt, Bushi urdhëroi zgjerimin dhe hedhjen e shpejtë në terren të  forcave irakiane. Por forcat irakiane vazhdonin të viheshin përfund nga kryengritësit, një problem që përfundimisht kishte si fajtore udhëheqjen e keqe, e cila në vetvete ishte rezultat i stërvitjes së mangët dhe politizimit në emërimev. Qeveria e SHBA përfundimisht e ndreqi situatën duke lejuar oficerë nga regjimi i mëparshëm në forcat e sigurisë kombëtare të Irakut, si dhe duke detyruar qeverinë e Irakut të emërojë udhëheqës në bazë të meritave.

Afganistani, nga ana tjetër, nuk kishte një organ të krahasueshëm me zyrtarë me përvojë, të cilët qeveria mund t’i thërriste kur të përkeqësohej siguria. I shkatërruar nga disa dekada luftë civile, Afganistani kishte parë të zhdukeshin shumë nga udhëheqësit e talentuar dhe të përkushtuar, dhe shpërbërja e qeverisjes qendrore në vitet 1990 kishte lënë një brez afganësh, pa ushtarë dhe policë profesionistë. Krijimi i një trupe të re zyrtarësh profesionistë në Afganistan do të kërkonte të paktën dhjetë vjet kohë, stërvitje dhe edukim. Që herët, administrata e Bushit ndërmori një përpjekje serioze për të ndërtuar një trupë ushtarake të ushtrisë afgane, por ia besoi ndërtimin e udhëheqjes policore afgane qeverisë gjermane, e cila kishte trajnuar shumë pak oficerë policie. Zhvillimi i udhëheqjes së policisë afgane nuk nisi seriozisht, derisa Shtetet e Bashkuara morën një rol të madh, duke filluar nga viti 2008. Ndërtimi i forcave policore të afta do të vazhdonte deri në vitin 2018, ose më vonë.

Obama vendosi që në fillimet e mandatit të tij që të intensifikonte kundër-rebelimin në Afganistan, me shpresën se përfitimet afatshkurtra do t’i lejonin Shtetet e Bashkuara t’ia “transferonin” luftën afganëve brenda pak vitesh, gjë që ishte politikisht tërheqëse për Obamën, për shkak të kostos së lartë të përfshirjes amerikane, si dhe mungesës së popullaritetit për luftën midis mbështetësve të tij politikë. Për të lejuar zgjerimin e shpejtë të forcave afgane, Shtetet e Bashkuara shtuan financimin dhe numrin e trainuesve amerikanë. Gjithashtu ulën standardet e rekrutimit për ushtrinë dhe policinë afgane dhe shkurtoi trainimet. Për këtë shkak, forcat afgane të zgjeruara tashmë, vuanin nga mungesa e disiplinës dhe paaftësia e njësive të sigurisë, të udhëhequra keq.

Në vitin 2011, Obama i kufizoi përpjekjet kundër-rebelim të Amerikës në Afganistan duke anulluar operacione në shkallë të gjerë në Afganistanin lindor. Mungesa e një fushate të qëndrueshme kundër-rebelimi, i lejoi kryengritësit të rekrutojnë njerëz në të gjithë lindjen. Ata kryengritës tani sigurojnë strehë të sigurt për terroristë të tjerë dhe përbëjnë një kërcënim ekzistencial ndaj qeverisë afgane.

4. Mbështetja e tepruar në sulmet kirurgjikale

Nga viti 2002 deri në vitin 2008, forcat e vogla ushtarake amerikane në Afganistan u mbështetën kryesisht në sulme dhe prita, për të penguar kryengritësit afganë dhe aleatët e tyre të al-Kaidës. Megjithëse amerikanët shkaktuan humbje të mëdha, ata nuk mund t’i pengonin rebelët që të forcoheshin. Zhdukja e dhunës në Irak në vitin 2008 lejoi zhvendosjen e burimeve ushtarake amerikane në Afganistan, duke nxitur rekomandime nga udhëheqja ushtarake – përfshirë mbështetësin kryesor të sulmeve kirurgjike gjeneralin Stanley McChrystal. Në fund të vitit 2009, Obama pranoi operacionet e kundër-rebelimit dhe trupat shtesë që kërkonte.

Anulimi prej Obamës i operacioneve të kundër-rebelimit në Afganistanin lindor në vitin 2011 kërkonte një lëvizje drejt një strategjie të mbështetur në sulmet kirurgjikale. Ndonëse dronet dhe dhe sulmet e tjera shkaktuan humbje të mëdha, ata nuk arritën ta mbanin larg armikun në Afganistanin lindor. Me tërheqjen e trupave amerikane, gjendja e sigurisë u përkeqësua në një shkallë të tillë që në fillim të vitit 2014, CIA kishte mbyllur bazat afgane bashkë me ushtrinë e saj sekrete të kundër-terroristëve afganë, që ishin kritikë për sulmet kirurgjikale.

Në vitin 2008, Presidenti Bush filloi sulme me drone në Pakistan kundër al-Kaedës dhe ekstremistëve të tjerë. Administrata e Obamës rriti shkallën e sulmeve, por deri atëherë Al-Kaeda kishte marrë masa kundërveprueseefektive, duke përfshirë zhvendosjen e udhëheqësve në zonat urbane, ku goditjet e dronëve nuk realizoheshin dot. Sulmet me dronë të Obamës vranë kryesisht luftëtarë të nivelit të ulët nga talebanët pakistanezë, një organizatë ekstremiste që ishte shqetësim më i madh për Pakistanin, sesa Shtetet e Bashkuara. Programi i sulmeve me drone varej shumë nga bashkëpunimi i agjencive të inteligjencës me shërbimet e fshehta të Pakistanit, që shpesh nuk ishin në gjendje ose nuk donin të siguronin informacione për Shtetet e Bashkuara. Najibullah Zazi, ai që do të vinte bombën në metro, dhe Faisal Shahzad, që vendosi një furgon bombë në Times Square, u stërvitën si terroristë në Pakistan, në kulmin e goditjeve me dronë.

Për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë pakistaneze për të autorizuar operacionet tokësore të SHBA në Pakistan, Shtetet e Bashkuara zhvilluan vetëm disa nga sulmet speciale të operacioneve në Pakistan midis viteve 2005 dhe 2011. I fundit i këtyre sulmeve, gjatë të cilit u vra Osama bin Ladeni, provokoi një protestë të tillë, saqë Pakistani dëboi forcat e operacioneve speciale amerikane nga vendi, mbylli bazën kryesore ajrore amerikane dhe pengoi aktivitetet e CIA-s. Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë sulme më pas në Pakistan dhe programi i dronëve është reduktuar në mënyrë drastike. Al-Kaida dhe organizata të tjera ekstremiste po rigjenerohen tani në Lahore, Karaçi dhe në qytete të tjera.

Në Jemen, oficerët ushtarakë amerikanë argumentuan se Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë forcat qeveritare të sigurojnë zonat rurale të vendit, duke mbështetur operacionet e kundërzbulimit, por administrata e Obamës zgjodhi të mbështetet ekskluzivisht në sulmet kirurgjikale, për të luftuar al-Kaedën në Gadishullin Arabik (AQAP). Ndërsa dronët vranë një numër figurash kryesore të AQAP, mungesa e operacioneve të kundër-rebelimit lejoi AQAP dhe rebelët Houthi që të fitonin terren. Kontrolli i popullsisë prej armikut, zvogëloi qasjen amerikane në informacion, gjë që nga ana e saj pengoi vendosjen e objektivave të dronëve dhe çoi në sulme të gabuara, gjatë të cilëve u vranë gra dhe fëmijë. Shfrytëzimi i atyre aksidenteve për të rekrutuar ndjekës të rinj, bëri që AQAP të rritej në madhësi me më shumë se një mijë vetë, gjatë periudhës së sulmeve të dronëve amerikanë. Strategjia e Obamës në Jemen kundër terrorizmit pa operacione kundër-rebelimi, u shemb plotësisht në fillim të vitit 2015, kur kryengritësit morën kryeqytetin, shkatërruan shërbimet e sigurisë të Jemenit dhe dëbuan CIA-n.

Sipas zëdhënësve të Shteteve të Bashkuara, sulmet ajrore me precizion kanë vrarë mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Megjithatë, Shteti Islamik nuk duket më i dobët, se sa kur fushata ajrore filloi më shumë se një vit më parë. Ai ka ndërmarrë kundërmasa efektive, për të mbrojtur personelin kyç dhe ka rekrutuar mijëra pasues të rinj në zonat që mban, përveç joshjes së radikalëve të huaj. Sulmet ajrore nuk arritën ta parandalonin atë nga marrja e një prej “çmimeve” më të mëdha, qytetin irakian Ramadi.

5. Refuzimi për të ndjekur një projekt ushtarak

Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet evropianë përdorën fuqinë ajrore për t’i ndihmuar rebelët të shkatërronin regjimin e Gadafit, më pas shpallën vdekjen e Gadafit si provë që mund të arrinin objektivat e tyre, pa dërguar forca tokësore. Ndërsa mungesa e forcave tokësore amerikane në Libi bëri që SHBA të mos kishin viktima, ajo gjithashtu pengoi arritjen e suksesit të qëndrueshëm strategjik. Në pasojat kaotike të përmbysjes së Gadafit, asnjë forcë nuk ndërhyri për të siguruar objektet kritike libiane, siç kishin bërë forcat amerikane në objektet e Irakut në vitin 2003. Dyert e burgjeve të Gadafit u hapën dhe shumë udhëheqës ekstremistë u arratisën. U grabitën depot e armëve të regjimit, ku u morën armë të rënda dhe raketa tokë-ajër. Kur kryengritësit shkelën autoritetin e qeverisë së re, asnjë trupëe huaj nuk mundi t’i mposhtë ata, siç kishin bërë trupat amerikane në Irak dhe Afganistan.

Në rastin e Sirisë, Obama refuzoi të dërgonte trupa tokësore amerikane për të ndihmuar forcat rebele, pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët e tij ushtarakë, se trupat tokësore amerikane do t’u kërkohej t’u jepnin rebelëve një shans për të arritur fitoren. Obama shpresonte që rebelët e mbështetur nga amerikanët do të mund të siguronin forca të mjaftueshme, për të imponuar një zgjidhje të negociuar të konfliktit. Kur u futet në Siri, megjithatë, rebelët u rrëmbyen, vranë apo edhe dezertuan.

6. Refuzimi për të mbajtur një prani ushtarake

Në Irak, sukseset ushtarake taktike të viteve 2007 dhe 2008 çuan në suksese strategjike disa vjeçare, gjatë të cilave irakianët pushuan së luftuari kundër qeverisë dhe morën pjesë gjithnjë e më shumë në procesin demokratik. Zëvendëspresidenti Joe Biden deklaroi në vitin 2010: “Ju do të shihni një qeveri të qëndrueshme në Irak, e cila po shkon drejt një qeverie përfaqësuese”. Sipas Bidenit, përparimi politik i Irakut “mund të jetë një nga arritjet më të mëdha të kësaj administrate”.

Në fund të vitit 2011, presidenti Obama tërhoqi të gjitha forcat amerikane nga Iraku, duke pohuar se një prani e madhe civile amerikane do të mjaftojë për të ruajtur stabilitetin. Prania civile amerikane, megjithatë, nuk arriti të ndalë impulset sektare të Irakut, siç kishin bërë forcat ushtarake amerikane. Sapo trupat e fundit amerikane u larguan nga vendi, al-Maliki mblodhi në masë politikanët sunitë dhe spastroi oficerët sunitë nga forcat e sigurisë. Ai gjithashtu kufizoi aktivitetet e zbulimit amerikan, duke çuar në një degradim të fortë të operacioneve kundër terrorizmit. Këto zhvillime hapën rrugën për ngritjen e Shtetit Islamik në vitin 2014.

Kur Obama dërgoi forcat amerikane përsëri në Irak në vitin 2014, ai e kufizoi efektivitetin e tyre duke i mbajtur ata të paktë në numër dhe duke i mbyllur në baza ushtarake. Trupat amerikane nuk mund të ushtronin ndikim politik dhe ushtarak, as sa personeli iranian në Irak, apo 100,000 militantë shiitë irakianë, të cilët ishin trajnuar nga iranianët. Si pasojë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të rehabilitojnë forcat e sigurimit kombëtar të Irakut, ose të rifitojnë besimin e sunnitëve.

7. Sinjalizimi i shkurtimit

Një arsye tjetër prapa paaftësisë së administratës së Obamës për të kthyer sukseset taktike në Afganistan në përfitime strategjike, ka qenë perceptimi afgan që Obama kish në plan që të braktiste vendin. Ky perceptim u krijua nga deklaratat e shpeshta të Obamës për largimin e forcave amerikane nga Afganistani, duke filluar me fjalimin e tij në dhjetor 2009. Ai u përforcua prej tërheqjeve të njëpasnjëshme të trupave amerikane, nga viti 2011 e tutje. Afganët oportunistë mbështetën kryengritësit, me besimin se amerikanët do të largoheshin përpara se qeveria afgane të ishte aq e fortë sa për t’i mposhtur vetë kryengritësit. Pakistani, duke e interpretuar largimin e Amerikës nga Afganistani si vijim të dominimit indian të vendit, rriti mbështetjen për rrjetin e talibanëve dhe rrjetin Haqqani.

Ankesat e huaja rreth ndërhyrjes amerikane në Afganistan dhe Irak kanë errësuar faktin se këto ndërhyrje kanë ngjallur respektin dhe frikën për Shtetet e Bashkuara në pjesën më të madhe të botës. Duke përmbysur regjimet armiqësore dhe duke ruajtur një prani të SHBA përballë kryengritjeve të egra, Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë nocionin – të inkurajuar nga braktisja e Vietnamit Jugor në 1975 dhe nga episodi i Black Hawk Down i vitit 1993 – se nuk ishin të gatshme dhe nuk kishin fuqi për luftëra të gjata e të kushtueshme. Kundërshtarët e Amerikës, në vende të tilla si Damasku, Teherani, Moska, Pekini dhe Pheniani, e morën mesazhin. Për një kohë, pra, arritjet ushtarake të Amerikës në Afganistan dhe Irak kanë ndihmuar avantazhin e saj strategjik gjetkë.

Respekti dhe frika filluan të pakësohen në dhjetor të vitit 2009, me njoftimin e Obamës për afatin e tërheqjes nga Afganistani dhe ranë ndjeshëm në fund të vitit 2011 me evakuimin e forcave amerikane nga Iraku. Prestigji amerikan ra edhe më tej me debatin e “vijës së kuqe” siriane, agresionin e pakontrolluar të Rusisë në Ukrainë dhe ngritjen e shtetit islamik. Shtetet e Bashkuara më tej pësuan një rënie në pozitën e vet strategjike në çështje të tilla si programi bërthamor i Iranit, Banka e Zhvillimit e Kinës dhe lufta civile siriane. / Hoover Institution – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button