Analiza

ANALIZE / A është i pashmangshëm konfrontimi me Rusinë?

is confrontationFareed Zakaria

Gjatë 2 muajve të fundit, kemi parë atë që dukej si një version në miniaturë i Luftës së Ftohtë, mes Perëndimit dhe Rusisë. Shumë njerëz kanë pyetur: “Si mbërritëm deri këtu?” A ishte i pashmangshëm ky konfrontim, apo mos Perëndimi u tregua që në fillim i pakujdesshëm me Rusinë?

Në krahun e tyre që thonë se u treguam të pakujdesshëm është Jack Matlock, ish ambasador i SHBA në Bashkimin Sovjetik në fund të viteve ’80, i cili që nga shtëpia e tij në Moskë, pa Mikhail Gorbaçovin tek i jepte fund Luftës së Ftohtë dhe më vonë komunizmit. Ai argumenton, sic e thotë edhe titulli në esenë e botuar në Washington Post, se “SHBA e ka trajtuar Rusinë si një humbëse, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

Në vitet menjëherë pas fundit të Luftës së Ftohtë, shumë burra shteti amerikanë, por edhe plot analistë kanë bërë thirrje për një politikë më bujare kundrejt Rusisë.

Unë isha një prej tyre. Logjika ime ishte shumë e thjeshtë. Ne kemi patur dy eksperimente historikë me vendosjen e paqes, pas luftërave botërore. Pas Luftës së Parë Botërore, fitimtarët ndëshkuan Gjermaninë dhe e lanë jashtë sistemit të ri ndërkombëtar. Rezultoi një katastrofë, pasi Gjermania e plagosur dhe e zemëruar mezi priste të hakmerrej. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA dhe aleatët e vet u treguan shpirtmëdhenj kundrejt Gjermanisë dhe Japonisë, duke i integruar këta shtete në rendin e ri global. Kjo paqe, pra Paqja e 1945-ës ishte brilante në suksesin e vet. Kështu që, unë mendova se ne duhej të bënim më të mirën për të integruar Rusinë në strukturat e kësaj bote të pas Luftës së Ftohtë, t’i ofronim mbeshtetje, dhe ta ndihmonim që të rindërtonte ekonominë dhe shoqërinë e saj.

Shtetet europianë ofruan pak ndihmë, por jo në masën që një vend i madh si Rusia kishte nevojë pas kolapsit total që kishte përjetuar në fillimin e viteve ’90-të. Por nëse Perëndimi nuk bëri aq sa duhej, edhe Rusia ndoqi politika që e bënë integrimin shumë të vështirë.

Në fillimin e viteve ’90, Moska kishte nisur një luftë të egër kundër Ceçenisë, një pjesë e Rusisë e cila kishte kërkuar pavarësinë nga Moska për më shumë se një shekull. Vlerësimet variojnë, por janë të shumtë ata që besojnë se ushtria ruse ka vrarë më shumë se 200 000 persona në luftën e parë dhe të dytë çeçene.

Ndërkohë, në Europë Moska mbronte me forcë presidentin serb, Sllobodan Milosheviç teksa ky masakronte boshnjakët, dhe më vonë kosovarët. Gjermania dhe Japonia nuk u sollën në këtë mënyrë pas Luftës së Dytë Botërore, teksa kërkonin të integroheshin. Dhe brenda vendit të tyre, rusët po forconin një rezistencë të ashpër ndaj ndërhyrjeve nga jashtë, ndërsa politikanët rusë që bënin thirrje për integrim me Perëndimin u shndërruan në figura skajore me shumë pak ndjekës.

Duke parë këtë të kaluar, historiania Anne Applebaum, gjithashtu tek Washington Post, ka argumentuar se Perëndimi praktikisht e keqkuptoi Rusinë. Ajo e pa këtë vend si një tokë pothuajse Perëndimore – mendoni Tolstojin dhe Caikovskin – një vend perëndimor që do të bëhej, sikur ne të kishim ndjekur politikat e duhura. Në fakt, argumenton ajo, rusët mendojnë se identiteti i tyre buron nga të qënurit një vend joperëndimor, madje ndoshta edhe një vend antiperëndimor, në kuptimin që është i dallueshëm dhe i ndryshëm nga Perëndimi.

Ndoshta Perëndimi mund të kish bërë më shumë për të ndihmuar Rusinë. Por unë mendoj që, duke hedhur sytë pas, Rusia e fundit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990 – ajo e Gorbaçovit dhe Jelsinit – mund të ketë qenë një moment i veçantë pajtimi në historinë e saj, një kohë kur Rusia ishte e dobët, lidershipi i saj i iluminuar, dhe popullsia e dërrmuar prej disa dekadash dështime të komunizmit. Gjendja shpirtërore e atij vendi ndryshoj me shpejtësi pas atij momenti, pasi çmimet e naftës u rritën në vitet 1990, ekonomia ruse pati rritje, dhe shteti rus nisi të vetërikonfirmohet.

Në Rusi ka patur gjithmonë një debat të madh, të paktën që nga vitet 1840, mes “Perëndimorëve” dhe “Sllavofilëve”. Perëndimorët donin që Rusia të bëhej Perëndimore, ndërkohë që Sllavofilët mendonin që fati i saj qëndron në qytetërimin e spikatur sllav, që ishte i ndryshëm nga Perëndimi.

Të paktën sot, duket se Sllavofilët kishin të drejtë. (Global Public Square)

Leave a Reply

Back to top button