Analiza

ANALIZE / Europa në një botë shumëpolare

europa shumepolareVolker Perthes*

Një aspekt i krizës së Ukrainës, që si Rusia ashtu edhe Perëndimi kanë nevojë ta kuptojnë, është se pjesa tjetër e botës duket relativisht e pashqetësuar në lidhje me të. Ndonëse Perëndimi, bashkë me Japoninë, mund ta shohin krizën si një sfidë ndaj rendit global, shumica e shteteve të tjerë nuk ndihen të rrezikuar prej aneksimit të Krimesë nga Rusia, apo projektet që Rusia mund të ketë gjetkë në Ukrainë. Shumëkush mendon se kjo krizë ka të bëjë më shumë me paaftësinë e Europës për të zgjidhur mosmarrëveshjet e veta rajonale – ndonëse një rezultat i suksesshëm do të rriste shumë influencën e Europës si një paqebërës në nivel global.

Me shpalosjen e krizës së Ukrainës, politikanët dhe komentatorët në Rusi folën për “fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë”, ndërkohë që zëvendës kryeministri rus, Dimitri Rogozin u duk se mirëpriti madje fillimin e një tjetër Lufte të Ftohtë. Mendime të tillë predikohen mbi idenë që konflikti mes Rusisë dhe Perëndimit do të përcaktojë sërish të gjithë sistemin ndërkombëtar, duke e rikthyer kështu Rusinë në statusin e dikurshëm të superfuqisë.

Kjo nuk do të ndodhë. Sic e demonstrojnë edhe reagimet e fuqive në zhvillim ndaj krizës së Ukrainës, politika botërore nuk përcaktohet më prej asaj që ndodh në Europë, qoftë edhe kur aty ka një konflikt të madh. Sistemi ndërkombëtar është bërë kaq shumëpolar, saqë shtetet joeuropianë tashmë mund të zgjedhin të ndjekin interesat e tyre, në vend që të ndihen të detyruar të bëhen palë me Lindjen apo me Perëndimin.

Shumë pak udhëheqës botërorë e vënë në dyshim faktin që përdorimi i forcës nga Rusia për të kompromentuar integritetin territorial të Ukrainës, ndryshuar kufijtë e saj, dhe aneksuar krimenë, ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtarë. Abstenimi i Kinës në votimet e njëpasnjëshëm të Këshillit të Sigurimit, sinjalizoi qartë pakënaqësinë e liderëve të saj me politikat e Kremlinit. Por pothuajse një e treta e anëtarëve të OKB dërguan një mesazh po kaq të fortë duke abstenuar, apo duke mos marrë pjesë fare në votimin e Ansamblesë së Përgjithshme ku dënoheshin veprimet e Rusisë.

Edhe qeveri miqësore ndaj Perëndimit – përfshirë Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut dhe Izraelin – nuk ishin të përgatitura të merrnin njërën apo tjetrën anë. Gazetari indian Indrani Bagchi i quajti këta abstenime si një formë të re mos-reshtimi.

Edhe cinizmi, si dhe fryma e kohës janë duke luajtur një rol. Raja Mohan, një strateg i njohur indian, vëren se Europa “nuk ka pushuar asnjëherë së dhëni leksione Azisë për virtutet e rajonalizmit”, por tani duket e paaftë të përballojë sfidat e veta rajonale të sigurisë.

Mesazhi nga ky mos-reshtim është i drejtpërdrejtë: Përse duhet të na bëhet vonë për një konflikt territorial në Europë, kur ju europianët nuk veproni vendosmërisht në palestinë, Kashmir, apo në mosmarrëveshjet territoriale në jug dhe lindje të Detit të Kinës? Shumë prej këtyre qeverive po i bëjnë thirrje Perëndimit që të zbusë krizën, dhe sic thoshte një deklaratë e Ministrisë së jashtme kineze, “të vetëpërmbahen dhe të mos përshkallëzojnë tensionet”.

Kjo është këshillë e mirë – dhe jo e ndryshme nga ajo cfarë europianët u thonë atyre në situata të ngjashme. Megjithatë, ndryshe nga rajonet e tjerë të botës, Europa, përfshirë Rusinë mund të jetë krenare për organizatat e saj rajonale të sigurisë, si OSCE. Europa ka nevojë vetëm t’i bëjë të funksionojnë.

OSCE, për shembull, do të forcohej shumë nëse duke përdorur gamën e gjerë të mekanizmave të vet diplomatikë (si diskutimet në tryeza të rrumbullakëta dhe mbështetjen për reformat kushtetuese), do të ia dilte mbanë në shuarjen e krizës së Ukrainës, e si pasojë fuqizimin e sigurisë së Europës. Duke bërë këtë, do të ofronte edhe një shembull të fuqishëm të rajonalizmit të institucionalizuar, që mund të shërbejë si model për zgjidhje konfliktesh edhe për shtetet e tjerë.

Në të kundërt, nëse Europa nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë krizën e Ukrainës me diplomaci, influenca e saj globale, dhe ajo e Rusisë me siguri që do të bien. Rusia i ka kujtuar botës se është e mundur të luahs të fortin me fqinjin, si dhe t’i rrëmbesh territore duke përdorur forcë. Por në një sistem shumëpolar të globalizuar, vetëm kjo nuk mjafton për të mbledhur shtete të tjerë përreth një kauze të tillë. Dhe BE, si një tigër prej letre shumë i sfofistikuar, nuk do të ishte më tërheqëse.

Shtetet anëtarë të BE nuk kanë interes që të lënë kontinentin e tyre të bjerë sërish në nacionalizëm etnik dhe politikën e fuqive. Kështu që, kriza e Ukrainës është sfidë por edhe shans. Nëse Europa dëshiron të mbetet një pol në një botë shumëpolare, ajo duhet të vërtetojë se mundet të ndjekë një politikë të përbashkët të jashtme dhe sigurisë, sidomos në kohëra krizash dhe konfliktesh.

Kjo nënkupton që Europa duhet të dalë nga kriza e Ukrainës me një angazhim më të fortë për mbrojtjen e përbashkët dhe planifikimin e përbashkët për raste emergjencash, si dhe një politikë energjetike të unifikuar që mund të garantojë pavarësinë prej naftës dhe gazit rus. Por Europa duhet të tregojë gjithashtu se mundet, dhe që do t’i mbrojë, parimet e sistemit ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla.

Ruajtja dhe forcimi i kolonave të mbrojtjes së përbashkët të Europës nuk është detyrë e lehtë. Por organizata shumëpalëshe të sigurisë, si OSCE, nuk janë bërë për kohë jo të vështira. Qëllimi i tyre është të mbrojnë vendet anëtarë nga manipulimet dhe agresioni, dhe në një mënyrë që mund të sigurojë mbështetje globale. Në këtë kuptim, detyra kryesore e Europës tani është që të vërë në punë asetet e saj të konsiderueshëm strategjikë. /Project Syndicate/

* Volker Perthes Drejtor i “Stiftung Wissenschaft und Politik”, Instituti gjerman per Ceshtje Nderkombetare te Sigurise, me qender ne Berlin

Pershtatur ne shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button