Analiza

ANALIZE / Kundërgoditja e historisë

Shlomo Ben-Ami

Ish-Ministër i Jashtëm i Izraelit dhe aktualisht zëvendëspresident i Qendrës Ndërkombëtare për Paqen në Toledo. Autor i “Plagët e luftës, plagët e paqes: Tragjedia arabo-izraelite”

History strikes backKur përfundoi Lufta e Ftohtë dhe u shemb Bashkimi Sovjetik, fitimtarët ishin tejet të vetëkënaqur, pasi ishin të bindur që triumfi i tyre kishte qenë i pashmangshëm gjatë të gjithë kohës. Shumëkush në Perëndim supozoi që fitorja e kapitalizmit liberal ndaj totalitarizmit socialist do të sillte domosdoshmërisht fundin e të gjithë luftërave dhe revolucioneve të përgjakshëm. Sot, dy udhëheqës të fuqishëm – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidenti i Kinës, Xi Jinping – po demonstrojnë se sa i sforcuar dhe i panatyrshëm ishte ky këndvështrim.

Pikëpamja dominuese në Perëndim u thjeshtësua në librin e Francis Fukuyamës “Fundi i Historisë” (1992), ku ai hidhteidenë që demokracia liberale perëndimorë ishte pika e fundme e evolucionit socio-kulturor të njerëzimit. Me fjalë të tjera, eskatologjia kristiane ishte transformuar në një postulat historik laik.

Ai transformim nuk ishte i ri. Hegeli dhe Marksi e kishin përqafuar në kohën e tyre. Në vitin 1842, historiani Thomas Arnold deklaronte, me një vetëkënaqësi tipike Viktoriane, se mbretërimi i Mbretëreshës Viktoria kishte “tregues të qartë të plotësisë së kohës”. Të gjithë këta profetë historikë – qoftë kur brohorisnin realizimin e Idesë Absolute, apo diktaturën e proletariatit – rezultuan që gaboheshin shumë.

Jo shumë kohë pas fitores së Luftës së Ftohtë nga Perëndimi, ngjitja e fondamentalizmit islamik dhe rikthimi i tribalizmit kombëtar, edhe në qendrën e Europës “post-historike” sfidoi konceptin e “fundit të historisë”. Luftërat ballkanike të viteve ’90, luftërat e Amerikës në Afganistan dhe Irak, revoltat e përgjakshme arabe, si dhe ekspozimi i të metave etike dhe sistemike të kapitalizmit perëndimor gjatë krizës ekonomike globale, e zbehën edhe më tej këtë ide.

Por kujtesat më të spikatura që historia është ende gjallë (që cke me të) vijnë prej Kinës dhe Rusisë. Në fund të fundit, as sistemi kapitalist njëpartiak i Kinës dhe as ekonomia politike plutokratike e Rusisë nuk janë vecanërisht liberale, dhe asnjëri prej këtyre vendeve nuk janë vecanërisht kundër shpalljes së të drejtave të tyre përmes mjeteve ushtarakë.

Për Kinën, kjo nënkupton “mbrojtjen” e pretendimeve të saj territorialë në Detin në lindje dhe jug të Kinës me një politikë të jashtme gjithnjë e më të vendosur, që mbështetet haptas prej muskujve ushtarakë. Kjo sjellje është duke amplifikuar tensionet e kahershëm rajonalë, ndërkohë që po nxit konkurrencën mes Kinës dhe aleancës SHBA-Japoni – një situatë që të kujton betejën për dominim detar të para Luftës së Parë Botërore, mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.

Nga ana e saj, Rusia është përpjekur pa mëshirë të rifitojë perandorinë e humbur kontinentale, qoftë përmes represionit brutal të Cecenisë, luftën e 2008 në Gjeorgji, apo sulmin aktual në Ukrainë. Në fakt, veprimet e funidt të Rusisë në Krime kanë të përbashkëta shumë tipare shqetësues me pushtimin e Sudetenland (Cekosllovaki) nga Adolf Hitleri në vitin 193. Ishte ky një katalist i rëndësishëm i Luftës së Dytë Botërore.

Eshtë fakt që veprimet e Putinit nuk janë vetëm për Krimenë, apo edhe për Ukrainën. Ashtu si Hitleri nxitej nga dëshira për të përmbysur kushtet poshtërues të Traktatit të Versajës, që i dhanë fund Luftës së Parë, edhe Putini është i fokusuar në zhbërjen e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që e ka quajtur “tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit të njëzetë”.

Kështu, Putini është duke sfiduar një prej arritjeve më të mëdha të politikës së jashtme të Amerikës: fundin e ndarjes së Europës dhe krijimin e shteteve të lirë që mund të tërhiqeshin në sferën perëndimore të influencës. Dhe ndryshe nga Presidenti Obama në Siri dhe në Iran, Putini i respekton vijat e tij të kuqe: ish republikat sovjetike nuk duhet të “rrëmbehen” nga Perëndimi dhe NATO nuk do të lejohet të zgjerohet në lindje.

Vec kësaj, Putini e ka bërë nacionalizmin etnik një element përcaktues të politikës së tij të jashtme, duke përdorur shumicën rusisht-folëse të Krimesë për të justifikuar aventurën e tij atje. Po kështu, ishte nacionalizmi etnik që nxiti sulmin e Hitlerit në kufijtë europianë: Sudetenland ishte kryesisht gjerman si rajon, dhe Anschlussi austriak duhej që të shkrinte në një dy pjesët jetësore të kombit gjerman.

Në studimin e tij kontrovers të vitit 1961, mbi origjinën e Luftës së Dytë Botërore, historiani A.J.P.Taylor përligji vendimin e Hitlerit për të rimarrë dy shtetet e vegjël që u krijuan në Versajë për të kontrolluar fuqinë gjermane – një strategji e fitimtarëve që Taylor e quante “një ftesë e hapur për ekspnsionizmin gjerman”. E njëjta gjë mund të thuhet sot për tërheqjen fatale të Rusisë ndaj ish republikave sovjetike.

Sigurisht, askush nuk e do një luftë të re europiane. Por provokimet e Putinit dhe trashëgimia e dështimeve të Obamës në politikën e jashtme mund ta shtyjnë atë të reduktojë humbjet politike duke ndërmarrë veprime të papritur. Në fund të fundit e gjithë axhenda e politikës së jashtme të Obamës – një marrëveshje bërthamore me Iranin, një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinës, ripajtimi me aleatët në Lindjen e Mesme, si dhe boshti amerikan që zhvendoset drejt Azisë – tashmë varet nga aftësia e tij për të zbutur Putinin.

Roli i Kinës e ndërlikon më tej situatën. Duke heshtur për veprimet e Putinit në Krime, Xi është duke u bashkuar me Putinin për të sfiduar rendin botëror që doli prej fitores së Luftës së Ftohtë nga Amerika. Duke vepruar kështu, Kina ka lejuar që llogaritë prej superfuqie të lënë në hije parimet e saj, sidomos mos-ndërhyrjen në cështjet e brendshme të shteteve të tjerë – një ndryshim që liderët e saj do ta mbronin duke deklaruar që SHBA ka demonstruar vazhdimisht se në fund të fundit, fuqia përcakton parimet.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel – e cila duke qenë se është rritur në Gjermaninë Lindore duhet ta kish kuptuar më mirë mënyrën e të menduarit të Putinit – e ka përshkruar udhëheqësin rus si të shkëputur nga realiteti, i udhëhequr prej politikës së shekullit 19. Por në fakt ka qenë Europa që ka jetuar në një fantazi: një botë “post-historike” ku fuqia ushtarake nuk ka rëndësi, subvencionet mund të zbusin forcat nacionaliste, dhe udhëheqësit janë xhentëllmenë që u binden vetëm ligjeve.

Europianët besuan vërtetë se Loja e Madhe mes Rusisë dhe Perëndimit mbaroi në vitin 1991. Mesazhi i Putinit është që cerekshekulli i fundit ka qenë thjeshtë një intermexo. (Project Syndicate)

Linku origjinal: http://www.project-syndicate.org/commentary/shlomo-ben-ami-revisits-the-ëest-s-misplaced-post-cold-war-triumphalism#eT6GgHjCdQiëgqOx.99

Leave a Reply

Back to top button