Analiza

ANALIZE / Kush është rreziku më i madh gjeopolitik i kohës sonë

China-Japan tensionsNga Nouriel Roubini

Profesor në Stern Schoolf of Business në New York University dhe Kryetar i “Roubini Global Economics”

Rreziku më i madh gjeopolitik i kohëve tona nuk është një konflikt mes Izraelit dhe Iranit për përhapjen bërthamore. Nuk është as risku i një mungese kronike të rendit në një hark paqëndrueshmërie, që shtrihet nga Maghrebi e deri në Hindu Kush. Nuk është as risku i një Lufte të Ftohtë II mes Rusisë dhe Perëndimit, për Ukrainën.

Sigurisht, të gjithë këta janë rreziqe seriozë. Por asnjëri nuk është aq serioz, sa ruajtja e karakterit paqësor të rritjes së Kinës. Prandaj është veçanërisht shqetësuese të dëgjosh zyrtarë e analistë japonezë dhe kinezë që krahasojnë marrëdhënien dypalëshe të këtyre dy vendeve, me atë të Britanisë dhe Gjermanisë në prag të Luftës së Parë Botërore.

Mosmarrëveshjet mes Kinës dhe disa prej fqinjëve të saj për ishuj dhe të drejta detare (duke nisur nga konflikti me Japoninë) janë vetëm maja e ajsbergut. Teksa Kina bëhet një fuqi ekonomike gjithnjë e më e madhe, ajo do të jetë gjithmonë e më e varur prej rrugëve të transportit për importet e energjisë dhe mallrave. Kjo do të thotë zhvillim i një marine, e cila do të garantonte që një bllokadë detare nuk do e fuste Kinën në ngërç.

Por ai që Kina e sheh si një imperativ për mbrojtjen, mund të shihet si agresion dhe ekspansionizëm nga fqinjët e saj dhe SHBA. Dhe ai që duket si një imperativ për mbrojtjen për SHBA dhe aleatët e saj në Azi – ndërtimi i kapaciteteve të mëdhenj ushtarakë në rajon për të menaxhuar rritjen e Kinës – mund të perceptohet nga Kina si një përpjekje agresive për ta frenuar atë vetë.

Historikisht, sa herë që një fuqi e re e madhe është zhvilluar dhe ka gjetur përballë një fuqi ekzistuese, ka patur konflikt ushtarak. Paaftësia për të frenuar rritjen e Gjermanisë shkaktoi dy luftëra botërore në shekullin XX. Konfrontimi i Japonisë me një tjetër fuqi të Paqësorit – SHBA – e solli Luftën e Dytë Botërore në Azi.

Sigurisht, historia nuk ka ligje të hekurt. Kina dhe interlokutorët e saj nuk janë të destinuar të përsërisin të kaluarën. Tregtia, investimet dhe diplomacia mund të ulin tensionet. Por a do munden?

Fuqitë e mëdha të Europës më në fund u lodhën së masakruari njëra-tjetrën. Të gjendur përballë një rreziku të përbashkët nga blloku sovjetik dhe të nxitura nga SHBA, shtetet e Europës krijuan institucione për të nxitur paqen dhe bashkëpunimin, gjë që sollli unionin ekonomik dhe monetar, tani një union bankar, dhe ndoshta në të ardhmen një union fiskal dhe politik.

Por, në Azi nuk ekzistojnë institucione të tillë, dhe aty problemet e kahershëm historikë mes Kinës, Japonisë, Koresë, Indisë dhe shteteve të tjerë mbeten plagë të hapura. Edhe dy prej aleatëve më të rëndësishëm të Amerikës – Japonia dhe Korea e Jugut – gjenden në një mosmarrëveshje të fortë në lidhje me gratë koreane që u detyruan të punojnë në bordellot ushtarake japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se zyrtarisht, Japonia ka kërkuar falje 20 vjet më parë.

Përse këta tensione mes fuqive të mëdha të Azisë po bëhen kaq seriozë, dhe përse tani?

Së pari, fuqitë aziatike kanë zgjedhur kohët e fundit, ose janë të prirura të zgjedhin, udhëheqës më nacionalistë se sa paraardhësit e tyre. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti koreano-jugor Park Geun-hye dhe Narendra Modi, që me shumë gjasa do jetë kryeministri i ardhshëm i Indisë, hyjnë të gjithë në këtë kategori.

Së dyti, të gjithë këta udhëheqës ndodhen tashmë përballë sfidave shumë të mëdha, që nga nevoja për reforma strukturore, deri tek ruajtja e normave të qëndrueshme dhe të kënaqshme të rritjes ekonomike, përballë forcave ekonomike globale që po prishin modelet e vjetër. Lloje të ndryshëm reformash strukturore janë njësoj të rëndësishëm në Kinë, Japoni, Indi, Kore dhe Indonezi. Nëse udhëheqësit në një apo më shumë prej këtyre vendeve do të dështonin në frontin ekonomik, atëherë politikisht do të ndiheshin të detyruar që t’ua vinin fajin “armiqve” të jashtëm.

Së treti, shumë aleatë të SHBA në Azi (dhe gjetkë) po pyesin nëse përqëndrimi i Amerikës në Azi është një strategji që duhet besuar. Duke parë përgjigjen e zbehtë të SHBA ndaj krizës në Siri, Ukrainë dhe pika të tjera të nxehta gjeopolitike të globit, mbuloja e sigurisë që Amerikë ka hedhur në Azi ngjan gjithnjë e më e rreckosur. Kina është duke testuar besueshmërinë e garancive që jep SHBA, gjë që rrit mundësinë që miqtë dhe aleatët e Amerikes në rajon – e para ndër to Japonia – të marrin në duart e tyre plotësimin e nevojave të sigurisë.

Së fundi, ndryshe nga Europa, ku Gjermania e pranoi fajin për tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe ndihmoi në udheheqjen e një përpjekjeje disa dekadëshe për të ndërtuar Bashkimin Europian që kemi sot, mes vendeve aziatikë nuk ekzistojnë marrëveshje të tilla historike. Si rezultat, ndjenjat shoviniste janë ngulitur nëpër breza, ndërkohë që institucionet që duhet të nxisin bashkëpunimin ekonomik dhe politik mbeten në foshnjërinë e tyre.

Ky është një kombinim i rrezikshëm faktorësh që rrezikon të sjellë një konflikt ushtarak në një rajon shumë të rëndësishëm për ekonominë globale. Si mundet Amerika që të jetë e besueshme me strategjinë e saj për Azinë, pa nxitur perceptimin kinez se po ben përpjekje për ta frenuar, apo perceptimin e aleatëve se po zbutet ndaj Kinës? Si mundet Kina të ndërtojë një ushtri mbrojtëse legjitime që i nevojitet një fuqie të madhe, pa i shqetësuar fqinjët e saj dhe SHBA, se ka si objektiv të pushtojë territoret e diskutuar dhe aspiron për hegjemoni strategjike në Azi? Dhe si munden fuqitë e tjera të Azisë, të besojnë që SHBA do të mbështesë shqetësimet e tyre legjitimë për sigurinë, dhe nuk do i braktisë, për t’i lënë të “Finlandizuar” nën dominimin kinez?

Do të duhet një urtësi shumë e madhe nga ana e udhëheqësve të rajonit, dhe SHBA, për të gjetur zgjidhje diplomatike për tensionet e shumtë gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë në Azi. Në mungesë të institucioneve rajonalë, shumë pak gjëra mbeten, për të garantuar që dëshira për paqe dhe prosperitet do të fitojë mbi kushtet dhe stimujt që çojnë drejt konfliktit dhe luftës.

Leave a Reply

Back to top button