Analiza

ANALIZE / Në mbrojtje të Perandorisë

ROBERT D. KAPLAN

in defenseMund të garantojë stabilitet dhe mbrojë minoritetet më mirë se cdo lloj rendi tjetër. Përse nevojitet një imperializëm i matur amerikan

Në qershor të vitit 1941, gjatë Festivalit të Shavuot-it, një turmë ushtarësh dhe fisesh arabë shkaktuan një masakër në lagjen çifute të Bagdadit, duke vrarë më shumë se 180 burra, gra dhë fëmijë. Masakra, që vendasit e mbajnë mend si “Farhud” (grabitja) u dokumentua nga çifuti nga Bagdadi dhe specialisti i Lindjes së Mesme, Elie Kedourie në librin e tij të vitit 1970 “Versioni i Shtëpisë Katam dhe studime të tjerë për Lindjen e Mesme”. Kedourie fajësoi autoritetet britanikë se nuk arritën të mbrojnë çifutët, pavarësisht se kishin marrë përsipër përgjegjësinë për Mesopotaminë nga Perandoria Otomane mby dy dekada më herët. Ai shpjegonte se çifutët mund “të pranonin me gëzim të drejtën e pushtimit”, qoftë kur ushtrohej nga otomanët, qoftë nga britanikët, sepse “historia u kish mësuar që me këta ishin të sigurtë”. Por dështimi i britanikëve për të siguruar rendin imperial ishte nga ajo lloj shkeljeje që minoritetet etnikë dhe fetarë nuk mund ta duronin aspak: tradicionalisht, vetë imperializmi, më tipiku ai i Habsburgëve dhe i Otomanëve, kishte mbrojtur pakicat nga tirania e shumicës. Kedourie nuk “shfrynte” ndaj imperializmit në vetvete, por kundër një imperializmi të dobët dhe të padobishëm.

E vërteta është që britanikët i kishin “duart plot” në Mesopotami në vitin 1941: duke parë prirjen e masave arabe drejt ideologjive antiperëndimore dhe antisioniste (një prirje që, të paktën pjesërisht, ishte në vetvete një reagim ndaj dominimit britanik), autoritetet kolonialë donin që të mbanin influencën naziste larg nga Lindja e Mesme. Si rezultat, ambasadori britanik zgjodhi një dorë “pak më të lehtë” në një moment kur në fakt duhej të kish përdorur “një dorë më të rëndë”. Sido që të jetë, ajo që nuk ka diskutim, sic thoshte me të drejtë Kedourie, është përgjegjësia që historikisht ka ardhur bashkë me pushtimin.

Përgjatë gjithë historisë, qeverisja dhe siguria relative në pjesën më të madhe janë ofruar prej perandorive, perëndimore apo lindore. Në periudhat e ndërmjetme ka mbretëruar anarshia. Britanikët mund të kenë dështuar në Bagdad, Palestinë dhe gjetkë, por historia e Perandorisë Britanike është një histori garancie për stabilitet, ushqyer prej komunikimit në det dhe në tokë, atje ku më parë kish patur më pak stabilitet. Në fakt, sic ka argumentuar edhe historiani i Harvardit, Niall Ferguson, Perandoria Britanike mundësoi një formë globalizimi të fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20, e cila u ndërpre tragjikisht prej depresionit mbarëbotëror, dy luftërave botërore, dhe një lufte të ftohtë. Pas kësaj, hodhi rrënjë një formë e re globalizimi, e cila u mundësua prej pranisë detare dhe ajrore amerikane në shumë pjesë të Tokës, një prani që padyshim kishte dimensione imperialë. Globalizimi varet nga rrugët e sigurta detare të komunikimit për tregtinë dhe energjinë: pa marinën e SHBA, nuk do të kishte globalizim, nuk do të kishte Davos, pikë.

Por imperializmi po shihet sot prej elitave si dicka krejtësisht e keqe, pavarësisht se perandoritë kanë ofruar formën më të mirë të rendit për mijra vite, duke mbajtur në një minimum të arsyeshëm anarshinë e grupeve luftarakë etnikë, fisnorë dhe sektarë. Krahasuar me imperializmin, demokracia është një fenomen i ri dhe i pasigurtë. Edhe dy demokracitë më të vlerësueshme në historinë moderne, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë qenë perandori për periudha të gjata kohe. “Si ëndërr dhe si fakt, Perandoria Amerikane ka lindur përpara Shteteve të Bashkuara”, shkruan historiani i mesit të shekullit të 20, Bernard DeVoto, puna e të cilit është fokusuar kryesisht në ekspansionin drejt perëndimit. Pas krijimit, dhe përpara se të inkorporoheshin si shtete, territoret perëndimorë nuk ishin asgjë më shumë se sa thjeshtë zotërime imperialë të Washington D.C. Nuk është çudi: imperializmi konfirmon një formë të lirë dhe të pranuar të sovranitetit, diçka e ndërmjetme, mes anarshisë dhe kontrollit të plotë shtetëror.

Perandoritë e lashta, si Roma, Persia Akamenide, India Mauriane dhe Kina e Han-ëve mund të kenë qenë mizore përtej çdo lloj mase, por ato ishin gjithësesi më pak mizore dhe ofronin më shumë parashikueshmëri dhe siguri për njerëzit e zakonshëm brenda kufijve, në krahasim me çdo lloj forme tjetër sundimi jashtë tyre. Kush thotë se imperializmi është domosdoshmërisht reaksionar? Athina, Roma, Venecia dhe Britania e Madhe kanë qenë regjimet më të iluminuar të kohës së tyre. E vërtetë, imperializmi është nxitur shpesh herë prej rendjes drejt pasurive, por kjo lloj rendjeje shpesh herë ka rezultuar në një kozmopolitanizëm të fituar me vështirësi. Perandoritë e hershme moderne të Habsburgëve në Austri dhe Otomanëve në Turqi ishin të njohura për tolerancën e tyre relative, si dhe mbrojtjen e minoriteteve, përfshirë hebrenjtë. Pikërisht sepse imperialistët Habsburgë sundonin një përzierje grupesh etnikë dhe fetarë, që shtriheshin nga rrëza e alpeve zviceranë, deri në qendër të Rumanisë, si dhe nga Karpatet e Polonisë deri në Detin Adriatik, ata hoqën dorë nga nacionalizmi etnik dhe u përpoqën për një universalizëm pothuajse porstmodern. Pas Habsburgëve erdhën shtete mono-etnikë dhe (pothuajse) demokraci që persekutonin pakicat dhe ndihmuan në “shtrimin” e rrugës për nazizmin.

Të gjithë këto perandori ofruan më shumë paqe dhe stabilitet, se sa kanë ofruar, apo do të ofrojnë ndonjëherë Kombet e Bashkuara. Ndërhyrjet humanitare në Bosnje dhe Kosovë, dhe mungesa e ndërhyrjeve të tilla në Ruandë dhe në Siri, janë dëshmi të imperializmit amerikan, e para në veprim, e dyta dhe në gjendje pezulli.

Ky interpretim i Perandorisë nuk është aspak i ri. Në fakt, ai përmblidhet fare mirë në poemën e vitit 1899 të Rudyard Kipling “Barra e Njeriut të Bardhë”, e cila nuk është, sic supozohet shpesh, një deklaratë agresioni racist, por shprehje e nevojës që Amerika të marrë përsipër kauzën e humanitarianizmit dhe qeverisjes së mirë në Filipine, në kapërcyell të shekullit 20. Që nga oferta e Romës për të ofruar “nënshtetësi” për popujt e nënshtruar, tek oferta e Francës për një masë barazie për afrikanët frankofonë, tek ndërmjetësimi i marrëveshjeve mes fiseve jemenas nga ana e Brianisë, deri tek seria epike e shërbimeve në bujqësi dhe arsim që europianët u kanë ofruar dominimeve të tyre tropikalë, imperializmi dhe iluminizmi (ndonëse i nxitur prej interesit vetiak) kanë qenë shpesh herë të pandarë.

Sado që mund të tingëllojë se po i marr në mbrojtje, imperialistët europianë mund të kenë qenë njerëz praktikë, duke zotëruar gjuhët e vendasve kur i kolonizonin dhe rritur ekspertizën e tyre. Nazistët dhe komunistët, ndryshe nga këta, ishim imperialistë vetëm pikësëdyti: ata ishin pikësëpari utopistë radikalë që kërkonin nënshtrim racor dhe ideologjik. Kështu që, kritika se imperializmi është dicka e keqe dhe asgjë më shumë, është një kritikë “dembele” dhe johistorike, e cila varet sic ndodh shpesh nga shembujt më të këqinj, si përshembull ata të belgëve në Kongon e shekullit 19 dhe rusëve përgjatë gjithë historisë moderne në Eurazi.

Megjithëkëtë, kritika se imperializmi përbën një politikë të jashtme të keqe për Amerikën ka justifikim serioz: problemi i vërtetë me imperializmin nuk është se ai është i keq, por se është shumë i kushtueshëm, dhe si pasojë një strategji e madhe problematike për një vend si SHBA. Shumë perandori janë shembur për shkak të barrës së pushtimeve. Eshtë një gjë të pranosh atributet pozitivë të Romës apo Habsburgëve. Eshtë krejt tjetër gjë të justifikosh cdo ndërhyrje ushtarake që merret në shqyrtim prej elitave në Uashington.

Si pasojë, debati që duhet të bëjnë amerikanët është ky: A është e përballueshme një politikë e jashtme imperiale? Përdor termin imperiale sepse, ndonëse SHBA nuk kanë koloni, përgjegjësitë globale, sidomos në sferën ushtarake, e ngarkojnë me shpenzime dhe frustrime si ato të perandorive të dikurshme. Kujdes: ata që thonë që një politikë e tillë e jashtme është e papërballueshme nuk janë domosdoshmërisht izolacionistë. Mjerisht, izolacionizmi po përdoret gjithnjë e më shumë si njollë kundër atyre që thjeshtë mund të rekomandojnë përmbajtje në rrethana të caktuara.

Pasi pranohet që nevojitet një lloj maturie, debati bëhet vërtetë interesant. Ta them edhe një herë, kritika ndaj imperializmit si i kushtueshëm dhe i papërballueshëm nuk mund të hidhet poshtë kollaj. Sa për kritikën që imperializmi është thjeshtë gjë e keqe: ndërkojë që kjo linjë mendimi nuk është serioze, ajo ka një logjikë të rëndësishme sa i përket eksperiencës amerikane. Kjo logjikë është: Amerika është një vend unik në histori. Amerika mund të ketë devijuar drejt perandorisë gjatë luftës amerikano-spanjolle të vitit 1898 dhe luftës në Filipine. Dhe mund të jetë bërë një lloj Leviatani imperial pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, në origjinë, SHBA nuk ishte projektuar asnjëherë që të bëheshin perandori, por ai qyteti proverbial mbi kodër, që i ofronte një shembull pjesës tjetër të botës, në vend që të dërgonte ushtrinë, në kërkim të dragonjve për t’i vrarë.

Ndodh që ky të jetë pak a shumë pozicioni i administratës Obama. Presidenca e parë post-imperiale amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore shfaq asgjë më shumë se sa lodhje nga cështjet botërore. Obama dëshiron që fuqitë rajonale (si Japonia në Azi, Arabia Saudite dhe Izraeli në Lindjen e Mesme) të varen më pak nga Amerika, për të ruajtur ekuilibrat rajonalë të fuqive. Dhe ai dëshiron të mbajë larg armiqtë e Amerikës, përmes përdorimit të avionëve pa pilot që nuk kushtojnë, në vend të dërgimit të forcave tokësore.

Diplomacia energjike e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, kundrejt Iranit dhe konfliktit Izraelito-Palestinez mund të duket si një përpjekje e guximshme për të vënë rregull në Lindjen e Mesme, duke lehtësuar si pasojë të ashtuquajturin bosht amerikan drejt Azisë. Megjithatë, Kerry duket se në ndërkohë e neglizhon Azinë, dhe askush nuk beson që Irani, Izraeli apo Palestina do të vuanin pasoja negative nga SHBA, nëse negociatat do të dështonin. Pasi të hiqen, sanskionet më të rëndë ndaj Iranit nuk do të vendosen më. Izraeli mund të varet gjithmonë prej legjioneve të mbështetësve në Kongres, dhe palestinezët nuk kanë asgjë për t’u frikësuar prej Obamës. Nuk duket gjëkundi ajo frika e ndëshkimit imperial, që shoqëroi diplomacinë e Henry Kissingerit në vitet ’70 në Lindjen e Mesme. Kerry, ndryshe nga Kissingeri, nuk ka artikuluar asnjë strategji të madhe, madje as edhe ndonjë koncept strategjik bazë.

Unë do të thoja që në vend të post-imperializmit të Obamës, ku Sekretari i Shtetit shfaqet si një operator i vetmuar dhe kokëfortë, që pengohet prej një Shtëpie të Bardhë apatike, nevojitet një imperializëm i matur.

Asnjë fuqi tjetër, apo konstelacion fuqish, nuk është në gjendje të ofrojë as edhe një copëz të rendit global që ofrojnë SHBA. Dominimi i Amerikës në dete dhe ajër ruan paqen, ashtu si është, në Azi dhe Lindjen e Mesme. Forca ushtarake amerikane është ajo që mbron demokraci të shumëllojshme, si Polonia, Izraeli dhe Taivani. Nëse Amerika do të shkurtonte forcat e saj ajrore dhe detare, ndërkohë që nuk do të furnizonte forcat tokësore me mjetet dhe stërvitjen e nevojshme, bota do të ishte një vend shumë më anarshist, me pasoja për vetë Amerikën.

Roma, Partia, Austria e Habsburgëve ishin perandori të mëdha pikërisht sepse u dhanë pjesëve të mëdha të botës një farë rendi imperial, që përndryshe nuk do ta kishin gëzuar. Amerika duhet të bëjë të njëjtën gjë sot, sidomos në Azinë Lindore, zemra gjeografike e ekonomisë botërore dhe vendndodhja e aleatëve të SHBA.

Kjo, pa asnjë dyshim detyron ushtrinë amerikane që të ndërhyjë në vende islamikë kompleksë dhe me popullsi të madhe, e që u mungojnë komponentë të rëndësishëm të shoqërisë civile. Amerika mund të vijë vërdallë botës me anije dhe avionë, por duhet të ketë shumë kujdes se ku angazhohet në terren. Dhe duhet të nisë veprime ushtarakë vetëm kur rrezikohet interesi kombëtar. Përndryshe, duhet ta kufizojë angazhimin e saj në nxitje ekonomike dhe diplomaci të fortë – një diplomaci që ushtron cdo lloj presioni të mundshëm, me qëllim që të parandalojë masakra të përhapura në disa pjesë të botës, si Afrika, që nuk janë strategjike, në kuptimin strategjik të fjalës.

Kjo, do të thoja, do të ishte një politikë që do të përvetësonte pengesat dhe dobitë e imperializmit, jo ashtu sic është menduar tradicionalisht, por ashtu sic është praktikuar në fakt përgjatë gjithë historisë. (The Atlantic)

Leave a Reply

Back to top button