Analiza

ANALIZE / Rizgjedhja e Europës

Javier Solana

Ish Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE. Ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish Ministër i Jashtëm i Spanjës

rizgjedhja e EuropesPeriudha e pragzgjedhjeve për Parlamentin Europian është karakterizuar nga një tension në rritje mes pro dhe anti europianëve. Sondazhet tregojnë se dy forcat kryesore politike, konservatorët dhe socialdemokratët, janë pranë e pranë (dhe shumë përpara pjesës tjetër). Megjithatë, rritja e populizmit është shumë shqetësuese për këdo që beson në unitetin europian – jo vetëm konservatorët dhe socialdemokratët, por edhe liberalët dhe të gjelbërit.

Parti të tilla si Fronti Nacional në Francë apo Partia për Pavarësi në Mbretërinë e Bashkuar mund të dalin të parët në vendet respektivë, dhe nuk janë të vetme. Në Finlandë, Austri, Holandë, Hungari, Greqi dhe gjetkë, partitë antieuropiane dhe euroskeptikët më tradicionalë po përfitojnë prej zhgënjimit në rritje me institucionet e Europës, me masat që po merren për të luftuar krizën ekonomike që vazhdon, si dhe me rritjen e hendekut mes jugut dhe veriut të Bashkimit Europian. Pavarësisht një serie hapash të rëndësishëm, qytetarët nëpër BE ndiejnë shumë pak përmirësim atje ku ka më shumë rëndësi: në jetët e tyre të përditshme.

Por beteja mes pro dhe anti europianëve është duke maskuar atë që ka vërtetë rëndësi në këto zgjedhje: si mund të gjenerojë Europa një rritje ekonomike të qëndrueshme. Kjo pyetje, dhe jo mbrojtja pa fund nga euroskepticizmi, duhet të jetë tema kryesore për partitë që kërkojnë një Europë të përmirësuar për të gjithë. Rimëkëmbja në bazë të gjerë – në investime, kërkesë dhe punësim – është arma më e mirë për t’iu kundërvënë atyre që dëshirojnë të shkatërrojnë projektin europian.

Zgjedhjet e majit do të na tregojnë gjykimin e publikut për suksesin apo dështimin e politikave të kursimit që janë ndërmarrë. Por do të përcaktojnë gjithashtu nëse Europa do të jetë në gjendje të mbetet fuqia ekonomike kryesore në botë, të ruajë modelin e saj social, si dhe të mbrojë kuadrin e saj të të drejtave dhe lirive, në një botë që nuk do të presë europianët, deri sa këta të zgjidhin dallimet mes tyre.

Jo shumë kohë më parë, teksa jepja mësim në një klasë ku studentët europianë ishin një pakicë e vogël, kryeva një eksperiment të shkurtër, një variant i “vellos së injorancës” së famshme të John Raulsit. I pyeta studentët se ku do të preferonin të lindnin sot, nëse do të mundeshin të zgjidhnin. Përgjigja ishte pothuajse unanime: shumica zgjodhën një vend europian.

Por, ndonëse fuqia magnetike e Europës është ende e madhe, shtetet anëtarë të BE-së janë shumë të vegjël për të konkurruar në një shkallë globale me Kinën, SHBA apo Indinë. Për të bërë këtë, atyre u nevojitet një Europë më e integruar.

Në të vërtetë, siç e tregon edhe kriza e Ukrainës, vendet europianë nuk mund të jetojnë në izolim. Integrimi është sot më urgjent se kurrë, sidomos në sektorë si energjia. Një treg i përbashkët energjetik është esencial jo vetëm për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurtë, por edhe për të arritur rritje ekonomike të qëndrueshme, që është e pajtueshme me angazhimin e BE sa i përket ndryshimeve klimatike. Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve me SHBA është një tjetër imperativ për politikëbërësit – shumë i rëndësishëm për krijimin e vendeve të punës në të dy anët e Atlantikut.

Mbi të gjitha, BE ka nevojë të fitojë më shumë legjitimitet demokratik, nëse dëshiron të përgënjeshtrojë ndjesinë e përgjithshme që nga projekti europian përfitojnë vetëm elitat. Eshtë shqetësuese, që mesazhi simplist i antieuropianëve po bën rimë me një segment të madh të votuesve europianë. Nuk duhet të na habisë: vetëm 31% e europianëve thonë se kanë besim tek BE, nga 52% që ishte kjo shifër në vitin 2007. Ndërkohë, përqindja e atyre që kanë mendim negativ për BE-në pothuajse është dyfishuar, nga 15 në 28% gjatë po të njëjtës periudhë.

Ndonëse besimi tek Bashkimi Europian ka rënë dramatikisht gjatë këtij mandati të parlamentit europian, tendenca nuk është e pakthyeshme. Votuesit janë kritikë për politikat e sotme, por ideali europian do të mbijetojë nëse do të mund të modernizohet dhe do të shërbejë sërish si burim shprese për qytetarët e BE-së.

Kjo mund të jetë një “NESE” e madhe, sidomos kur mendon që rreziku më i madh që paraqesin partitë antieuropiane konsiston jo në numrin e vendeve që fitojnë, por në aftësinë e tyre për të ndikuar në politikën e Brukselit. Nëse forcat kryesore parlamentare do të tundohen që të përqafojnë ide antieuropiane për arsye elektorale, kundërshtarët e tyre mund t’i arrijnë disa prej objektivave që kanë: bllokimin e procesit të integrimit, kufizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, apo miratimin e politikave ksenofobe.

Përballë kësaj, Europa duhet të lëvizë drejt atij që mund ta quajmë “Erazmusizimi”, të ndërtohet pra mbi suksesin e bursave shkollore “Erazmus” të BE-së. Duke lejuar studentët të studiojnë në vendet e BE, programi Erazmus promovon një shkëmbim të jashtëzakonshëm përvojash, idesh, vlerash dhe mënyrash jetese. Dhe duke qenë se është zhvilluar si një forcë e madhe mes të rinjve europianë, ai është gjithashtu shansi më i mirë i Europës për një të ardhme në liri dhe prosperitet.

Nëse BE fiton më shumë legjitimitet demokratik dhe harton zgjidhje jetëgjata dhe të besueshme për problemet e vet ekonomikë – papunësi, varfëri dhe pabarazi – hendeku i mosbesimit mund të fillojë të ngushtohet me shpejtësi. Më pas, do të jetë e mundur të bëhet përparim për çështje të tjera të rëndësishme, që janë shtyrë vazhdimisht që kur shpërtheu kriza, pesë vjet më parë.

Kontrolli i Parlamentit Europian mbi përzgjehdjen e presidentit të Komisionit Europianë shtë një hap gjigand sa i përket legjitimitetit demokratik. Megjithatë, nëse zgjedhjet e ardhshme thellojnë ndarjen mes forcave pro dhe anti europianëve, pakënaqësia popullore me Europën do të vazhdojë të shtrijë metastazat, duke i dhënë fund një epoke të artë në të cilën Europa – një shekull pas Luftës së Parë Botërore – mbetet vendi më i mirë në botë për t’u rritur, punuar dhe jetuar.

Leave a Reply

Back to top button