Analiza

ANALIZE / Rrënojat e perandorive

TimothyTIMOTHY GARTON ASH

Ngjarjet në Ukrainë mund të interpretohen edhe ndryshe: si faza e fundit e vetë-dekolonizimit të Europës. Pas shembjes së Perandorisë sovjetike, europianët cuan deri në fund, atë cfarë kishin nisur me shpërbërjen e perandorive austro-hungareze dhe otomane. Duke përfshirë shtetet pasardhës, si Jugosllavia dhe Cekosllovakia. Tani e ka radhën perandoria ruse para-sovjetike. Mendojeni presidentin rus si Vladimiri, Cari i Fundit.

Shpërbërja e perandorive është goxha problem. Ato nuk janë ndërtuar me lojërat “Lego”, e të jenë të cmontueshme në blloqe kompaktë, një i kuq këtu e një i verdhë atje. Mbi cfarë baze vendoset, se cili grup individësh, mbi cilën pjesë toke do të bëhet shtet? Pa dyshim, afërsitë kulturore, gjuhësore, etnike dhe historike kanë një peshë. Ashtu sic kanë trashëgimitë e marrëveshjeve diplomatike ndërkombëtare, prej kohësh të harruara, si dhe ndarjet e brendshme të një perandorie apo një shteti shumëetnik, që e ka pasuar atë. Shumë të rëndësishme janë vullneti politik dhe lidershipi mbi territorin. Ndoshta më i rëndësishëm nga të gjithë është fati historik, ai “fat” që Makiaveli e quan “arbitrin e gjysmës së veprimeve tona”. Ka qenë një përzierje historie, vullneti, aftësie dhe fati që coi Kosovën drejt pavarësisë, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është njohur universalisht.

Kjo ideja e “cmontimit”të perandorive të vjetra më erdhi në mendje disa vjet më parë, teksa vizitoja parashtetin separatist të Transnistrisë, në skajin lindor të Moldavisë, ngjitur me Ukrainën. Në Tiraspol, kryeqendra e vendit, një qytet i cuditshëm i stilit sovjetik, u ndodha përballë një statuje të madhe të marshallit Aleksander Suvorov, i cili mbahet si themeluesi i qytetit në fundin e shekullit të tetëmbëdhjetë. Më parë, në Uzhhorod, një qytet në kufirin perëndimor të Ukrainës me Sllovakinë, kisha patur rastin të takohesha me qeverinë e përkohshme të vetëshpallur të Rutenisë. Kryeministri ishte një mjek, profesor, që më priti ngrohtësisht në një studio të vogël të spitalit vendas. Ministri i Jashtëm kishte ardhur me makinë që nga shtëpia e tij në Sllovaki. Ministri i Drejtësisë përgatiti cajin. Arrita pothuajse t’i bind që të këndonin himnin kombëtar, i cili fillon kështu: “Rusë të Karpateve jugorë, zgjohuni nga gjumi i thellë!” Eshtë për të qeshur, do thoni ju. Operetë! Por, pastaj, fati e rrotullon kaleidoskopin e historisë, dhe krejt papritur shfaqet një komb i njohur në nivel ndërkombëtar, që quhet, ku ta di unë, Moldavi apo Mal i Zi. Bijtë dhe bijat e tij, duke u dhënë pas fuqisë normative të faktit të kryer dhe të nxitur në bangat e shkollës prej librave nacionalistë të historisë, rriten duke e marrë për të sigurtë idenë e shtetit-komb.

Pastaj, në mënyrë shkatërrimtare, kufijtë e perandorive të dikurshme rishfaqen në hartat elektorale të demokracive të reja, pothuaj sikur të jenë shkruar me një bojë të padukshme. Përdorim ngjyrat për të hartëzuar votën e shumicës së shprehur për partitë dhe kandidatët presidencialë, në ata që në vitet Tetëqind kanë qenë territore të perandorive të mëdha. Për ata që dikur i përkisnin perandorisë austro-hungareze dhe gjermane, ngjyra është portokalli, për ata të perandorisë ruse apo otomane, ngjyra është blu. Në Ukrainë, Rumani dhe Poloni, ngjyrat dhe partitë ndryshojnë, por fenomeni është i njëjtë.

Liberalët janë të zotë kur parashtrojnë parimet universalë në favor të sovranitetit të barabartë dhe vetëvendosjes së individëve të vecantë. Por, hyjnë tërësisht në krizë kur bëhet fjalë për popuj. Përse kosovarët duhet të kenë të drejtën e vetëvendosjes, dhe kurdët jo? Përse, nëse vlen për Skocinë, nuk vlen për Katalonjën? Dhe nëse vlen për Katalonjën, përse jo për Padanian? Me dobësimin e perandorive dhe shteteve shumëkombësh, forcohet thirrja “përse ne duhet të jemi minorancë në shtetin tuaj, kur ju mund të jeni një minorancë në shtetin tonë?” Apo, sic ka thënë kohët e fundit me qëllime provokues nacionalisti rus, Vladimir Zhirikovski, nëse Ukraina mundet që ta bëjë revolucionin e saj, përse Krimea jo?

Sic e kanë mësuar tashmë lexuesit prej gazetave, Krimea iu dhurua Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës me urdhër të Nikita Hrushovit 60 vjet më parë, në shkurt 1954, me rastin e 300-vjetorit të Traktatit të Perejaslavit, që propagandistët sovjetikë e ri-interpretojnë si shenjë të “ribashkimit të Ukrainës me Rusinë”. Nikolai Podgorni, komunist i Ukrainës sovjetike, e quajti vendimin e Hrushovit si “pohim i mëtejshëm i dashurisë së madhe vëllazërore dhe besimit, që populli rus ushqen ndaj atij ukrainas”. Pa shih, pa shih. Edhe nëse Hrushovi nuk ka qenë i dehur kur ka vendosur, sic është lënë të kuptohet shpesh me dashakeqësi, sigurisht që në zgjedhjen e tij nuk ka patur asgjë të pashmangshme dhe as “të natyrshme” në profilin historik. Po të mos kish ndodhur, sot Krimea do të ishte pjesë e Federatës Ruse, me një shumicë tatarësh dhe ukrainasish të Krimesë, që do të ankoheshin “përse ne duhet të jemi një minorancë në vendin tuaj, kur ju mund të jeni minorancë në vendin tonë”. Por, ja që ka ndodhur, dhe zemërimi është i anasjelltë.

Nuk ka domosdoshmëri historike në këta përfundime, as drejtësi universale, por pasi ka kaluar më shumë se një shekull vetë-dekolonizimi i Europës, duhet të mësojmë dy gjëra. Mbi të gjitha, që nga momenti kur një popull ka një shtet, tendenca është të mos dojë të heqë dorë. Një miku im maqedonas, menjëherë pasi vendi i tij fitoi pavarësinë nga ish Jugosllavia më tha: “E di, besoj që nuk ishte e domosdoshme që Maqedonia të bëhej shtet i pavarur, por tani që u bë, më pëlqen kështu”. Jo më kot, numri i shteteve të OKB vazhdon të rritet, dhe jo të zvogëlohet. Prapa kuintave, në pritje janë anëtarët e OKPP, Organizata e Kombeve të Popujve të Papërfaqësuar, mes të cilëve dhe tatarët e Krimesë.

Edhe më i rëndësishëm është mësimi i dytë. Sic thoshte anti-imperialisti i madh, Mahatma Gandhi, mes mjeteve dhe qëllimeve nuk ekziston një dallim i qartë. Dhuna prodhon dhunë. Modalitetet, jo vetëm janë të rëndësishëm sa veprimi: në realitet, ata përcaktojnë rezultatin përfundimtar. Një divorc i kadifenjtë, si ai i Cekosllovakisë, sjell një situatë të ndryshme nga një divorc i përgjakur. E njëjta gjë vlen për një bashkëjetesë paqësore dhe të vullnetshme (ndoshta Skocia dhe Anglia?), krahasuar me një të detyrueshme. Përdorimi i forcës sjell gjithmonë pasoja të padëshirueshme. Car Vladimiri mund të ripushtojë Krimenë, por veprimi i tij në fund do të sjellë forcimin e pavarësisë së Ukrainës.

Leave a Reply

Back to top button