Analiza

Angela antiTrump

Pse Kancelarja luan gjithçka në përplasjen me Presidentin e ri amerikan. Konfliktet e interesit, sidomos ato ekonomikë, midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Çfarë fiton dhe çfarë humbet ajo

Çfarë ka në mendje Angela Merkel? Çfarë do Gjermania? Vërtet ka ndër mend të prishet me Shtetet e Bashkuara? Të lexosh të ardhmen nuk është e mundur, por për të kuptuar prishjen më të rëndë politico – diplomatike të ditëve tona ndoshta është e dobishme të bëhen disa hapa prapa në të kaluarën. Në 2014, në 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit,, British Museum organizoi në Londër një ekspozitë të madhe lidhur me Gjermaninë të titulluar “Kujtime të një kombi”. Neil MacGregor, Kuratori i saj, Drejtor i muzeumit britanik, ka shkruar një libër lidhur me të që ka shërbyer më pas si bazë për një program radiofonik të BBC-së. Në parathënie krahason disa monumente të ngritur për të festuar momentet themelore të vendeve të ndryshme: Harku i Triumfit në Paris, Ëellington Memorial Arch në Londër dhe Siegerstor (Harku i Fitores) në Mynih të Bavarisë që përkujton rezistencën kundër Napoleonit. Ky i fundit është dëmtuar nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në pjesën e prapme, në vend që t’i riparohen dëmet, është vendosur që të skalitet një shprehje e gjatë: “Kushtuar fitores, dëmtuar nga lufta, lutje për paqen”. Është Gjermania postnaziste që dëshiron të ngrihet mbi baza të reja. Është edhe Gjermania që kthehet e bashkuar pasi ka mundur dhe tejkaluar një totalitarizëm tjetër, atë komunist. “Unë nuk di asnjë vend tjetër në botë, nënvizon MacGregor, që i ngre monumente turpit të vet dhe që, ashtu si Siegerstor i Mynihut, nuk gjenden aty vetëm për të kujtuar të kaluarën, por edhe për të garantuar se e ardhmja do të jetë ndryshe”.

Në ndryshim nga ajo që mendojnë nacionalistët anglezë frymëzues të Brexit, europeizmi i klasave drejtuese gjermane të Paluftës nuk ka asnjë Rajh të Katërt mbi shpatulla. Nëse dëshirohet vërtet që të këmbëngulet me një referim perandorak, atëhere duhet shikuar më shumë tek Perandoria e Shenjtë Romake, patchëork principatash, qytetesh të lira, zonash të tregëtisë së lirë (Lidhja Hanseatike është një shembull), përzierje ghuhësh, racash dhe besimesh fetare, trubinë klasash shoqërore nga të cilat u shfaqën njerëzit e zonave, artizanët, tregtarët, skribët, që u bënë më pas klasa dominuese e erës moderne. Dieta e Regensburgut (Ratisbona) në shumë aspekte ngjante më këshillin e krerëve të shteteve e të qeverive që sot drejton Bashkimin Europian. Midis historianëve anglezë e amerikanë ka kohët e fundit një lulëzim studimesh mbi atë eksperiment të veçantë “imperializmi liberal” që shumë do të donin ta vendosnin si model të kësaj ngrehine po aq të çuditshme mbishtetërore dhe multikombëtare të quajtur Bashkim Europian.

Gjermania e copëzuar ku çdo qytet konkurron për birrën dhe salçiçen e vet (në Frankfurt akoma sot i bëjnë me viç, trashëgimi e komunitetit të madh hebraik përpara se të shfarosej) atëhere ishte e bashkuar nga një shpirt i përbashkët (gjuha do të vijë me Luterin e më pas ajo e kulturuar vetëm më Gëten) që ndjehej në mënyrë konfuze trashëgimtare e qytetërimit greko – romak. Kur Princi Ludovik i Bavarisë midis viteve 1830 e 1842 ndërton Valhallanë e tij mbi një kodrinë që shikon Danubin, deshi që tempulli t’i ngjante Partenonit. Heronjtë e përkujtuar në brendësi të tij nuk janë Sigfridi dhe Krimildi, por filozofë, artistë, shkencëtarë, përballë të cilëve qëndrojnë bustet e Perandores Maria Tereza e Austrisë dhe Frederikut të Madh që ëndërronte ta transformonte Berlinin në Athinën e veriut, me Akademinë ku liria e opinionit ishte totale. Sigurisht që Prusia ishte një komb i hekurt, por bashkimi gjerman nën darën e aristokracisë u dha fund dy shekujve gjatë të cilëve territoret midis Rinit dhe Eelbës pushtoheshin jo nga Rusia, por nga Franca. Gjurma prusiane nuk mund të hiqet dhe nuk duhet harruar nacionalizmi etik dhe etnik, nga Herderi tek Vagneri, nga Hajdegeri tek Hitleri. Gjermania e re sforcohet që të mos e fshehë nën qilim pluhurin e larë me gjak. Për ta kuptuar nuk është keq që veç të tjerave të vizitohet edhe pallati i ri i Rajhshtagut dhe të lëxohen mbi mure shkrimet në cirilisht të ushtarëve rusë që e pushtuan. Në universin simbolik që formon Volksgeistin, një vend i rëndësishëm i duhet dhënë himnit kombëtar dhe flamurit. Flamuri me të verdhë, të kuq e të zi, vjen nga revolucioni liberal i vitit 1848 dhe u ngrit sërish nga Republika e Vejmarit në 1918. Muzika e himnit është bërë nga Jozef Hajden, në nderim të Perandorit habsburgas. Teksti është shkruar nga August Hofman po në atë ’48 që ka transformuar Europën. Vargu më i famshëm, “Deutschland, Deutschland uber alles” do të thotë se atdheu është më I rëndësishëm nga kush e shtyp dhe e komandon. Me pak fjalë, asnjë vullnet niçean. E megjithatë, ai që këndohet sot është ndryshe. Shprehja e sipërpërmendur është ndryshuar pas Luftës së Dytë Botërore me “Einigkeit, Recht und Freiheit”, bashkim, drejtësi, liri.

Mund të duket vërtet një digresion i vështirë, copëza të vogla historie, por është pikërisht këtu, në histori, që duhet rrëmuar për të inkuadruar të tashmen. Kanzlerin po e tepron, ka shkruar “Ëall Street Journal”: “Një divergjencë lidhur me klimën nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Europa”. Gideon Rachman në “Financial Times” e quan deri të “papërgjegjshme” Angela Merkel. Edhe e përjavshmja liberale “Der Spiegel” pyet nëse komentet e bujshme të kancelares përfaqësojnë apo jo një pikë kthese apo është vetëm një flluskë sapuni elektorale. Bile do t’i fitojë zgjedhjet duke u paraqitur si antiTrump, pasi The Donald mishëron antitezën e gjithë asaj që Gjermania ka dashur të jetë dhe është bërë? Sigurisht, Kancelarja ka thither tashmë duatrokitjet e socialdemokratëve të cilët përgatisin një Koalicion të Madh të ri pas votimeve të 24 shtatorit. Por është e vështirë të kalohet kufiri që ndan kundërshtinë nga përbuzja. Shumë janë lëshuar në interpretime diplomatiko – strategjike: muaji i mjaltit i ri ne Francën e Emanuel Makronit, nevoja për t’ju përgjigjur sfidës me një Vladimir Putin jo më të kundërshtuar, por të përkëdhelur nga Shtëpia e Bardhë, teksa shfaqen frikërat tradicionale mbi “hapësirën jetike” gjithmonë në pritë. Analizat diplomatike, për të mos folur për obsesionet ideologjike, nuk shikojnë se çfarë është bërë Gjermania sot dhe si janë transformuar interesat bazë të saj.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Bashkimi Europian është kazani institucional që ka mundur të spostohet lindje e perëndim, duke sakrifikuar deri atë që gjermanët kishin më të dashur, të qëndrueshmen dojçmarkë. Në këmbim, Berlini ka siguruar jo drejtimin e Europës, por hyrja me stilt ë madh në globalizim. E rritur në Gjermaninë komuniste, në hije dhe e ndarë prapa murit të turpit, kur rrëmbeu vrullshëm frenat e CDU-së nga Helmut Koli në vitin e largët 2000, Angela Merkel vërtet nuk e imagjinonte se do të bëhej alternative dialektike për Shtetet e Bashkuara. Qysh atëhere ka bërë një rrugë vërtet të gjatë e të papritur, në sintoni me transformimin e vendit të saj, dhe tani sigurisht që nuk do të tërhiqet mbrapsht. Në 2002 hyn në qarkullim euro dhe Gjermania është e “sëmura e Europës”. Kurse sot, sipas McKinsey Global Institute, është ekonomia që ka ditur të përfitojë nga globalizimi më shumë se çdo gjë tjetër: ka përfituar më shumë sesa Kina e Shtetet e Bashkuara dhe në një farë mënyre ka kontribuar që ta plazmojë duke penetruar në mënyrë masive në Azi e në kontinente të tjera. Studimi mat ndërshkëmbimin botëror të mallrave e të shërbimeve midis viteve 1980 e 2012, lëvizjet pasuese e monedhës e të personave midis vendeve dhe zonave të botës. Ekonomia gjermane rezulton në vend të 2-të në fluksin e të dhënave dhe në vend të 1-rë në temat e vlerës përsa u përket mallrave. Në ndryshim nga Britania e Madhe që është përqëndruar në shërbimet financiare apo nga Franca që ka privilegjuar makrostrukturat (nga trenat tek hoteleria, nga bërthamorja tek megaqendrat tregtare), Gjermania ka ruajtur centralitetin e prodhimit, duke i ngritur produktet e saj në anën e sipërme në shkallën e cilësisë. Sot Trump do të përgjigjet më një riindustrializim amerikan të favorizuar nga proteksionizmi i ri. Polemika e tij lidhur me makinat e shumta gjermane të shitura në States anashkalon veçantinë që Detroiti nuk është në gjendje të prodhoja makina si Mercedesi apo BMË-ja. Deri Tesla, që dëshiron të ndryshojë paradigmën automobilistike, zbulon se gjermanët po përgatiten të hedin në treg makina elektrike me kosto më të ulëta dhe po aq tërheqëse.

Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë një treg të madh thelbësisht të mbyllur. Kuota e eksporteve ndaj PBB-së është pothuajse 13%, ajo gjermane arrin pothuajse gjysmën e PBB-së. Amerikanët i shkëmbejnë produktet e tyre me Kanadanë, Meksikën, Kinën, ndërsa Gjermania ka një peshë të vogël (midis 3% dhe 4%). Pjesa tjetër e botës blen sidomos iPhone, filma, media sociale, gjithçka që Trum urren, por nga të cilat burojnë fitime të mëdha. Nga një celular i konceptuar në Kaliforni dhe I montuar në Kinë, Apple nxjerr 55 dollarë në 100. Asnjëherë në histori nuk ishte parë një fitim i tillë. Çeliku, qymyri, edhe automobilat e tij shkojnë në Shtetet e Bashkuara, por jo në Europë. Dhe nuk ka taksë apo tarifë që mund ta ndryshojë këtë tendencë strukturore.

Atëhere, vendet europiane thirret që të zgjedhin. Dilema Trump ose Merkel është e bezdisshme për të gjithë, mirëkuptimi që Merkel e Makroni kanë shpallur se duan të rigjallërojnë, nuk është ekskluziv. Në brendësi të Europës, nuk mund të bëhet pa Italinë e Spanjën në anën jugore dhe, anipse në mënyrë të ndryshme, nga Polonia në lindje. Nga jashtë është Kina që përfiton nga tensionet perëndimore, por si i bëhet të priten urët mbi Atlantik? Dhe nuk është vetëm një çështje sigurie ushtarake. Le të bëjmë një hap prapa, por kësaj radhe vetëm me 20 vjet. Bashkimi gjerman nga njëra anë, lindja e euros nga ana tjetër, janë shënuar nga mirëkuptimi, jo gjithmonë idiliak, midis një Helmut Kohli të kaplluar nga misioni bashkues dhe një Fransua Miterrani që, në rolin e tij si president socialist, i është dashur të mundë mosbesimin ndaj lindjes së një Gjermanie të Madhe. Një kontrast i fortë shfaqet në 1991, gjatë traktativave të Mastrihtit nga të cilat do të dalë traktati për bashkimin monetary, pasi ndërkohë ka shpërthyer kriza e parë e madhe gjeopolitike e pasLuftës së Ftohtë. Jugosllavia është copëtuar. Kohli imponon njohjen unilaterale të Kroacisë ndaj një Miterrani proserb (në sintoni me traditën franceze). Një zgjedhje e barsur me katastrofa, luftëra, masakra, plagë që nuk janë shëruar akoma. Edhe lindja e euros është shënuar nga një tjetër krizë e rëndë e botës së re, ajo që flak tej sistemin monetary të krijuar në vitet Tetëdhjetë. Rënia e SME-së në 1992 është nga ana e saj pasoja e shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe jo rastësisht paralajmërimet e para fillojnë nga markka finalndeze, përfshijnë të gjitha koronat skandinave dhe përplasen pastaj mbi dy lirat, atë italiane e atë britanike, të konsideruara si hallkat më të dobëta të të gjithë zinxhirit.

Bashkimi monetar lindi për t’u mbrojtur nga paqëndrueshmëria e shkaktuar prej një dollari të lirë që të luhatet sipas qejfit, i qeverisur nga prioritetet politico – ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Është vija e dytë e mbrojtjes, shumë më e qëndrueshme nga e para e ngritur pasi Riçard Niksoni në gusht të 1971, pa lajmëruar as aelatët, vendosi që karmonedha e gjelbër nuk ishte më e konvertueshme në ar siç ishte vendosur në 1944 me Marrëveshjen e Bretton Ëoods. Një zgjedhje unilaterale. America first, edhe atëhere. Përgjigja erdhi falë iniciativës së Valeri Zhiskar d’Estënit, President centrist – liberal i Francës, dhe të Helmut Shmidit, Kancelar socialdemokrat i Republikës Federale Gjermane. Nisën takimet rreth oxhakut ku u ftuan Shtetet e Bashkuara (Presidenti Xherald Ford) dhe që dora dorës u zgjeruan në vendet më të mëdha të industrializuara (Grupi i të 7-ëve u mblodh për herë të parë në 1975 në kështjellën e Rambujesë, në afërsi të Parisit). Sot që G7-a ka arritur në pragun e një krize ekzistenciale, ndërsa Gjermania përgatitet deri që të izolojë Shtetet e Bashkuara në G20-ën e 7 – 8 korrikut në Hamburg, ja vlen atëhere të rilexohet analiza e Joshka Fisherit, ish drejtues i të Gjelbërve, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskancelar nga 1998 në 2005 në qeveritë e drejtuara nga Gerhard Shrëderi, një prej mendjeve më brilante politike gjermane. I intervistuar 2 vite më parë nga revista “il Mulino”, nënvizon se “në marrëdhënien franko – gjermane ka pasur gjithmonë një faktor riekuilibri dhe Italia e ka luajtur këtë rol tek të dyja palët”. Nuk duhet harruar se pikërisht në Mastriht në dhjetor të 1991 qe Andreoti ai që ofroi rrgëdaljen diplomatike impasit Kohl – Miterran. “Nga vitet e qeverive Berluskoni, sipas Fisherit, Italia e ka humbur këtë rol dhe është mëkat, nuk them katastrofë, por pothuajse. Na mungojnë zëri i Italisë dhe funksioni riekuilibrues i saj, një funksion shumë i rëndësishëm në binomin franko – gjerman dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë ngrehinën europiane”.

Kjo mungesë është transformuar në antipati në kuptimin e vërtetë të fjalës, aq sa vendi më europeist është shndërruar në më euroskeptikun. E megjithatë, aksi renan do të bëhej një pasarelë e paqëndrueshme pa Italinë, ashtu siç do të ishte një fije e hequr në boshllëk pa një raport të ri të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara. Emanuel Makron dhe Angela Merkel duhet të rikonsiderojnë parasëgjithash antantën e përzemërt midis Zhiskarit dhe Shmidit, ndëtsa këshilltarët e Trump duhet të studiojnë sesi Ronald Regan diti të futej mrekullisht në çiftin Kohl – Miterran.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button