Analiza

Angela ka nxjerrë dy mësime. Ja pse nuk do ta “lëshojë” Greqinë

A ka ndryshuar ndonjë gjë sot, sa i përket asaj ideje të shndërruar në normativë në mendimin e kancelares? Ndoshta. Situata në pranverën 2015 është e ndryshme nga ajo e vjeshtave 2010 dhe 2011. Të gjithë po thonë se Euro nuk do të rrezikonte në rast të daljes së Greqisë. Megjithatë, Frau Merkel duket se nuk dëshiron të riskojë. Jo vetëm prej atyre që ka mësuar në stacionet më të mirë turistikë francezë

Screen Shot 2015-06-04 at 19.56.04

Edukimi sentimental i Angela Merkelit kundrejt Greqisë, mit i kulturës së madhe gjermane, ka patur dy momente ndjellakeqë në këta pesë vite të krizës helene. Kancelarja-shkencëtare ka një aftësi shumë të madhe për të kuptuar dhe rezultati i atyre dy leksioneve shihet gjatë këtyre orëve: duke thyer protokollin, i cili kërkonte që tratativat mes Athinës dhe kredidhënësve duhej të kryheshin ekskluzivisht nga grupet e teknicienëve dhe ministrat e financave, të hënën ajo e mori në dorë situatën dhe thirri Christine Lagarden dhe Mario Draghin, në një takim në Berlin bashkë me atë vetë, Francois Hollande dhe Jean Claude Junckerin, për t’i dhënë një dimension politik vendimtar negociatave. Ka mësuar mbi kurrizin e saj, se çështja greke do të përcaktojë rolin e lidershipit të saj dhe të Gjermanisë.

Në 18 tetor 2010, gjashtë muaj pas shpërthimit të krizës financiare greke, Frau Merkel dhe presidenti i atëhershëm, Nicolas Sarkozy, bënin një shëtitje përgjatë shëtitores bregdetare të lagësh të Deauville. Të vetëdijshëm për faktin që situata e Euros kërkonte ndërhyrje deçizive, nisën të bisedojnë për një plan, i cili do të reformonte mënyrën e qeverisjes së Eurozonës. Mes të tjerave, bënë të ditur se kredidhënësit privatë do të duhej të përballonin humbjet, në rast se një prej qeverive të Europës do të humbiste aftësinë paguese. Në parim, e padiskutueshme. Megjithatë, ishte hera e parë që hipoteza e falimentit të një vendi anëtar i monedhës së përbashkët përmendej në nivelet politikë më të lartë. Dy mundësitë – falimenti i një shteti të Euros dhe penalizimi i kredidhënësve privatë – i përmbysën kokëposhtë tregjet.

Ndërkohë që shëtiste bashkë me Sarkozynë përgjatë shëtitores në Normandi, aq të pëlqyer dikur nga Coco Chanel, në mendimet e Frau Merkelit nuk kish vend perceptimi për pasojat që do të kish patur një humbje e aftësisë paguese, e si rrjedhin një dalje e Athinës nga Eurozona. 18 muajt që pasuan, me tregjet në trazirë totale, ishin një periudhë mësimnxënieje të shpejtë, mbi rreziqet e një Grexit.

Stacionet turistikë francezë, apo ndoshta Sarkozy, janë shumë të rëndësishëm për kancelaren gjermane. Një vit më vonë, në fillim të nëntorit 2011, nxori mësimin e dytë mbi kurthin grek. Vendi, Kanë, Bregu i Kaltër. Samiti i G20, ai i famshmi, ku nisi rënia e qeverisë së fundit Berluskoni. Në 31 tetor, Kryeministri grek, George Papandreou kishte shpalur një referendum për t’u kërkuar qytetarëve nëse e pranonin një plan të dytë të shpëtimit, i cili do të kish kërkuar sakrifica si dhe një shkurtim deri në 50% të borxhit grek të marrë tek privatët. Edhe ky veprim krijoi kaos në tregje: bëhej fjalë, në fakt, për një kërkesë drejtuar grekëve, nëse donin të qëndronin në monedhën e përbashkët, apo donin të dilnin prej saj, me rezultate të pasigurtë.

Pasi thirrën me urgjencë Papandreoun në Kanë, Merkeli dhe Sarkozy i thanë se ideja e tij ishte një guxim i tepruar dhe i papranueshëm. I cili do të vinte në rrezik jo vetëm qëndrimin e Athinës në Euro, por do të shkaktonte një përhapje të “virusit” edhe në vendet e tjerë, si Italia dhe Spanja, që në atë moment ishin në kulmin e krizës së besimit. Në 3 nëntor, Papandreou hoqi dorë nga referendumi dhe brenda pak ditësh, dha dorëheqjen. Pikërisht në atë moment, Angela Merkeli paraqiti në mënyrë përfundimtare në sistemin e saj kartezian, rregullin sipas të cilit Greqia nuk duhet lënë të largohet: shumë e rrezikshme për Euron. 

A ka ndryshuar ndonjë gjë sot, sa i përket asaj ideje të shndërruar në normativë në mendimin e kancelares? Ndoshta. Situata në pranverën 2015 është e ndryshme nga ajo e vjeshtave 2010 dhe 2011. Të gjithë po thonë se Euro nuk do të rrezikonte në rast të daljes së Greqisë. Megjithatë, Frau Merkel duket se nuk dëshiron të riskojë. Jo vetëm prej atyre që ka mësuar në stacionet më të mirë turistikë francezë. Mbi të gjitha, sepse nëse Greqia do të braktiste Euron, akuzat ndaj Gjermanisë, e konsideruar si shumë e ngurtë, do të ishin të forta. Udhëheqja Berlinit dhe e saja personale do ta ndienin shumë, përtej asaj se kush do të ishte përgjegjës për daljen. Nuk është e thënë që do t’ia dalë: megjithatë, kancelares-shkencëtare i duhet ta provojë./Danilo Taino/Corriere della Sera

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button