Ekonomi

Ankandi i vështirë i huave të Greqisë

ankandiPër grekët e munduar nga kriza, kjo ishte sigurimi i dytë i parave në tregun e kapitalit këtë vit: që në prill qeveria e Athinës u kthye pas katër vjetësh në tregjet financiare dhe arriti që me një hua pesëvjeçare shtetërore të sigurojë gjithsej tre miliardë euro – 500 milionë më shumë se ç’pritej. Ministri i atëhershëm i Financave, Jannis Stournaras e quajti këtë “sukses të plotë”. Edhe Pol Thomson nga Fondi Monetar Ndërkombëtar foli për një “gur të rëndësishëm kilometrazhi.”

Një ankand tjetër i suksesshëm do të kishte qenë edhe një shenjë besimi për aftësinë e Greqisë, që t’i paguajë në të ardhmen borxhet e veta pa ndihma kredish ndërkombëtare. Për ankandin e javës që përfundoi synohej një shumë e përgjithshme prej rreth tre miliardë eurosh, me një interes bankar më pak se 3,5 përqind.

Por punët erdhën ndryshe: sipas të dhënave të ministrisë së Financave të Athinës, Greqisë iu desh të mjaftohej me gjysmën e parave të synuara, për të mos e kaluar interesin bankar 3,5 përqind për një hua shtetërore trevjeçare.

Të enjten në mbrëmje qeveria greke falenderoi investuesit, të cilët “treguan edhe njëherë besimin e tyre tek ekonomia greke”. 65 përqind e huave shkuan në investues afatgjatë, deklaroi ministria e Financave të Athinës të premten. “Interesi bankar është më i ulët se në të kaluarën, edhe nëse është në një nivel të konsiderueshëm të lartë. Në përgjithësi ankandi ishte sukses, sepse ndodhi në mes të një situate krize dhe u çua deri në fund”, i deklaroi redaktori ekonomik Babis Papadimitriou stacionit televiziv Skai. “Për sukses nuk mund të bëhet fjalë”, thotë nga ana tjetër Panajotis Petrakis, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Athinës, në bisedë me DW. “Mendoj se nuk ishte hap i mençur dhe as i nevojshëm vajtja në tregjet financiare pikërisht këto ditë.” Në fund të fundit, shqetësimet për Banco Espirito Santo në Portugali kishin qenë të njohura prej kohësh dhe patën kontribuar edhe që Bursa e Athinës të mbyllet të enjten me një minus prej 3,98 përqind. Por pas aksionit të ankandit, të premten bursa e Athinës pati si tendencë plusin. “Ne besuam se kishim të bënim me një problem lokal, por ja që ai u zgjerua, i tha një bashkëpunëtor i ministrisë greke të Financave portalit ekonomik të internetit, Capital.gr.

Linku: http://www.dw.de/ankandi-i-v%C3%ABshtir%C3%AB-i-huave-t%C3%AB-greqis%C3%AB/a-17782777

Leave a Reply

Back to top button