Merita është edhe e Donald Trumpit. “Apple – shkruajnë dy analistët – ka shumë para, dhe vazhdon të arkëtojë 50 miliardë në vit. Dhe ky është një goxha problem”
Për momentin është vetëm një prej atyre zërave të fillimvitit, por shumë shpejt mund të shndërrohet në operacionin financiar më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, në industrinë teknologjike. Apple ka 40% mundësi që të blejë Netflix deri në fund të vitit 2018. Lajmin e japin dy analistë të Citigroup, Jim Suva dhe Asiya Merchant, sipas të cilëve kolosi i Cupertinos mund të mbështetet në një sasi të madhe likuiditetesh në dollarë (afro 252 miliardë), falë reformës fiskale të Trumpit.
E marrim me radhë. Sot Apple ka një kapitalizim tregu prej 880 miliardë dollarë. Më i larti në botë, që ndiqet nga Alphabet, Mixrosoft dhe Amazon. Dhe për likuiditetet e mëdha në duart e prodhuesve të iPhone flitet shpesh. Në disa raste, analistët e Silicon Valley kanë folur për interesin e Apple për të blerë Netflix. Por një tratativë nuk ka patur asnjëherë. Ose të paktën dy kompanitë, nuk kanë folur kurrë konkretisht dhe zyrtarisht.
Por 2018 mund të jetë viti i duhur. Sipas analistëve të Citigroup, merita është e reformës fiskale të presidentit Trump, që parashikon një ulje të taksës së korporatave nga 35 në 21 % dhe një taksë “una tantum” (10%) për fitimet e nxjerra jashtë vendit dhe të rifutura në SHBA. Një lëvizje që për Apple do të thotë një likuiditet prej 252 miliardë dollarësh. “Apple – shkruajnë dy analistët – ka shumë para, dhe vazhdon të arkëtojë 50 miliardë në vit. Dhe ky është një goxha problem”.
Sa do të kushtonte Netflix?
Do të ishte goditje e madhe për Apple. Kompania me seli në Los Gatos tashmë nuk ka asnjë konkurrent në shpërndarjen online të materialeve televizive, me ritme rritjeje që shkojnë përtej parashikimeve. Tremujori i tretë i 2017 u mbyll me një rritje të ardhurash prej 30%.
Sot mund të jetë e vështirë të kuptohet se sa kushton Netflix. Sigurisht, kjo tratativë do të ishte e një niveli krejt tjetër, në krahasim me atë që Apple përdori për të blerë Shazam. Sot, kapitalizimi i tregut i Netflix është afro 85 miliardë. Një shifër astronomike që do e bënte më të shtrenjtin e historisë së industrisë së teknologjisë. Dhe nuk është e thënë që të mjaftojnë. “Il Sole” – Bota.al