Bota

Arabia Saudite: “Djalli” që e njohim

Screen Shot 2016-04-22 at 07.47.30

Nga Fareed Zakaria

A duhet që SHBA të ndërpresin lidhjet me Arabinë Saudite? Pyetja rishfaqet mes polemikave më të fundit si dhe vizitës së presidentit Obama në mbretëri. Unë kam qenë kritik i Arabisë Saudite prej dekadash, por pavarësisht gjithë problemeve, unë mendoj se SHBA është më mirë me këtë aleancë, se sa pa të.

Kongresi mund të miratojë shumë shpejt një ligj, që do t’u lejonte individëve amerikanë – të afërm të atyr që vdiqën në 11 shtator – që të padisin qeverinë saudite. Disa prej këtyre të afërmve kanë kërkuar gjithashtu që administrata Obama të bëjë publike 28 faqet e rezervuara të një raporti të Kongresit, ku ekzaminohet përfshirje e sauditëve në ata sulme.

Por nëse SHBA do i zhvishte sauditët nga imuniteti që kanë patur tradicionalisht qeveritë e huaja, kjo do e bënte Uashingtonin të prekshëm prej veprimeve reciproke përreth globit. Imagjinoni sikur qeveria e SHBA të përballej me padi për secilin prej sulmeve të veta me dron, sulmeve me bombë, operacionet speciale – për të mos përmendur luftërat. Sa për raportin, drejtori ekzekutiv i Komisionit të 11 shtatorit, Filip Zelikov argumenton se 28 faqet përmbajnë “lëndë të parë, të pavërtetuar” nga dosjet e FBi-së, që duket se “implikojnë njerëz në krime të rëndë, ndërkohë që nuk ka një ndjekje të mëtejshme të hetimit për të përcaktuar nëse këto akuza janë të vlefshme”.

Unë besoj se Arabia Saudite ka një përgjegjësi domethënëse për përhapjen e një interpretimi mizor, jotolerant, ekstremist të Islamit – një që ushqen në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën xhihadiste të të menduarit. Por ashtu si shkruan Ggregory Gause në një ese për Foreign Affairs, historia është më e komplikuar. “Arabia Saudite e humbi kontrollin mbi lëvizjen ekstremiste globale në vitet 1980 dhe… regjimi saudit ka qenë vetë në shënjestër të kësaj lëvizjeje që nga vitet 1990”. Në fund të fundit, nëse SHBA ishin shënjestra Nr.1 për al Kaedën, Arabia Saudite ishte shënjestra Nr. 2.

Në vitet 1950, versioni uahabit i Islamit të Arabisë Saudite, një produkt i kulturës nomade të shkretëtirës, praktikohej nga një pakicë myslimanësh – ndoshta 1-2 përqind. Më pas erdhi bumi i naftës dhe Arabia Saudite – e mbushur me para tashmë – i përhapi këto ide në të gjithë botën myslimane.

Ky uahabizëm i globalizuar ka shkatërruar një pjesë të madhe të diversitetit brenda Islamit, duke eleminuar interpretime liberale dhe pluraliste të fesë, në favor të një versioni të thatë, jotolerant. Në vitet 1980, teksa lufta në Afganistan kundër pushtimit sovjetik u mbush edhe me entuziasëm fetar, lulëzuan doktrinat e xhihadit. Në shumë raste, fondamentalizmi islamik u shndërrua në terrorizëm islamik. 

Në vitet pas 11 shtatorit, pas shumë mbrojtjesh dhe mohimesh, sauditët nisën të ndryshojnë kurs, duke ndërprerë financimet qeveritare për lëvizjet islamike ekstremiste. David Petraeus një herë më ka thënë se ndryshimi më i rëndësishëm strategjik gjatë kohës së tij nën uniformë, ishte se Arabia Saudite u shndërrua nga një mbështetës i heshtur, në një armik agresiv të grupeve xhihadiste. Sot, shërbimi i fshehtë saudit është një aleat madhor në luftën kundër al Kaedës, Shtetit Islamik dhe grupeve të tjerë.

Megjithatë, financimi prej sauditëve i ekstremizmit islamik nuk ka marrë fund, dhe efektet e tij të rrezikshëm mund të shihen nga Pakistani, në Indonezi. Këto fonde vijnë nga individët, jo qeveria. Megjithatë, është e vështirë të imagjinosh që monarkia saudite nuk mundet ta mbyllë rubinetin e parave për ekstremistët jashtë dhe brenda vendit.

Arabia Saudite mbetet hezituese për t’iu kundërvënë ekstremistëve fetarë, nga frika e kundërgoditjes. Udhëheqësit fetarë të vijës së ashpër dhe ideologët kanë një ndikim domethënës në shoqërinë saudite. Mbretëria është e njohur për mediat sociale shumë të përhapura, dhe që ende rriten. Më pak injohur është fakti që “yjet” më të mëdhenj të tyre janë predikuesit uahabitë dhe ideologët ekstremistë, të cilët tani po përhapin doktrina anti-shiite, si pjesë e luftës kundër Iranit. Dilema qendrore mbetet: Nëse monarkia saudite bie, ajo mund të zëvendësohet jo nga një grup liberalësh dhe demokratësh, por nga islamistë dhe reaksionarë. Pasi e kemi parë këtë film në Irak, Egjipt, Libi dhe Siri, unë do të bëja shumë kujdes, për të destabilizuar një regjim që në shumë fusha – mbrojtje, naftë, financë – është një aleat i qëndrueshëm.

Arabia Saudite ka krijuar një monstër në botën e Islamit, një monstër Frankenshtajni që rrezikon sa Arabinë Saudite, edhe Perëndimin.

Monarkia saudite duhet të reformojë vetveten dhe eksportin e ideologjisë së saj. Por realiteti është, kjo gjë ka shumë më tepër gjasë të ndodhë nëse Uashingtoni angazhohet me Riadin, në vend që të distancohet, duke e lënë mbretërinë në izolim. Politikë e jashtme do të thotë të merresh me botën ashtu si është, jo ashtu si do të doje ti të ishte. Kjo kërkon të heqësh dorë nga kënaqësia e një fitoreje të madhe morale, dhe të pranosh “gjysmë-masa” ndoshta edhe irrituese. Dhe kjo gjë, në pak raste është po aq e vërtetë sa edhe në marrëdhëniet e SHBA me këtë mbretëri të çuditshme të shkretëtirës.

The Washington Post – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button