Histori

ARKIMEDI. Shpikësi par excellence

“Më jepni një pikë mbështetjeje dhe unë do të ngre botën”, i tha dijetari Arkimed mbretit Geroni II i Sirakuzës. Mbreti e vuri menjëherë në provë dhe i dituri pranoi: pa në kantierin e portit anijen Syracosia, e mbushur me cfarëdolloj malli për t’ia dërguar mbretit të Egjiptit dhe shpiku një sistem levash dhe karrocash me të cilat, mes befasisë së të gjithëve, ngriti anijen pa patur nevojë që ta shtynte në det me punën e skllevërve.

Do të mjaftonte kjo anektodë, apo ajo tjetra, sipas së cilës gjeti zgjidhjen e një problemi teksa ndodhej brenda vaskës së një banke publike dhe rendi lakuriq nëpër rrugë duke thirrur Eureka! (e gjeta), për të krijuar idenë e gjenisë së Arkimedit të Sirakuzës: jo vetëm një prej matematicienëve më të mëdhenj të lashtësisë dhe shpikës-zbulues, por një mjeshtër i shkencës-spektaklit, i aftë të shushaste të mëdhenjtë e kohës, miq dhe kundërshtarë, duke vënë dijen e tij në shërbim të qytetarëve.

Vepra e tij shkencore, kryqëzohet me atë të qytetit të tij. I lindur në Sirakuzë në vitin 287 para Krishtit dhe me shumë gjasa bir i astronomit Fidia, i cili i transmetoi pasionin e madh për shkencat, i riu Arkimed studioi në Aleksandrinë e Egjiptit, ku ishte nxënës i Euklidit. Mes viteve 264 dhe 250 realizoi shpikjen e tij të parë: një planetar, që u bë i famshëm në të gjithë botën e lashtë dhe që ishte në gjendje të stimulonte lëvizjen e dukshme të Diellit përreth Tokës. Më pas studioi lëngjet dhe forcat duke realizuar shtytjen e famshme që ngrinte ujin, një odometër (paraardhësi i lashtë i numëruesit të kilometrave) si dhe një orë të saktë ujore.

I parapriu llogaritjes së integraleve dy mijë vite para Njutonit dhe Leibnicit, por sukseset e tij më të mëdhenj i përkisnin fushës së gjeometrisë. Në vitin 240 shkruajti disa prej veprave të tij më të rëndësishme matematikore: “Mbi spiralet” dhe “Mbi sferën dhe cilindrin”, në të cilat llogariste se vëllimi i një sfere është sa dy e treta e vëllimit të cilindrit që e rrethon, një zbulim për të cilin ai ishte kaq krenar sa që kërkoi që të paraqitej si epitaf në varrin e tij. Vec kësaj ai përllogariti katër shifrat e para dhjetore të fi-së (3,1416).

Sipas Plutarkut, Arkimdei ishte kaq i magjepsur prej gjeometrisë saqë harronte të hante: kur skllevërit e tërhiqnin zvarrë në banjë për ta larë dhe vajosur, ai vizatonte në hi figura gjeometrike. Megjithatë, jeta publike e thirri në mbrojtje të qytetit. Kur, me shpërthimin e luftës së dytë kartagjenase konsulli romak Marcello rrethoi Sirakuzën nga toka dhe nga deti, fshatarët e terrorizuar shkuan të gjejnë shpëtim tek burimi më i cmuar që kishin: gjenia e Arkimedit. Në fakt, matematicieni shpiku dhe perfeksionoi makina të jashtëzakonshme lufte: katapulta dhe hedhëse gurësh për të bombarduar anijet e armikut, grepa të fuqishëm hekuri për t’i ndalur dhe fundosur, pasqyra për t’u vënë flakën.

Fama e tij ishte aq e madhe sa që konsulli Marcello, kur pushtoi qytetin, urdhëroi që t’i falej jeta. Por mjeshtri sirakuzian, sipas legjendës, u vra gabimisht nga një ushtar. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button