Analiza

Armëpushimi i ri, a do përfundojë si “Minsku I”? Dhe a u shmang vërtetë lufta?

Screen Shot 2015-02-12 at 16.54.05Nga Michael Birnbaum

Mes mosmarrëveshjeve të forta mbi konfliktin 1-vjeçar në Ukrainën Lindore, palët ndërluftuese ranë më në fund dakord të enjten në mëngjes për fillimin e armëpushimit duke nisur nga dita e dielë, duke u angazhuar ndërkaq për tërheqjen e ndërsjelltë të armatimeve të rënda nga vija e frontit.
Këtë e bëri me dije për mediat vetë presidenti rus Vladimir Putin. Pas më shumë se 15 orë negociatash të pandërprera, liderët e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, u ndanë pa nënshkrimin e një marrëveshje të plotë paqeje, një shenjë kjo e qartë e vështirësisë që paraqitën bisedimet e Minskut.
Ky fakt ngriti pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e çfarëdolloj marrëveshje, që duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e nivelit më të ulët dhe udhëheqësit rebelë. “Kemi rënë dakord për shumë gjëra”- u tha Putin gazetarëve në Pallatin e Pavarësisë, në Minsk, ku dhe u mbledhën një ditë më parë udhëheqësit e 4 vendeve. “Ne duhet të shmangim gjakderdhjen e panevojshme, duke tërhequr armatimin e rëndë”- shtoi ai.
Shefi i Kremlinit, ndërkohë theksoi se marrëveshja përfshinte armëpushimin, premtimin se Ukraina do të zbatojë ligjet për t’u dhënë territoreve, që kontrollohen tashmë nga rebelët më shumë autonomi, si dhe tërheqjen e armatimit të rëndë nga vija e frontit të konfliktit. Këto konsiderohen si hapat kryesorë, që duhen ndërmarrë për të qetësuar dhunën, që javët e fundit është ngjitur në nivele të papara, që prej verës së kaluar.
Por duket se ka dallime rreth çështjes nëse trupat ukrainase, duhet të heqin dorë nga qyteti i rrethuar prej rebelëve Debaltseve, dhe se deri në çfarë mase qeveria e Kievit, do të duhet të njohë autoritetet rebele si dhe territorin e saktë, të cilit duhet t’i akordohet autonomia.
Bisedimet u duk se u futën në një qorrsokak këtë të enjte pasi presidenti ukrainas Petro Poroshenko, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, tha se pala ruse paraqiti  kushte “të papranueshme”. Rezultati i takimit të nivelit të lartë, do të mund të jetë vendimtar, vetëm nëse një paqe e brishtë do të arrijë që të rezistojë, duke mos u kredhur në një luftë shumë më të gjerë.
SHBA dhe disa aleatë evropianë, potencialisht mund të furnizojnë me armë Ukrainën. Negociatat u zhvlluan gjatë natës së mbrëmshme në Minsk mes Putinit, Poroshenkos, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez  Fransua Holond, në kulmin e luftimeve më të rënda, që kanë ndodhur deri tani në Ukrainën Lindore.
Zyrtarë të lartë e përshkruan takimin e jashtëzakonshëm, si shansin e fundit për të shmangur një përshkallëzim edhe më të ashpër të situatës në terren. Por gjatësia e jashtëzakonshme e bisedimeve, ishte një shenjë e qartë e dallimeve të mëdha ndërmjet palëve. Edhe nëse arrihet një  marrëveshje më e plotë, mbetet e paqartë nëse ajo mund të zbatohet në terren.
“E gjithë bota po pret të shohë, nëse situata do të shkojë drejt uljes së tensionit, tërheqjes së armëve, armëpushimit afagjatë, apo do të dalë tërësisht jashtë kontrollit”- tha presidenti ukrainas Poroshenko përpara fillimit të negociatave. Mësohet se ky i fundit i kishte deklaruar kabinetit të tij, se ishte i gatshëm të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme, nëse bisedimet do të dështonin.
Këshilltari kryesor i Poroshenkos, Valerij Çali, më vonë tha se ukrainasit nuk kishin ndërmend të largoheshin nga tryeza e bisedimeve, pa miratimin e një armëpushimi të pakushtëzuar. “Po zhvillohet një betejë e fortë nervash”- shkroi ai në Facebook. Diskutimet nuk ishin “aspak të lehta” u shpreh zëdhënës i ministrit të jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer, përmes rrjetit social “Tuiter” mëngjesin e sotëm, ndërsa shtyu një udhëtim të planifikuar në Brazil.
Udhëheqësit thanë se po punonin mbi bazat e marrëveshjes së armëpushimit, që ishte arritur më herët në shtatorin e shkuar, dhe që asnjëherë nuk u zbatua plotësisht, derisa javët e fundit u rrëzua plotësisht. Që prej nënshkrimit të asaj marrëveshjeje të dështuar, numri i të vdekurve është thuajse 2-fishuar, në më shumë se 5400 persona sipas vlerësimeve të OKB-së, në një kohë që rebelët kanë pushtuar qindra kilometra katrore territor shtesë.
Në terma të përafërt, çdo marrëveshje do të kërkonte që të dyja palët të ndalonin të shtënat, dhe që armatimet e rënda të tërhiqen nga linjat e para të frontit brenda disa ditësh, për të krijuar kësisoj një zonë të demilitarizuar. Territoret, që aktualisht ndodhen në kontrollin e rebelëve, kanë kërkuar autonomi të thellë nga qeveria qëndrore në Kiev.
Çështje tejet të diskutueshme, mbetet ajo e shkallës së autonomisë, si dhe përcaktimi i saktë të kufirit të territorit që është pushtuar nga rebelët, në kushtet kur linja e frontit ka lëvizur ndjeshëm që nga vera e shkuar. Kievi ka kërkuar gjithashtu, që Rusia të ndalojë furnizimin përmes kufirit të saj, me armë dhe trupa të rebelëve pro-rusë.
Ky konflikt, ka bërë që marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, të jenë aktualisht në nivelet më të ulëta, që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Brenda vendit, Poroshenko është i detyruar të heqë dorë nga ëndrrat, për të udhëhequr një komb të bashkuar, nën kontrollin e plotë të Kievit. Ai ka ngritur kufij të brendshëm që vështirë komunikojnë me njëri-tjetrin, duke ndërprerë lëvizjen e njerëzve, mallrat dhe parave, mes Kievit dhe territoreve që kontrollohen nga rebelët.
Rusia kërkon garanci, që Ukraina nuk do të anojë kah perëndimit, duke iu bashkuar aleancave të tilla sikurse është NATO. Presidenti rus Putin, tha se i druhej mundësisë që aneksimi i gadishullit të Krimese marsin e kaluar, do të shkaktonte një konflikt të ri mes Rusisë dhe Perëndimit. Rindezja e luftimeve në lindje të Ukrainës muajin e kaluar, ka shtuar zemërimin e Perëndimit përkundrejt Rusisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë është duke shqyrtuar mundësinë nëse duhet të dërgojë apo jo armë ushtrisë ukrainase.
Kjo do të rriste shanset e Ukrainës, kundër një kundërshtari, për të cilin Perëndimi thotë se është furnizuar rregullisht nga Rusia. Por ajo gjithashtu, do të rriste tej mase rrezikun e shkaktimit të një luftë të ashpër mbështëse me Moskën në tokën ukrainase. Merkel dhe presidenti francez Holond, janë shprehur kundër armatosjes së Ukrainës, teksa javën e shkuar fluturuan për një mision të papritur në Moskë, në një përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes.
Më herët gjatë kësaj jave, presidenti Obama e paralajmëroi Putinin se në qoftë se nuk ndalet duke mbështetur rebelët dhe nuk angazhohet për një marrëveshje paqeje, “kostot për Rusinë do të rriten më tej”. Obama tha veçmas se vendimi i tij për armatosjen e Ukrainës, do të varet pjesërisht nga rezultati i bisedimeve.
Rusia ka mohuar me forcë armatosjen e rebelëve apo dërgimin e trupave të saj në Ukrainë, duke pretenduar se qytetarët rusë që po luftojnë atje, po e bëjnë këtë si vullnetarë. Ditët e fundit, luftimet janë ashpërsuar në të njëjtën shkallë me ato në gushtin e vitit të kaluar, pasi të dyja palët, rebelët pro-rusë dhe Kievi, po përpiqen ethshëm të zgjerojnë territorin e tyre.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan, tha të mërkurën se trupat ruse po luftonin në lindje të Ukrainës, dhe se Rusia ka vendosur mijëra trupa shtesë në kufirin e saj me Ukrainën. Ky sinjal kërcënues, i është shtuar elementëve të tjerë delikatë në këtë konflikt. “Është shumë e qartë se gjykuar nga sasia e municionit, llojit armatimeve, se ka një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake ruse pranë Debaltseve, një qendër e rëndësishme e transportit, ku dhe kanë ndodhur disa prej luftimeve më intensive ditët e fundit”- tha komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, Lejtnan-gjeneral Ben Hoxhes.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vazhdojnë stërvitjen e trupave ukrainase në pjesën perëndimore të vendit. Një zëdhënës ushtarak ukrainas, tha po dje se 19 ushtarë u vranë dhe 78 të tjerë u plagosën, në luftimet pranë Debaltseve në 24 orët e fundit. Ky numër, është i krahasueshëm me atë gjatë kulmit të luftimeve gushtin e shkuar.
Nga ana e tyre, drejtuesit e rebelëve thanë se 7 civilë u vranë në qytetin e tyre bastion të Donnjeckut, kur një minibus u granatua herët në mëngjes. Presidenti Poroshenko, erdhi në pushtet pas një lëvizje pro-evropiane, që dëshironte ta orientonte Ukrainën në mënyrë të vendosur drejt Evropës dhe larg nga Rusia. Ai u përball me kritika të ashpra në vend, pasi ra dakord të firmoste marrëveshjen e armëpushimit shtatorin e shkuar, sepse shumë njerëz në Kiev u shprehën se kreu i shtetit i kishte shitur shumëçka Kremlinit.
Çdo ujdi e re, paraqet mundësinë që Poroshenko të vihet sërish nën syrin e kritikave edhe më të rënda politike. Në të njëjtën kohë, ekonomia e Ukrainës është e copëzuar, dhe kombi është afër shpërbërjes. Monedha kombëtare, ka humbur dy të tretat e vlerës së saj vitin e fundit. Nevojat e saj për financim duket se i tejkalojnë ato shuma, që huadhënësit ndërkombëtarë janë të gatshëm t’i japin.  Kievi po përpiqet të përqëndrohet tek reformat ekonomike, me frikën e luftës së ndezur në lindje./The Washington Post/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button