Analiza

Armiqtë e rinj të Kalifit

Ahmed Rashid

Asnjë gazetar në të ardhmen nuk do të mundet që të takohet nga afër me al Baghdadin, apo të vizitojë vendfushimet e tij, apo të shohë se si ky e qeveris Kalifatin. Nuk do të kemi asnjë informacion real apo ndonjë lajm, me anë të të ciliut të mundemi të bindim rekrutët e rinj potencialë se çfarë shteti të tmerrshëm po ndërton IS

kalifiDo të jetë al Baghdadi, nëpërmjet mediave sociale, që do të dominojë skenën, kur të dojë ai. Jo më ne, gazetarët.
Vrasja e mesazherit është një mënyrë e lashtë që mbretërit e përdornin për të shfryrë zemërimin e tyre, për një humbje apo një dështim politik. Po çfarë ndodh nëse mesazheri nuk i hyn më kujt në punë dhe letrat e llojit të vjetër janë tashmë një relike e të kaluarës, siç po ndodh tani me IS-in?
Kur Osama bin Ladeni dëshironte të dërgonte një mesazh, ai thërriste një gazetar perëndimor apo një rrjet televiziv, dhe përpara 11 shtatorit organizonte madje edhe konferenca për shtyp. “Disponueshmëria” e tij me mediat ishte një prani fizike. Njerëzit besonin në ato që thoshte, sepse i thoshte përballë gazetarëve të besueshëm.
Kur Abu Bakr al Baghdadi, kreu i IS-it, dëshiron të dërgojë një mesazh, e bën përmes platformave të shumta të mediave sociale, duke bërë të mundur për autoritetet e të gjithë botës që të eleminojnë mesazhin. Mediat sociale janë një mënyrë e re komunikimi jo vetëm për biznesmenët, por edhe për terroristët, dhe nuk ka fare nevojë që të kesh një prani fizike për të bindur publikun se je i vërtetë: mesazhi në vetvete është i mjaftueshëm.
Al-Baghdadi e ka shtyrë shumë më tej “artin e vrasjes së mesazherit”. Gazetarët – mesazherët drejt botës së jashtme – tashmë janë thjeshtë ndërhyrës që duhen burgosur, torturuar apo eleminuar, ose për t’u përdorur si pengje politikë me qëllim dërgimin e kërcënimeve në drejtim të SHBA apo Britanisë së Madhe.
Ekzekutimet tragjikë me prerje koke të gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, përpara britanikut David Haines që bashkëpunonte edhe me gazetarët e luftës, janë pjesë e një loje të re politike që al Kaeda e provoi për pak kohë në vitin 2001, me ekzekutimin me prerje koke të Daniel Pearl, por që sot me IS-in është shndërruar në praktikë të rregullt. Vrasja e gazetarëve është mesazhi që përdor IS për të detyruar qeveritë perëndimore që t’i kushtojnë vëmendje.
Asnjë gazetar në të ardhmen nuk do të mundet që të takohet nga afër me al Baghdadin, apo të vizitojë vendfushimet e tij, apo të shohë se si ky e qeveris Kalifatin. Nuk do të kemi asnjë informacion real apo ndonjë lajm, me anë të të ciliut të mundemi të bindim rekrutët e rinj potencialë se çfarë shteti të tmerrshëm po ndërton IS.
Do të jetë al Baghdadi, nëpërmjet mediave sociale, që do të dominojë skenën, kur të dojë ai. Jo më ne, gazetarët. Nuk do të ketë më asnjë scoop për IS-in, dhe do të ketë shumë pak informacione të vërtetë. Mendoni që ende nuk e dimë me saktësi se kush i drejton qendrat e komandës politike dhe ushtarake.
Nëse mendoj vitet pas 1993-shit, kur lëvizja përkrah talebanëve në Afganistan – në atë kohë, tmerri ishin ata – duke mësuar filozofinë e tyre, duke parë si qeverisnin dhe i trajtonin njerëzit, çfarë mendonin për gjeopolitikën, duke studiuar taktikat dhe strategjitë e tyre ushtarake dhe informuar të tjerët për atë që kisha zbuluar në librat e mi, më duket si një tjetër epokë.
Talebanët ishin të edukuar, të sjellshëm, jo veçanërisht komunikues, por – të paktën deri në një moment të caktuar pasi më vonë edhe strategjia e tyre ndryshoi dramatikisht – nuk të torturonin, nuk të varnin nga këmbët, dhe të lejonin të shkruaje atë që dëshiroje (me disa kufizime, për shembull nuk lejonin të fotografoje). Tani unë e di që asnjë gazetar objektiv nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë me IS-in. Nuk do të njohim asnjëherë me të vërtetë historinë e brendshme apo nivelin e mbështetjes për ta, përveçse prej informacioneve të dorës së dytë.
Paradoksi është se IS-i ka kopjuar shumë prej taktikave dhe strategjive ushtarake të talebanëve, dhe në fakt unë jam i bindur që duhet të jenë talebanë afganë apo pakistanezë që punojnë me krahun e armatosur të organizatës. Taktika si përshembull atentatet me automjete, goditja e disa objektivave njëkohësisht, kalimi nga humbja në një front, tek fitorja në një tjetër, sakrifikimi i ushtarëve në atentate vetëvrasës dhe sulme frontalë, janë të gjitha metoda që janë përdorur gjerësisht nga talebanët gjatë viteve nëntëdhjetë.
Shtypi është në krizë sepse ekstremistët islamikë përdorin tani teknologjitë e fundit, një fushatë brilante manipulimi, terrorin dhe prerjen e kokave për të bërë të mundur që asnjë gazetar në të ardhmen të mos ketë kurajën që t’i afrohet as edhe një qendre të IS-it.
Ajo që më frikëson më shumë se çdo gjë tjetër në këtë moment është që mbështetësit e IS-it në të gjithë botën, dhe me siguri në Lindjen e Mesme, munden që të rrëmbejnë gazetarë dhe t’ia dorëzojnë al Baghdadit, i cili do i ekzekutojë sa herë që të ketë nevojë t’i dërgojë dikujt një tjetër mesazh.
Burgjet e al Baghdadit do të mbushen me gazetarë dhe punonjës humanitarë që do të përdoren si pengje. Dhe rreziku i vërtetë është që askush nuk është më në gjendje të na mbrojë.
* Ahmed Rashid është gazetar pakistanez, autor i disa librave për Afganistanin, Pakistanin dhe Lindjen e Mesme. Libri i tij “Talebanët” është përkthyer në 22 gjuhë.

PERGATITI: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button