Analiza

As Rusia, as Europa, nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë të re

Screen Shot 2015-04-29 at 19.58.38

Nga Dominique de Villepin & Igor Ivanov

Po vërejmë me trishtim të madh, pasojat e rënda të shkaktuara vitet e fundit nga kjo gjendje konfliktuale. Në vitin 2003, në cilësinë e Ministrave të Jashtëm, kemi qenë në vijën e parë të frontit me iniciativat e përbashkëta të Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, për një frymë të re dialogu dhe mirëkuptimi. Tek ribashkimi i kontinentit evropian pas vitit 2004, me anëtarësimin e

10 vendeve të reja në BE, kryesisht të Evropës Lindore, ne pamë mundësinë për zhvillimin e lidhjeve të reja dhe të forta midis Evropës dhe Rusisë, në emër të historisë së përbashkët, kulturave dhe nevojave të tyre. Por le të jemi të sinqertë: sot të gjitha ato shpresa janë thyer.

Kriza në Ukrainë është një sfidë që lidh Rusinë me Evropën, meqënëse sërish po shohim pasojat e tmerrshme të luftës brenda kontinentit evropian, me tashmë më shumë se 5 mijë viktima në Ukrainë. Sfida është e ndarë, nga fakti i thjeshtë se ka shumë rreziqe për të dëshmuar rënien e një shteti në mes të Evropës, një shteti nevoja e të cilit

për ndihmë ekonomike, shkon përtej asaj që mund të jetë ndërhyrja ruse apo europiane. Ne nuk duhet të harrojmë rrugën e diplomacisë, pavarësisht sesa e vështirë dhe frustruese mund të jetë ajo. Duhet të ndjekim “formatin e Normandisë”. Duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, mbi marrëveshjen “Minsk II”. Por ndërkohë duhet të kuptojmë një të vërtetë të thjeshtë: në Ukrainë nuk do të ketë përmirësime të shpejta. Ajo që e bën edhe më dramatike krizën aktuale në Ukrainë, janë shumë pyetje të ngritura, lidhur jo vetëm fatin e atij shteti, por edhe të ardhmen e mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar në zonën euro-atlantike.

Në fushën e sigurisë, dialogu Rusi-NATO, në një hapësirë sigurie të përbashkët, ka ngecur. Përkundrazi, NATO ka shpallur plane për të ndërtimin e një infrastrukture të re ushtarake në Evropën Qendrore. Nga ana tjetër, Rusia ka shkuar përpara me një program riarmatimi në shkallë të gjerë.

Të gjitha shkëmbimet tregtare dhe investimet midis Rusisë dhe BE-së, të cilat vetëm dy vjet më parë dukeshin aq premtuese dhe dinamike, e kanë humbur vrullin e tyre. Ndikimi negativ i “luftës së sanksioneve” midis Moskës dhe Brukselit, nuk ndalet vetëm tek sipërmarrje të veçanta nga të dyja palët. Ajo i ndih minimit të themeleve të besimit të ndërsjelltë, saboton

projektet zhvillimore afatgjata, dhe në fund hedh hije dyshimi, mbi atë që kishte qenë vizioni i guximshëm i një tregu të vetëm të përbashkët, që do duhej të shtrihej nga Lisbona në Vladivostok.

Konfliktualiteti mes Lindjes dhe Perëndimit ka arritur nivele të papara në kontekstin e mjeteve të informacionit. “Ekspertë” nga të dy palët, po shpluhurosin të gjithë veglat e retorikës së Luftës së vjetër të Ftohtë. Dyshimet e ndërsjella, perceptimet e shtrembëruara, dhe madje edhe gënjeshtra të pastra, janë rikthyer në rutinën e jetës sonë të përditshme, sikurse ndodhte 30-40 vjet më parë. Disa shfaqin synimin për të përdorur sanksionet, si një mjet për

ndryshimin e regjimit, duke kryer në këtë mënyrë edhe një herë gabimet e së kaluarës, si dhe klishetë e ndjenjave nacionaliste.
Si po qëndrojnë gjërat tani, nuk është për t’u habitur që si në Rusi edhe në Evropë, të fillojë të flitet për një Luftë të dytë të Ftohtë. Projekti i një Evrope më të madhe, ide e promovuar shumë në mesin e politikanëve, ekspertëve dhe opinion-bërësve nga vende të ndryshme evropiane që prej mesit të viteve ‘80, sot nuk duket gjë tjetër veçse një fantazi e shkëputur tërësisht nga realiteti. Por një Luftë të re të Ftohtë, nuk mund t’ia lejojë vetes as Rusia, as Evropa.

Situata aktuale në Evropë u dhuron shumë argumente pesimistëve. E ardhmja e

Evropës së madhe është e paqartë, dhe është pak të thuash, e mjegullt. Kriza në Ukrainë ka fshirë pothuajse tërësisht këtë vizion nga axhenda e politikanëve dhe analistëve, nga lindja dhe perëndimi i kontinentit tonë.

Për ata që nuk duan të heqin dorë nga Evropa e madhe, do t’u këshillonim të rishikonin qasjen e e tyre, në kuadër të krizës ukrainase. Tashmë një nga prioritetet më realiste, po aq edhe ambicioze, do të ishte promovimi i një hapësirë humanitare për shoqërinë e përbashkët civile në nivel evropian, apo edhe euroatlantik.

Përsa i përket çështjeve ekonomike, të sigurisë dhe socio-humanitare të politikës evropiane, që janë të ndërlidhura dhe të

ndërvarura me njëra-tjetrën, në kohë vështirësish është madhësia e dialogut ndërmjet popujve, ajo që duhet të ketë një vëmendje të veçantë. Një tipar i rëndësishëm i bashkëpunimit midis popujve, identifikohet në natyrën e tij shumëdimensionale, thellësisht e diferencuar dhe komplekse. Ky lloj bashkëpunimi përfshin një mori rrugësh dhe aktorësh, formate dhe nivele të ndryshme, komunitete dhe rrjete.

“Pëlhura” e marrëdhënieve humanitare mes popujve mundet edhe të duket e hollë dhe e dobët, por ajo shpesh është shumë më rezistente ndaj krizës, sesa kur bëhet fjalë për fushën e sigurisë, apo edhe për ndërveprimet e natyrës ekonomike. Gjatë 10

viteve të fundit, bashkëpunimi humanitar i shoqërisë civile është shfaqur si një nga mjetet më të efektshme – dhe më pak të ngarkuara me polemika – ndër fushat e bashkëpunimit BE-Rusi. Ishte kuadri institucional që ishte përgatitur në vitin 2003, kur Moska dhe Brukseli formuan një hapësirë të përbashkët të kërkimit dhe edukimit, dhe që gjithashtu përfshinte bashkëpunimin kulturor.

Gjatë 10 vjetëve të fundit, kemi parë me mijëra projekte të reja që bashkuan studentë dhe studiues, liderë të shoqërisë civile dhe gazetarë, artistë dhe intelektualë nga Rusia dhe Evropa. Këto kontakte shkuan përtej Moskës dhe Brukselit, duke përfshirë

pjesëmarrës nga zonat më të largëta, nga qytetet e vogla provinciale dhe zonat rurale. Për më tepër, ky lloj bashkëpunimi humanitar, u dëshmua me një dobi të padyshimtë për të dyja palët. Kriza e brendshme dhe e jashtme në Ukrainë e ka shtyrë çështjen e bashkëpunimit humanitar, në periferinë e debatit politik. Ekspertët dhe politikanët e të dy palëve, duket të jenë të shqetësuar mbi çështje më kritike dhe urgjente.

Mund të arrihet në përfundimin, se në kohë shumë të vështira, me të gjitha rreziqet dhe pasiguritë që rezultojnë, është e arsyeshme të ruhen çështjet e bashkëpunimit humanitar, të paktën deri në kohën kur

situata e përgjithshme politike, të rikthehet të jetë më e favorshme për një bashkëpunim të tillë. Ne ndërkohë jemi të bindur, se qasja e tipit “presim dhe shohim”, do të ishte një gabim strategjik. Pikërisht në një periudhë krize të thellë politike, duhet t’i jepet prioritet kryesor ndërveprimit në çështjet e arsimit, kulturës dhe shoqërisë civile.

Kriza e Ukrainës nuk është një arsye e mjaftueshme, për të na bindur të heqim dorë nga qëllimi strategjik i ndërtimit të një hapësire humanitare të përbashkët, evropiane dhe euro-atlantike. Sigurisht, kriza nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka vështirësuar arritjen e këtij objektivi, por kjo sigurisht nuk ka ndryshuar parimet.

Rusia është një vend i kulturës evropiane. Ajo i përket qytetërimit evropian dhe shkenca e saj, edukimi, institucionet e shoqërisë civile janë më pranë Evropës, se cilitdo rajon tjetër i botës. Një hapësirë humanitare e përbashkët nuk është një ëndërr e një narkomani. Përkundrazi, mbetet një pikë mbërritjeje natyrore për Perëndimin dhe Lindjen e kontinentit tonë. Gjithësesi, duke mbajtur parasysh objektivin strategjik në fjalë, ne duhet ndërkaq të mendojmë sesi të kufizojmë dëmin, mbi atë sesi duhet zbutur ndikimi negativ i krizës ukrainase, në bashkëpunimin humanitar midis Rusisë dhe Evropës.

Dy misione janë të natyrës urgjente, dhe që na duken të një rëndësie të veçantë, në mes të kësaj krize. Së pari, do të duhet të parandalohet që bashkëpunimi ndërmjet popujve, të reduktohet në një tjetër mjet negociimi, në lojën e sanksioneve dhe kundër-sanksioneve. Sa më shumë të jetë e mundur, dimensioni i marrëdhënieve mes dy popujve në raportet BE-Rusi, duhet të izolohet nga zhvillimet negative në çështjet e sigurisë, politikës dhe ekonomisë.

Së dyti, ky bashkëpunim humanitar duhet të kërkohet, për të kundërbalancuar retorikën nxitëse dhe shpërndarjen e përfaqësimit super të thjeshtëzuar dhe të rremë, si dhe përhapjen e një pikëpamje

manikeike, bardhë e zi, të politikës evropiane, që tashmë po fillojmë ta shohim në Lindje dhe Perëndim.
Nuk duhet të gënjejmë veten: nëse temperatura e opinionit publik në Rusi dhe BE nuk do të bjerë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të shëruar marrëdhëniet tona, edhe në qoftë se zgjidhet kriza në Ukrainë. Për ta bërë këtë, ekzistojnë disa iniciativa të veçanta, që mund të ndërmerren. Duhet të fillojmë të përhapim “historitë e suksesit” të bashkëpunimit ruso- evropian, në kuadër të shoqërisë civile, që tek e fundit, kemi akumuluar në fusha të ndryshme.

Ne duhet të kundërshtojmë çdo lloj përpjekje për të goditur regjimin aktual të vizave, midis Rusisë dhe BE-së. Duhet të inkurajojmë lidhje më të forta, ndërmjet rajoneve ruse dhe atyre evropiane, binjakëzimet mes qyteteve dhe fshatrave, dhe kontaktet në këtë anë dhe përtej kufirit. Duhet të investojmë shumë në shkëmbimin kulturor, lëvizjen e nxënësve dhe studentëve. Nevojitet të rrisim bashkëpunimin në mes grupeve të ekspertëve, dhe qendrave kërkimore të pavarura, ruse dhe evropiane. Ne duhet të zgjerojmë kanalet ekzistuese, për të rritur numrin e pjesëmarrësve në ndërveprimin midis OJF-ve europiane dhe ruse, duke u siguruar që kjo të mos

monopolizohet nga çdo grup i vetëm i institucioneve, me axhendën e tyre specifike politike. Ne duhet të gjejmë mënyra të reja, për ta bërë më efikase diplomacinë kulturore midis Lindjes dhe Perëndimit të Evropës. Ne duhet t’i kushtojë vëmendje të madhe endjes së sa më shumë kontakteve mes mediave ruse dhe evropiane.

Duhet të thellohemi, mbi mundësitë që ofrohen nga turizmi kulturor.
Lista e veprimeve mund të shkojë përpara. Gjeste të tilla, mund të mos bien shumë në sy, sa do të binte një marrëveshje e madhe mbi sigurinë, apo një marrëveshje shumë- miliardëshe në energjetikë.

Por nuk duhet të harrojmë kurrësesi, se tek e fundit, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, nuk janë të kufizuara vetëm tek kontaktet midis udhëheqësve të shteteve, përfshirë diplomatët, ndërmjet ushtarakëve, dhe aq më pak në mesin e manjatëve të botës së biznesit.

Këto raporte kanë të bëjnë para së gjithash me njerëzit normalë – frikërat dhe shpresat e tyre, frustrimet dhe pritshmëritë – si dhe jetën e përditshme dhe planet për të ardhmen. Nëse nuk përfshihet faktori njeri, ndoshta asgjë tjetër nuk do të funksionojë. Neve do donim të propozonim një nismë, që mund të përdoret menjëherë, një nismë që mund të jetë një simbol i vendosmërisë dhe

shpresës, një veprim për të rinjtë evropianë dhe rusë.
Ashtu si Franca dhe Gjermania u pajtuan falë traktatit të Elizesë në vitin 1963, duke krijuar një zyrë të përbashkët për rininë, ne do të dëshironim të hidhnim themelet e një pajtimi evropiano-rus, përmes krijimit të një agjensie rinore ruso-evropiane, të bazuar në shkëmbimin e studentëve, mbi bursat e studimit për inisiativat e reja të biznesit, mbi mbështetjen për trajnimin e gjuhës dhe shumë çështje të tjera. /“Huffigntonpost”/ Shënim: Dominique de Villepin, ish- kryeministër i Francës në vitet 2005-2007, Igor Ivanov ish-ministër i Jashtëm i Rusisë.

Shkrimi është botuar fillimisht në të përditshmen franceze “Le Monde”
Perkthimi: a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button