Analiza

Aspekti alarmant i alarmit për klimën

Të ekzagjeruara, pretendimet në rastin më të keq çojnë tek një politikë e keqe, që injoron një pasuri të madhe të dhënash

Nga Bjorn Lomborg

climateËshtë një fakt i padiskutueshëm, se emetimet e karbonit janë në rritje, madje edhe më shpejt sesa parashikuan shumica e shkencëtarëve. Por shumë nga ata që përhapin alarme mbi ndryshimin e klimës, duket se pretendojnë se i gjithë ndryshimi është shumë më i keq sesa pritej. Kjo injoron megjithatë faktin se shumë nga të dhënat aktuale, në të vërtetë janë inkurajuese.
Studimi i fundit nga Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, zbuloi se gjatë 15 viteve të shkuara, temperatura mesatare globale ishte rritur me 0.09 gradë Fahrenheit. Ndërkohë, mesatarja e të gjitha modeleve priste një rritje me të paktën 0.8 gradë. Pra, ne jemi duke përjetuar një rritje temperature gati 90 përqind më pak nga sa parashikohej.
Fakte si ky janë të rëndësishme, pasi një fokus i njëanshëm në tregimet e rasteve më të këqija, përbën një themel të dobët, për të ndërtuar politika të shëndosha për të ardhmen. Po, është e vërtetë: akulli detar i Arktikut po shkrin më shpejt se pritshmëria fillestare. Por të njëjtat modele gjithashtu parashikuan se shkrirja e akullit në brigjet e Antarktidës do të ulej, kur në realitet është në rritje.
Po, nivelet e detrave po rriten, por kjo rritje nuk po përshpejtohet. Dy publikime të kohëve të fundit, njëra nga shkencëtarët kinezë botuar në janar 2014 nën titullin “Ndryshimet globale dhe planetare”, dhe tjetra nga shkencëtarët amerikanë e botuar në numrin e majit 2013 të revistës “Inxhinieria bregdetare”, kanë folur për një rënie të vogël të normës së rritjes së nivelit të detrave.
Shpesh na është thënë, se po përjetojmë gjithnjë e më tepër thatësira, por një studim i publikuar marsin e shkuar në revistën “Natyra” tregonte se në të vërtetë ka një rënie të sipërfaqes të goditur nga thatësira që prej vitit 1982.
Uraganet janë përdorur gjithashtu si një shembull i përdorimit të figurshëm të asaj që “ndonjëherë ndodh edhe më keq”. Nëse ne shikojmë SHBA-në, ku kemi statistikat më të mira, kostot e dëmeve nga uraganët janë në rritje. Por kjo vetëm për shkak se ka më shumë njerëz me prona shumë më të shtrenjta, që jetojnë pranë brigjeve. Nëse do të pjesëtoni popullsinë aktuale me pasurinë, rezulton se dëmet nga stuhitë gjatë viteve 1900-2013, kanë rënë disi.
Në konferencën e fundit të OKB mbi klimën në Lima të Perusë dhjetorin e kaluar, të pranishmit u shprehën se vendet e tyre do të shkurtojnë emetimet e karbonit, për të shmangur dëmet e ardhshme nga stuhitë sikurse ishte Tajfuni “Hagupit”, që goditi Filipinet pikërisht gjatë konferencës, duke vrarë të paktën 21 persona dhe detyruar më shumë se 1 milionë banorë të shpërngulen përkohësisht nga banesat e tyre. Megjithatë krahasuar me vitin 1950, prirja për stuhi shkatërruese në Filipine, ka rënë ndjeshëm dhe këtë e thotë pikërisht një studim i publikuar në vitin 2012, nga gazeta e “Shoqatës Meteorologjike Amerikane”. Përsëri, po dëgjojmë të thuhet se gjërat janë më keq se kurrë më parë, por faktet nuk e mbështesin këtë.
Kjo është e rëndësishme, pasi nëse duam të ndihmojmë njerëzit e varfër, që janë më të kërcënuar nga fatkeqësitë natyrore, ne duhet të pranojmë se duhet bërë me shumë për nxjerrjen e tyre nga varfëria, sesa mbi shkurtimin e emetimit të karbonit.
Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të shohim me kalimin e kohës vdekjet, që ndodhin në botë nga katastrofat natyrore. Bazuar tek të dhënat e Universitetit të Oksfordit, mbi shifrat e vdekjeve nga përmbytjet, temperaturat ekstreme, thatësirat dhe stuhitë, mesatarja në pjesën e parë të shekullit XX, ishte më shumë se 13 të vdekur çdo vit në 100 mijë njerëz. Prej atëherë, niveli i vdekshmërisë ka rënë me 97 përqind, me një shifër akoma më të papërfillshme në vitin 2010 me 0.38 të vdekur për çdo 100 mijë njerëz.
Rënia dramatike i detyrohet kryesisht zhvillimit ekonomik, që nga ana e tij i ndihmon kombet të përballojnë katastrofat. Nëse jeni një vend i pasur si psh. Florida, një stuhi e madhe mund të shkaktojë dëmë të shumta tek ndërtesat e shtrenjta, por ajo vret pak njerëz dhe shkakton një dëm të përkohshëm në prodhimin ekonomik. Por në rast se një stuhi e ngjashme godet një vend të varfër si psh. Filipinet apo Guatemalën, ajo vret shumë më shumë njerëz dhe mund të zhysë në një krizë të thellë edhe ekonominë kombëtare.
Me pak fjalë, ndryshimi i klimës është jo aq keq sa kemi menduar më parë. Disa tregues janë më keq, ca të tjerë më mirë. Kjo nuk do të thotë aspak se ngrohja globale nuk është një realitet apo jo një problem. Padyshim që është një problem. Por fabula që klima në botë po ndryshon keq e më keq, mendoj se është një alarmizëm i padobishëm, që na pengon të fokusohemi tek zgjidhjet e zgjuara.
Në mirëkuptim, një ambjentalist mund të thotë se për shkak se ndryshimi i klimës është një realitet, përse të mos e lëmë mënjanë retorikën dhe të përqëndrohemi tek një lajm i keq, për t’u siguruar që publiku e kupton rëndësinë e problemi. Por a nuk është kjo ajo që kemi bërë 20 vitet e fundit? Publiku është bombarduar me tituj dramatike dhe foto apokaliptike, të ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj. Megjithatë, pavarësisht samiteve të pafundme ndërkombëtare mbi klimën, emetimet e karbonit po vazhdojnë të rriten, veçanërisht në vendet në zhvillim të shpejtë si India, Kina dhe shumë vende afrikane.
Alarmizmi ka inkurajuar ndjekjen e një politike të njëanshme mbi klimën, duke u përpjekur të ulet emetimi i karbonit, e duke subvencionuar ndërtimin e mullinjve me erë dhe paneleve diellore. Por sot, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, vetëm rreth 0.4 përqind e konsumit të energjisë globale vjen nga panelet diellore apo mullinjtë e erës. Dhe me përjashtim të supozimeve optimiste rreth zhvillimit të ardhshëm energjisë së erës dhe asaj diellore, ANE pret që këto forma të energjisë të sigurojnë vetëm 2.2 përqind të nevojave botërore për energji në vitin 2040.
Me fjalë të tjera, të paktën për 2 dekadat e ardhshme, energjia diellore dhe ajo e erës janë thjesht të shtrenjta, masa që të bëjnë të ndjehesh mirë por që do ndikojnë thuajse aspak mbi klimën. Në vend të kësaj, ne duhet të përqëndrohem në investimin mbi kërkimin dhe zhvillimin e energjisë së gjelbër, duke përfshirë teknologjinë baterive të reja që ruhen më mire, dhe shkarkimin e energjisë diellore dhe të erës dhe ulur kostot e tyre.
Ne gjithashtu duhet të investojnë, për të nxitur rritjen ekonomike në vendet më të varfëra të botës, të cilat vuajnë më shumë nga fatkeqësitë natyrore. Përballë parashikuesve të katastrofës, që do të sjellë ndryshimi i klimës, ne kemi nevojë urgjente të vendosim një balancë, nëse vërtet duam të bëjmë zgjedhje të ndjeshme, duke zgjedhur politikat e drejta që mund të ndihmojë ngadalë njerëzimin, dhe në mënyrë të pashmangshme ta përshtasin atë me ndryshimin e klimës. /“Wall Street Journal”/
* Shënim: Bjorn Lomborg  është Drejtor i “Qendrës së Konsensusit” në Kopenhagen. Ai është autor i librit “Ambjentalisti skeptic” në vitin 2001) dhe “Qetësohuni” në vitin 2007.

Leave a Reply

Back to top button