“Ato si unë” është një ndër poezitë më të bukura nga shkrimtarja italiane Alda Merini. Poezia duket sikur i referohet karakterit të shkrimtares, kur në fakt i referohet karakterit të çdo femre të fortë që shpesh vendos të sakrifikojë veten për të mirën e të tjerëve. Ama pavarësisht kësaj zgjedhjeje, autorja në fund të poezisë, vendos të fajësojë ata që i largohen (do të ndiejnë keqardhje për humbjen e saj), në vend të reflektimit për të ndryshuar.
“Ato si unë”
Ato si unë të dhurojnë ëndrra, madje edhe kur rrezikojnë të mbeten pa to.
Ato si unë të japin shpirtin,
sepse një shpirt i vetmuar është si një pikë në shkretëtirë.
Ato si unë të shtrijnë dorën e të ndihmojnë të ringrihesh,
duke marrë parasysh rrezikun që mund të bien vetë,
Ato si unë shohin përpara,
edhe pse zemra u mbetet gjithmonë disa hapa pas.
Ato si unë kërkojnë sensin e jetës dhe,
kur e gjejnë atë,
përpiqen t’ua mësojnë atyre që vetëm mbijetojnë.
Ato si unë, kur duan, duan përgjithmonë,
dhe heqin dorë të duan kur
fragmente të vogla të qënies luajnë pa krahë me duart e jetës.
Ato si unë ndjekin një ëndërr
që t’i duan për atë që janë
dhe jo për atë që do të mund të kishin qenë.
Ato si unë bredhin nëpër botë në kërkim të atyre vlerave që, tani,
kanë rënë në harresën e shpirtit.
Ato si unë do të dëshironin të ndryshonin,
po të ndodhte, do të bënte që të lindnin përsëri.
Ato si unë këlthasin në heshtje,
sepse zëri i tyre nuk ngatërrohet me lotët.
Ato si unë janë ato që ti gjithmonë arrin t’ua thyesh zemrën,
sepse ti e di që ato të lënë të shkosh pa të kërkuar gjë.
Ato si unë dashurojnë marrëzisht, duke e ditur se në këmbim
nuk do të marrin veç thërrime.
Ato si unë ushqehen me fare pak, dhe për fat të keq, aty e bazojnë ekzistencën e tyre.
Ato si unë kalojnë pa u vënë re,
por janë të vetmet që me të vërtetë do të të donin.
Ato si unë janë të vetmet që, në vjeshtën e jetës tënde,
do të ndjesh keqardhje
për të gjitha ato që mund të kishin dhënë ty dhe …
që ti nuk ke dashur kurrë.