Analiza

Austri/13 avionë u zhdukën nga radarët në 5 dhe 12 qershor. Nisin hetimet për misterin

austri avionetPlot 13 avionë janë zhdukur papritur nga radarët, për rreth 25 minuta, në dy raste të ndara, teksa fluturonin mbi hapësirën ajrore austriake.

Incidentet kanë ndodhur më 5 Qershor dhe 12 Qershor, në atë që po konsiderohet si një ngjarje në rrethana “të paprecedenta”, teksa të dhënat e fluturimit janë zhdukur nga monitorët e kontrollorëve të hapësirës ajrore. Organizata për Fluturime të Sigurta në Austri pranoi se lartësia, vendndodhja dhe informacione të tjerë për plot 13 avionë u zhdukën në mënyrë misterioze nga radarët.

Besohet se shumica e këtyre avionëve ishin fluturime për distanca të gjata, me pasagjerë të shumtë në bord. Markus Pohanka, një zëdhënës për “Austro Control”, tha se agjencive përkatëse të BE-së u është kërkuar të hetojnë mbi këtë situatë “të paprecedent”. Ai shtoi se edhe vende të tjera fqinje, por pa identifikuar ndonjë, kanë pasur incidente të ngjashme, dhe se “Eurocontrol”-it të BE-së dhe Agjencisë Europiane për Sigurinë në Aviacion u është kërkuar të nisin hetimet.

Pohanka nuk identifikoi kombet e tjera, mbi të cilat kanë kaluar fluturime europiane, në momentin kur ata janë zhdukur nga survejimi i radarëve sekondarë.

Gjithsesi, një raport i publikuar në gazetën “Kurier” bënte të ditur se, ashtu siç ka ndodhur në Vjenë të Austrisë, kontrollorët e fluturimeve në Mynih dhe Karlsruhe të Gjermanisë, në Pragë të Çekisë dhe Bratislavë të Sllovakisë, kanë raportuar mbi probleme të ngjashme. Raporti bënte të ditur se kontrollori gjerman i trafikut ajror kishte konfirmuar “black-out”-et, duke shtuar se arsyeja përse nuk ka pasur përplasje ka qenë për shkak të kontrollorëve të trafikut ajror. Këto ngjarje mund të kishin pasur pasoja dramatike, pasi rreth 4000 avionë kalojnë mbi hapësirën ajrore austriake çdo ditë, me rreth 50 avionë në ajër në një moment të vetëm, sipas raportimit. Trafiku ajror është kryer “verbërisht” dhe vetëm me komanda zanore, gjatë periudhës së zhdukjes së përkohshme. Zbulimet e fundit vijnë si jehonë ndaj rrethanave të pashpjegueshme të humbjes së fluturimit të “Malaysia Airlines”, MH370, nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, që u zhduk më 8 Mars. /gazetaexpress/

Leave a Reply

Back to top button