Histori

AVENTURA SPIUNAZHI / Operacioni “Fortitude”, mashtrimi i Madh

Një ditë të bukur maji të vitit 1944, në një zonë rurale në jug të Anglisë një zotëri i qetë, Sydney George Cripps, një besnik i Madhërisë së Saj, trembet jo pak kur sheh nga dhoma e tij e ndenjes se shumë tanke janë duke përshkuar tokat e tij. Nuk ka as kohë të irritohet kur vëren i habitur se tanket nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Shumë kurioz, Cripps del nga shtëpia, i afrohet vendit ku kanë kaluar dhe vëren që toka nuk është prekur shumë. Çfarë po ndodh? Cripps vëren nga larg një skenë të dytë që e lë edhe më të habitur. Një dem, i shqetësuar prej kolonës së çuditshme, i vërsulet njërit prej tankeve dhe e godet me brirë. Tanku… shfryhet! Më në fund arrin të kuptojë. Tanket janë të sajuar. Janë mjete të mëdhenj prej kauçuku që të parë prej së largu të krijojnë përshtypjen se janë mjete të vërtetë të blinduar. Cripps është duke parë fillimin e operacionit më të famshëm të “intoksikimit informativ” të realizuar ndonjëherë nga anglo-amerikanët.

Shqetësimi parësor është që të ngatërrohen nazistët për vendin e zbarkimit të madh për hapjen e të ashtuquajturit “fronti i dytë”. Kështu që është e nevojshme të bëhet Berlini të besojë, për të përcarë forcat e tij, që aleatët do të kryejnë jo një, por disa zbarkime në veri dhe në jug të Europës. Operacione për të cilët do të angazhohen tetëdhjetë divizione (në fakt janë vetëm 40 në dispozicion). Si pasojë, duhet të bëhet i besueshëm projekti, duhen “krijuar” nga hiçi dyzetë divizione virtualë, me armatime, tanke, avionë, njerëz, gjithçka e sajuar me rigorozitet. Angazhimi duhet të jetë total. Nga suksesi i zbarkimit varet në fakt rezultati përfundimtar i luftës. Hitleri ka ende pozicione domethënës mbrojtës në Francë (“Muri i Atlantikut”) dhe shkencëtarët e tij po punojnë me shpejtësi për armën absolute. Nëse Fyhreri reziston dhe ka kohën për të ndërtuar bombën atomike… lufta është e humbur!

Operacioni Fortitude zhvillohet në tre drejtime të ndryshëm: në Veri (operacione në Norvegji në përpjekje për të mbajtur të gozhduar në terren 380 mijë ushtarët gjermanë që kanë pushtuar vendin); në jug (të bëjnë të besojnë që zbarkimi do të ndodhë në Calais dhe jo në Normandi ku ishte programuar); Jug II (aktivitete të mëtejshëm pas zbarkimit).

Për të koordinuar iniciativat e mistifikimit ngarkohet një veteran i Luftës së Madhe, një ekspert i fushës, koloneli Rory McLeod, i cili vendos “zyrat qendrore” në një kështjellë pranë Edinburgut. Angazhon një skuadër të shkëlqyer operatorësh dhe shifruesish, që nisin një shkëmbim shumë intensiv mesazhesh telefonikë dhe përmes radios, disa të qartë disa të koduar. Gjermanët vihen në lëvizje dhe pyesin çfarë ka prapa gjithë këtij aktivizmi. Shumë shpejt pikasin shënjestrat e aleatëve por kanë nevojë për verifikime të mëtejshëm në terren.

Kështu, aktivizojnë agjentin e tyre më të mirë në Britaninë e Madhe: Joan Pujol Garcia, i quajtur Garbo. Por nuk e dinë që Garbo prej kohësh punon në të vërtetë për aleatët. Prej tij do të marrin vetëm lajme të rremë.

Eshtë projekti Fortitude Sud që parashikon skenarin më të sofistikuar: përqëndrimin në jug të Anglisë të tre trupave të armatës, dy të parët të vërtetë, i treti i sajuar. Ky i fundit është korpusi i tretë i armatës amerikane, i quajtur FUSAG, i dalë prej fantazisë së strategëve të shërbimit të fshehtë.  Do të simulojë nisjen e tij nga jugu i Anglisë drejt veriut të Francës, në drejtim të rajonit të Pas de Calais, ku Berlini është gjithmonë e më i bindur se do të ndodhë zbarkimi: mes Calais dhe Dover, pika më e ngushtë e kanalit.

Kështu avionët gjermanë që mbikëqyrin brigjet angleze nga ana e Dover, mund të vërejnë armatën e fuqishme e përbërë në fakt nga avionë prej druri, mjete zbarkimi dhe tanke prej kaucuku, disa kinse depozita karburanti, që pret të pushtojë pikërisht veriun e Francës. Pilotët nazistë nuk e vënë re që kursehen prej kundërajrorëve britanikë, të cilët i lejojnë atyre të fotografojnë skenografinë e përgatitur, edhe me ndihmën e specialistëve të kinemasë që simulojnë shkatërrimin e depozitave të karburantit.

Fortitude Sud në fund do të funksionojë aq mirë sa që, menjëherë pas zbarkimit të trupave të para aleate në brigjet e Normandisë, komanda e lartë gjermane do të hezitojë plot 48 orë përpara se të vendosë të dërgojë përforcime në frontin e ri, pasi ende nuk e ka kuptuar strategjinë e aleatëve. Dy ditë të gjata pasigurie fatale për nazistët, dy ditë gjatë të cilave aleatët konsolidojnë kullat e tyre të rojës, lejojnë mbërritjen nga Anglia të armatës së gjeneralit Bradley duke nisur kështu çlirimin e Europës.

Asnjëherë si në rastin e Fortitude, shërbimet e fshehtë nuk i kanë shërbyer kaq mirë nismës ushtarake, në një kontekst bashkëpunimi të shkëlqyer politiko-strategjiko-operativ. /Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button