
Një skuadrilje avionësh të luftës elektronike Ea-18 “Growler” të Marinës amerikane është parë në pistën e Roosevelt Roads, baza ushtarake e Porto Rikos që Shtetet e Bashkuara e kanë bërë sërish operative për të zhvilluar më lehtësisht një “konflikt të armatosur jo ndërkombëtar”, kundër karteleve të drogës që veprojnë në Detin e Karaibeve, ku Pentagoni vazhdon të grumbullojë një forcë ushtarake gjithnjë e më të madhe dhe të larmishme. Një task force që po merr gjithnjë e më shumë formën e një force pushtuese.
Sipas analistëve OSINT, mund të bëhet fjalë për skuadronin e luftës elektronike të quajtur “Scorpion”, i mbërritur mbrëmë nga baza Whidbey Island në shtetin e Uashingtonit, në Bregun Perëndimor, shumë larg Karaibeve. Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit, administrata Trump sapo ka urdhëruar “sekuestrimin e një cisterne nafte” nga Roja Bregdetare amerikane pranë brigjeve të Venezuelës.
Megjithëse ka “rritur presionet mbi presidentin venezuelian Nicolás Maduro”, shkruan Reuters, “Uashingtoni nuk kishte ndërhyrë deri tani për të penguar flukset e naftës”. Ky sekuestrim ndodh në një kontekst tashmë tepër të tensionuar, për shkak të presionit masiv ushtarak të SHBA-së në rajon dhe fluturimeve të çuditshme të avionëve ushtarakë të regjistruar ditët e fundit.
Fluturime të pazakonta në qiellin e Karaibeve
Pas disa fluturimeve zbulimi nga avionët F/A-18 Super Hornet të mbërritur pranë Maracaibo-s, qyteti i dytë më i madh i Venezuelës, dhe identifikimit në hapësirën ajrore të Gjirit të Meksikës të një tjetër avioni të luftës elektronike të dislokuar në aeroplanmbajtësen USS Gerald Ford, e cila ndodhet aktualisht në Karaibe, prania e këtij skuadroni të veçantë sulmues të luftës elektronike, duke marrë parasysh rolin që do të luante në një operacion të gjerë ushtarak, mund të konsiderohet si sinjali më i fundit për Nicolás Maduro-n, më shumë se për kartelet e drogës.
Ekspertët vazhdojnë të ngrejnë dyshime mbi ligjshmërinë e sulmeve të kryera nga amerikanët, të cilët kanë goditur mbi 15 mjete lundruese të paidentifikuara, duke shkaktuar 80 të vdekur. Ndërkohë qeveria e Karakasit i akuzon Shtetet e Bashkuara se po zhvillojnë një “fushatë destabilizimi” kundër Venezuelës, duke u fshehur pas një operacioni të gjerë antidrogë në rajon.
SHBA-të kanë dislokuar në Karaibe më shumë se një duzinë anijesh luftarake, përfshirë njësi për operacione amfibie, dy nëndetëse sulmuese, një anije të inteligjencës dhe të gjithë grupin goditës të aeroplanmbajtëses Ford.
Sipas marshallit britanik në pension G. Bagwell, i konsultuar nga BBC, qëllimi i këtyre “fluturimeve të çuditshme” amerikane mund të jetë “testimi i mbrojtjeve venezueliane dhe vëzhgimi i reagimeve si trafiku radio dhe sinjalet e koduara të lidhura me sistemet e mbrojtjes”. Diçka e ngjashme me atë që rusët bëjnë përgjatë kufijve lindorë të NATO-s. Fluturime që konsiderohen të zakonshme.
Misioni i Growler-ve
Growler-at mund të kenë kapur sinjale inteligjence, ndërsa Super Hornet-et mund të kenë ofruar mbulim të mbrojtjes ajrore për “old crows”, “korbat e vjetër”, siç quhen operatorët e luftës elektronike, të specializuar në prishjen e radarëve armikë.
Avionët EA-18 Growler përdoren rregullisht në operacione që synojnë dominimin dhe ndërhyrjen në spektrin elektromagnetik, duke penguar emetimet e radio të mbrojtjes ajrore apo tokësore, me synimin që të mos lejojnë radarët të zbulojnë formacionet mike që përgatiten për një “strike”, pra një sulm bombardues. Kjo arrihet përmes sistemeve të vendosura në podet nën krahë dhe me përdorimin e raketave antiradar, duke shkatërruar rrjetin mbrojtës armik. Lufta elektronike synon të sigurojë përparësi taktike dhe strategjike në përdorimin e spektrit elektromagnetik, “duke u hapur rrugën” avionëve të tjerë luftarakë dhe sulmues.
Sipas oficerit britanik, prania e një Growler-i në fluturim mbi Gjirin e Venezuelës ditët e fundit mund të interpretohet si “mbledhje paraprake informacioni për operacione të mëvonshme, ose thjesht si një paralajmërim për këto operacione”.
Në luftën moderne, ku nga “sinjalet” që përshkojnë spektrin elektromagnetik varet suksesi i çdo operacioni ushtarak kompleks, prania e një skuadroni avionësh për luftë elektronike EA-18 “Growler” mund të nënkuptojë vetëm një gjë: jemi gati t’ju verbojmë radarët dhe t’ju çaktivizojmë sistemet e mbrojtjes, për të goditur nëse do të jetë e nevojshme. / bota.al





