Analiza

Azia është në prag të një epoke të artë. Ja përse

Kishore Mahbubani
Dekan i Shkollës së Politikave Publike “Lee Kuan Yew”

Walmart Reopens Chongqing Stores After 15-Day Suspension

Azia do të përjetojë një tjetër epokë të artë paqeje dhe begatie gjatë 10 viteve të ardhshëm. Modeli i të kaluarës, i rritjes ekonomike i udhëhequr prej eksporteve, nuk do të funksionojë më për ekonomitë e mëdha aziatike. Kështu që, nuk ka gajsa të shohim një rikthim tek rritja ekonomike dyshifrore.
Nëse ekonomitë e mëdha të Azisë, sidomos Kina, India dhe Indonezia, do të jenë në gjendje të ruajnë norma rritjeje ekonomike prej 7% në vit, kjo do të jetë një arritje e madhe. Fatmirësisht, munden që ta realizojnë. Tre janë faktorët që do të nxisin këtë arritje.
Faktori i parë është një aksident pothuajse i pabesueshëm i historisë. Eshtë vërtetë e jashtëzakonshme që tre shtetet me popullsi më të lartë të Azisë, Kina, India dhe Indonezia, kanë zgjedhur të treja, në të njëjtën kohë, udhëheqës dinamike me prirje për reforma, që mund të pritet të transformojnë vendet e tyre gjatë dekadës së ardhshme.
Faktori i dytë është konsolidimi i konsensusit “Deng Xiaoping-Lee Kuan Yew”, për zhvillimin kombëtar. Ne sapo kemi parë takimin e jashtëzakonshëm të tre udhëheqësve në Azinë Lindore: APEC në Pekin, Samiti i Azisë Lindore në Naypyidaw dhe Grupi i 20-shes në Brisbane.  U firmosën një numër i madh marrëveshjesh të reja. Pati edhe një shtrëngim historik duarsh (ndonëse pa buzëqeshje), mes presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, duke shuar frikërat për një luftë Kinë-Japoni. Cili ishte faktori në themel të suksesit të këtyre takimeve? Përgjigja e thjeshtë është se, duke përjashtuar Korenë e Veriut, ka një konsensus jashtëzakonisht shumë të gjerë dhe të thellë mes udhëheqësve rajonalë, se ata duhet të fokusohen në modernizimin dhe zhvillimin pragmatist. Kjo shpjegon përse Azia Lindore është funksionale, ndërkohë që Lindja e Mesme mbetet jofunksionale. Rajoni ynë është infektuar nga një virus i heshtur dhe i shëndetshëm modernizimi. Për arsye se është i heshtur, media perëndimore nuk e ka vënë re dhe vazhdon të predikojë ‘fundin e botës”.
Faktori i tretë është shpërthimi i popullsisë së klasës së mesme në Azi, nga 500 milionë në vitin 2010, në 1.75 miliardë në 2020-ën. Kompanitë shumëkombëshe e kanë pikasur këtë tendencë. Shumë prej këtyre kompanive janë disa hapa përpara qeverive të tyre dhe e kanë rritur praninë në rajon. Singapori ka potencialin që të jetë përfituesi më i madh i kësaj zhvendosjeje të madhe drejt Azisë. Konsumatorët pesimistë perëndimorë nuk do ta rrisin kërkesën globale. Do të jenë konsumatorët optimistë aziatikë që do ta bëjnë këtë.
Do të ishte budallallëk të mendonim se në rajon gjithçka do të jetë rozë. Janë disa re të zymta gjeopolitike që vazhdojnë të qëndrojnë mbi rajon. Pesë prej tyre duhet të përmenden.
POR KA RE NE QIELL
Marrëdhënia gjeopolitike më e rëndësishme është gjithmonë mes fuqisë Nr. 1 të botës (tani SHBA) dhe asaj që e synon këtë vend, që sot është Kina. Teorikisht, marrëdhëniet SHBA-Kinë duhet të arrijnë një kulm të ri të rivalitetit gjatë dekadës së ardhshme, sepse këtë vit Kina do të parakalojë SHBA dhe do të bëhet ekonomia më e madhe e bots për nga pariteti i fuqisë blerëse. Cuditërisht, marrëdhënia SHBA-Kinë është shumë e qëndrueshme.
Në të vërtetë, kanë nisur të shquhen madje rreze dielli në atë që duhet të jetë reja më e zezë gjeopolitike, siç demonstrohet edhe nga marrëveshja e jashtëzakonshme për klimën mes Xi Jinping dhe presidentit të SHBA, Obama.
Marrëveshja më e rrezikshme këtë vit ishte ajo mes Kinës dhe Japonisë. Shumëkush druhej se do të shkonin në luftë mes tyre. Por, ata shtrënguan duart. Nëse Abe mundet të frenojë tendencat e tij nacionaliste dhe fokusohet në rimëkëmbjen e ekonomisë së Japonisë, kjo marrëdhënie e trazuar mund të mbahet nën kontroll. Disa udhëheqës kinezë mund të kenë kuptuar gjithashtu se Kina e ka tepruar duke kërcënuar Japoninë gjatë viteve të fundit.
Marrëdhënia gjeopolitike më e rëndësishme për të ardhmen është mes ekonomive të ardhshme Nr. 1 dhe Nr. 2, domethënë Kinës dhe Indisë. Kur Narendra Modi u zgjodh kryeministër i Indisë, kishte shpresë për një kthesë të madhe. Megjithatë, problemi i kufirit vazhdon ta ndërlikojë këtë marrëdhënie. Bota pret që Modi dhe Xi Jinping ta kapërcejnë këtë çështje.
Logjikisht, Rusia duhej të kish lëvizur më pranë Europës dhe Perëndimit, për të ekuilibruar një Kinë në rritje. Por, ka ndodhur e kundërta. Aksidenti në Ukrainë e prishi logjikën gjeopolitike. Nëse udhëheqësit perëndimorë do të kishin qenë po aq pragmatistë sa udhëheqësit aziatikë, ata do ta kishin gjetur një kompromis. Në vend të kësaj, Perëndimi ra sërish në tendencën për t’i dhënë gjithmonë të drejtë vetvetes, dhe i vendosi sanksione Rusisë. Kjo humbje gjeopolitike e Perëndimit ka qenë një fitim për Azinë, gjë që e dëshmon edhe marrëveshja 400 miliardë dollarëshe për gazin mes Rusisë dhe Kinës.
Në fund, Shteti Islamik u shfaq totalisht si surprizë. Do të ishte injoruar, nëse nuk do të ishin vrarë perëndimorë të pafajshëm. Ekzekutimet me prerje koke detyruan perëndimin, sidomos SHBA, të reagojë. Megjithatë, ISIS nuk paraqet një rrezik të madh global. Eshtë një tumor i izoluar.
MOS BESONI MEDIAN ANGLO-SAKSONE
Për të kuptuar ç’ndikim do të kenë mbi Azinë këto pesë re gjeopolitike, ju lutem mos u mbështesni tek mediat dominuese anglo-saksone. Disa prej kryeredaktorëve të tyre janë ngërthyer në një univers mendor të ngushtë dhe shpesh herë ideologjik.
Për shembull, media anglo-saksone ka 25 vjet që parashikon kolapsin e Partisë Komuniste Kineze. Mendoj që do të vazhdojnë ta bëjnë edhe gjatë 10 viteve të ardhshëm. Parashikoj gjithashtu që PKK do të vazhdojë të ekzistojë edhe më shumë se 10 vjet.
Ka një kërkesë globale për një zë autoritar që të flasë për ringjitjen e Azisë.
Kur mbizotëronte Perandoria Britanike, Times e Londrës shërbente si gazeta e rregjistrimit të ngjarjeve. Kur nisi shekulli amerikan, New York Times mori vendin e saj. Tani që shpaloset shekulli aziatik, The Strait Times është e aftë të shndërrohet në gazetën e ngjarjeve për shekullin aziatik. Fatmirësisht, The STrait Times ka tashmë një grup të shkëlqyer korrespondentësh aziatikë. Ka produktin. Gjithë sa i duhet të bëjë është të krijojë një paketë të re lajmesh mbi Azinë, për pjesën tjetër të botës.
ASEAN është kyçi
ASEAN (Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore) do të duhet të luajë një rol kritik në dekadën e ardhshme. Shumë pak në botë i kanë dhënë ASEAN-it meritën për kulturën e “musyaëarah dhe mufakat” (“konsultimit” dhe “konsensusit”) të zhvilluar në Azinë Juglindore. Më e rëndësishmja, ASEAN ka infektuar edhe pjesën tjetër të Azisë Lindore dhe Azisë Jugore, që kanë një kulturë të ngjashme. Kjo është arsyeja përse të gjithë fuqitë rajonale, duke përfshirë SHBA dhe Rusinë, “besojnë” se ASEAN do të ofrojë një platformë neutrale të besueshme për t’u bërë të mundur të angazhohen me njëri-tjetrin. Megjithatë, që të luajë me besueshmëri këtë rol udhëheqës, ASEAN duhet të ruajë kohezionin dhe të garantojë që Kominiteti Ekonomik i ASEAN do të jetë një sukses.
Vendet e ASEAN duhet të kapërcejnë qasjen e tyre skizofrenike kundrejt bashkëpunimit ekonomik të ASEAN. E vetmja mënyrë për të lënë pas këtë qasje është të përdoret forca e arsyes. Cdo analizë ekonomike racionale do të tregojë se asnjë treg i vendeve të ASEAN, as i INdonezisë, nuk është i madh sa duhet për të konkuruar me Kinën dhe Indinë, nëse këto shkëputen.
Kompanitë e ASEAN kanë nevojë për një terren më të madh nëse duan të bëhen konkuruese. Kështu që, vitin tjetër, të udhëhequr nga Malajzia, udhëheqësit e ASEAN duhet të çojnë një nivel më lart bashkëpunimin ekonomik. Shkurt, të gjithë këto tendenca të çojnë drejt një epoke të re të artë të rajonit. Për të kuptuar të ardhmet e tyre, aziatikët duhet të besojnë në vetvete si dhe të zhvillojnë narrativa të reja pozitive globale, për të zëvendësuar narrativat dominuese negative të Perëndimit./HuffPost/

Leave a Reply

Back to top button