“Jetonim bashkë, por askush nuk e dinte dhe askush nuk duhej ta dinte. Unë, mamaja ime Anne dhe babai im François Mitterrand ishim një familje, e vërtetë. Por një familje e fshehur.” Kështu e përshkruan Mazarine Pingeot, për 20 vite vajza e fshehtë e ish-presidentit francez, historinë e saj në një intervistë për Corriere della Sera. Rasti që e solli këtë rrëfim ishte dalja e librit të saj të ri, që mban emrin e adresës ku ajo u rrit, e mbrojtur nga sytë e botës: 11 Quai Branly. “Ishte një vend jashtë hapësirës së zakonshme, ku asnjë shoqe shkolle nuk mund të vinte kurrë të trokiste në derë. Sapo mbyllej dera, unë dhe babai luanim damë ose shihnim ndeshje në një divan me vija të kuqe. Një jetë normale, por e izoluar.”
Telefonatat e George Bush-it
Mazarine është fryt i lidhjes së François Mitterrand-it me Anne Pingeot, historiane arti 27 vjet më e re. Një dashuri e madhe, por e fshehur: Mitterrand, i martuar me Danielle Gouze dhe baba i dy fëmijëve të rritur, nuk u divorcua kurrë. “Mamaja ime mendoi se do më rriste e vetme. Por në mënyrën e tij, babai qëndroi gjithmonë pranë nesh.”
Mazarine jetonte me mamanë në një apartament shërbimi të Elysee-së, pa emër tek dera. Çdo mbrëmje, Mitterrand vinte t’i takonte dhe shpesh qëndronte për të fjetur. Numrin e telefonit të apartamentit e dinin shumë pak njerëz. “Ndonjëherë na telefononte Kryeministri, ose George Bush, në mes të natës. Madje, edhe i dashuri im i parë, të cilit i tregova të vërtetën.”
Në apartamentin përballë Senës dhe pranë Kullës Eiffel, Mitterrand dhe vajza e tij krijonin lojëra dhe improvizonin skena nga seriali Dallas. “Babai im ishte shumë i dashur, edhe pse disi i rezervuar.” Kur Mazarine ishte 6 vjeç, Mitterrand u bë President i Francës. “Babai im është president!” thërriste ajo në oborrin e shkollës. Por shpejt e kuptoi se nuk mund të fliste për këtë.
Në makinë, fshihej mes sediljeve që të mos e shihnin. Askush nuk e urdhëronte ta bënte; sekreti ishte misioni i saj. Edhe biçikletën e mësoi ta ngiste me roje pranë: ajo mbi rrota ndihmëse, tetë truproja pas saj. “Luks i Republikës për kopilen e Republikës,” komenton ajo me një ironi të hidhur.
Zbulimi i një sekreti kombëtar
Më 10 nëntor 1994, e gjithë Franca zbuloi ekzistencën e saj. Revista Paris Match publikoi një foto të Mitterrand-it dhe Mazarine-s duke biseduar në rrugë pas një dreke, me dorën e tij që i përkëdhelte supin. Një sekret i njohur për politikanët dhe gazetarët, por jo për popullin francez, u bë publik me miratimin e vetë Mitterrand-it, tashmë i sëmurë nga kanceri.
“Fotot i dërguam në Elysee përmes një ministri, nga respekti,” tha drejtori i Paris Match. “Kur presidenti i pa, tha thjesht: ‘Gazeta e di çfarë të bëjë. Gjithsesi, është një histori e bukur.’” Për Mazarine-n, zbulimi ishte një çlirim i vështirë për t’u përballuar. “Fotografët pretendonin se më bënë një nder. Në fakt, më ekspozuan ndaj kureshtjes së botës.”
Jeta e saj si vajza e dashur e një presidenti zgjati shumë pak: Mitterrand u nda nga jeta në janar 1996. Në funeralin e tij, të dyja familjet – ajo zyrtare dhe ajo e fshehtë – u shfaqën për herë të parë bashkë në publik. “Isha e lumtur që isha me vëllezërit e mi.”
Një trashëgimi e ndërlikuar
Sot, Mazarine është profesore filozofie, shkrimtare dhe nënë e tre fëmijëve. Vetëm disa vite më parë shtoi mbiemrin e babait në dokumentet e saj, por në kopertinën e librit të ri shfaqet vetëm iniciali “M.” “Nuk jam mësuar me këtë,” thotë.
Jo të gjithë francezët e shohin me simpati historinë e saj. Apartamenti i shtetit, rojet, shoferi – të gjitha këto përballoheshin nga taksapaguesit. Ajo buzëqesh, flokët e saj të shpupuritur pasqyrojnë jetën e saj të ndërlikuar. Dhe reflekton me një hidhërim të lehtë: “Isha e dashur shumë, po. Por gjithmonë e dija se motra ime rivale, Franca, ishte më e rëndësishme.” / bota.al