Ekonomi

Ballkani shtrëngon rripin nga frika e dramës bankare greke

Screen Shot 2015-06-28 at 10.40.54

Nëse Athina nuk i shlyen borxhet ndërkombëtare, ish-fqinjët komunistë të Greqisë do të rrezikohen nëpërmjet huadhënësve grekë, që kontrollojnë sektorë të rëndësishëm bankarë të tyre. Zyrtarët në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani dhe Serbi thonë se ata, në fakt, kanë vënë në karantinë bankat lokale duke mbajtur nën kontroll kapitalin e tyre në rast se selitë bankare greke falimentojnë. Ata ngulmojnë se bankat në vendet e tyre do të mbijetojnë pa u ndikuar prej krizës së vendit fqinj.

Por ata nuk mund t’i mbajnë nën kontroll depozitorët: nëse kriza në Greqi shkakton panik në mesin e konsumatorëve për të tërhequr paratë e tyre nga bankat në pronësi greke në vendet tjera, rezultatet do të ishin të paparashikueshme.

«Nuk është mirë kur ka zjarr në shtëpinë e fqinjit tuaj», ka deklaruar Levon Hampartzoumian, shef i asociacionit të bankave në Bullgari, megjithëse ka theksuar se nuk sheh kërcënim të drejtpërdrejtë nga Greqia.

Shtetet e Ballkanit, që janë në rrezik, kanë ekonomi të vogla, por kanë edhe histori të brishtësisë financiare, kështu që spiralja eventuale nga Greqia do të mund të kishte ndikim të madh në to. Me ultimatumin për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Athinës dhe kreditorëve të saj dhe me tërheqjen nga bankat greke të një miliard euro në ditë, guvernatori i Bankës Qendrore greke u ka thënë bankierëve që të bëhen gati për «ditën e vështirë».

Të njëjtat banka që tani po përballen me krizë në vendin e tyre, si «Piraeus» dhe «Alpha Bank», ia kishin dalë të shtriheshin përtej kufijve të shteteve të tjera të Ballkanit para se të shpërthente kriza financiare e vitit 2008. Kredidhënësit grekë përbëjnë një të pestën e sistemit bankar në Bullgari dhe Maqedoni, dhe një shumë më të ulët në Rumani, Serbi dhe Shqipëri.

Agjencia e lajmeve Reuters u ka kërkuar bankave në vendet që rrezikohen prej falimentimit eventual të bankave në pronësi greke të tregojnë se çfarë masa preventive kanë marrë.  Të dhënat janë këto:

Në Bullgari, bankat në pronësi greke nuk mbajë letra me vlerë të thesarit grek, dhe nuk i varin politikat e tyre financiare prej bankave kryesore degë e të cilave janë, ka bërë të ditur Emil Angelov, zëvendësshef ekzekutiv i bankës «Pireaus» në Bullgari.

Banka Qendrore ka më pak autoritet për të kufizuar shumën e parave që mund të transferohen prej njësiteve te hisedarët prapa në Greqi. «Bankat greke në Bullgari janë struktura të ndara», ka deklaruar presidenti bullgar, Rosen Pleneliev në fillim të muajit.

Në shumë vende është miratuar legjislacion me qëllim të parandalimit të transferimit të fondeve prej selive të bankave. Nuk do të ketë mundësi që të transferohet kapitali financiar në drejtim të bankës amë pa marrë pëlqimin e bankës qendrore të shtetit përkatës.

Një numër bankash qendrore kanë bërë të ditur se gjatë muajve të kaluar, kanë ashpërsuar masat e kontrollit të bankave në pronësi greke. «Ato duhet të na informojnë në baza ditore për transaksionet që kryejnë në bankat amë. Deri tani nuk kemi vërejtur diçka të pazakonshme», ka deklaruar një zyrtar maqedonas në Bankën Qendrore, që ka refuzuar t’i publikohej emri.

Fakte

Miliona persona në Shqipëri, Maqedoni, Rumani dhe Serbi kanë depozita në banka lokale në pronësi greke, që do të mund të prekeshin në rast se do të kishte krizë totale bankare në Greqi. Më poshtë keni detajet për secilin vend për punën e bankave në pronësi greke dhe masat që kanë marrë autoritetet për të mbajtur nën kontroll rreziqet për degët bankare.

Bullgaria

Bankat në pronësi greke përbëjnë një të pestën e sistemit bankar bullgar. Në mesin e këtyre bankave përfshihet edhe banka e katërt më e madhe «Banka e Bashkuar Bullgare», në pronësi të «Bankës Kombëtare Greke», dhe «Postbank», banka e pestë më e madhe në tregun financiar bullgar, kontrolluar prej «Eurobankës» greke, banka e nëntë në listë, «Banka Piareaus e Bullgarisë» kontrolluar prej «Bankës Pireaus» të Greqisë dhe «Alpha Bank», që është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me «Alpha Bank» të Greqisë.

Në një raport që tregon për rejtingun e bankave në Bullgari, agjencia e rejtingut «S and P» ka theksuar se banka qendrore ka marrë hapa për të fuqizuar likuiditetin e bankave greke si mandatimi i depozitave më të larta me bankën qendrore, si dhe rritja e proporcionit të likuiditetit të aseteve dhe reduktimi i ekspozimit të rrezikut të bankave amë.

«Sektori financiar i bankave është në gjendje të përkryer», ka deklaruar Ljubomir Mitov, kryeekonomist i huadhënësit të madh, «Unicredit Bank». Ai ka thënë se nuk sheh kurrfarë rreziku prej bankave në pronësi greke, që punojnë sipas mbikëqyrjes së rreptë të bankës qendrore. «Gjendja ka ndryshuar shumë që nga viti 2008 dhe këto banka nuk mbështeten më në bankat ‹amë›. Ato mbështeten në depozita dhe nuk kanë problem me likuditetin. Ato nuk kanë hua te sipërmarrjet greke».

Rumania

Janë katër banka me kapital të madh grek që operojnë në Rumani: «Alpha Bank Rumania», «Piraeus Bank», «Bancpost», kontrolluar prej «Eurobank Ergasias», dhe «Banca Romaneasca», kontrolluar prej «Bankës Kombëtare të Greqisë». Bashkërisht ato llogaritet se mbajnë 12 për qind të kapitalit të përgjithshëm të aseteve financiare në Rumani.

Banka Qendrore ka bërë të ditur se degët greke në Rumani janë shumë mirë të kapitalizuara dhe të dhënat e fundit tregojnë se vlera mesatare e kapitalit të tyre është mbi 17 për qind – edhe pse rregullatori lokal bankar kërkon një shifër prej 10 për qind. Bankat gjithashtu kanë bërë marrëveshje me shtetin për sigurimin e letrave me vlerë, me qëllim që të rrisin stabilitetin financiar.

Shqipëria

Janë tri banka në pronësi greke që kanë degë në Shqipëri. Është «Banka Kombëtare e Greqisë», «Piraeus Tirana Bank» dhe «Alpha Bank». Hiseja e tyre e aseteve të përgjithshme e sektorit bankar në Shqipëri llogaritet diku rreth 15.9 për qind, një rënie e vogël krahasuar me 20 për qind sa ishte në vitin 2010, ka bërë të ditur Klodi Shehu, drejtor në Departamentin e stabilitetit financiar në Bankën Qendrore Shqiptare.

Shehu ka thënë se Banka Qendrore ka imponuar kufirin e kapitalit minimal për bankat në pronësi greke prej 14 për qind, edhe pse 12 për qind është pragu për bankat e tjera. Tri bankat në pronësi greke kanë kapital prej më shumë se 17 për qind, tregojnë të dhënat. «Këto banka janë shumë mirë të kapitalizuara, likuide dhe të zonja që të kryejnë me kohë pagesat për atë që mund të ndodh në Greqi», ka deklaruar Shehu për Reuters.

Maqedonia

Maqedonia ka dy banka në pronësi greke, që bashkërisht kanë më shumë se 20 për qind të aseteve të përgjithshme të sektorit bankar. Ato janë: «Alpha Bank AD Skopje», degë e «Alpha Bank», dhe «Stopanska Banka AD Skopje», në pronësi të “Bankës Kombëtare të Greqisë”.

Sipas ligjit maqedonas, bankat amë greke nuk kanë asnjë mundësi të tërheqin kapitalin e tyre mbi pragun prej dhjetë për qind, derisa nuk ia shesin aksionet e tyre ndonjë investitori.

Një zyrtar në Bankën Qendrore Maqedonase, që ka refuzuar t’i publikohet emri, ka bërë të ditur se disa muaj më parë bankat në pronësi greke janë instruktuar që të ofrojnë raporte të përditshme për transaksionet e tyre si masa parandaluese.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Dimitar Bogov, duke folur pas takimit me presidentin Gjorge Ivanov, ka thënë: «Banka Qendrore ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ne jemi të gatshëm edhe për një seri masash preventive në rast se ndodh skenari më i keq».

Në një analizë të skenarit më të keq të mundshëm, me bankat në pronësi greke që falimentojnë për shkak të tërheqjes së depozitave, «Standard Bank» ka llogaritur se Qeveria maqedonase do të duhej të dilte në ndihmë me 250 milionë euro, apo me tre për qind të bruto prodhimit të brendshëm, për të kapitalizuar plotësisht bankat, «diçka që mund ta bëjë një shtet sovran».

 Serbia

Në Serbi katër banka në pronësi greke kanë vlerën e katër miliardë dollarë asete ose 14 për qind të aseteve totale bankare. Ato janë: «Alpha Bank», «EUROBANK EFG», «Piraeus Bank» dhe «Vojvodjanska Banka», pjesë e grupit të «Bankës Kombëtare të Greqisë».

Në një përgjigje të shkurtër me shkrim, Banka Qendrore e Serbisë ka bërë të ditur se ka një plan «të monitorimit vlerësues të bizneseve të katër bankave në pronësi greke, veçanërisht likuiditetin e tyre, marrëdhëniet e tyre me grupet amë dhe ngjarjet në tregjet ndërkombëtare të lidhura me bankat greke dhe degët e tyre».

Banka Qendrore ka njoftuar gjithashtu se «raporte të përditshme» ofrohen prej bankave në pronësi greke, ku shihet se nuk ka pasur largim të kapitalit dhe kursimeve. Banka ka bërë të ditur se degët greke nuk janë të varura prej bankave amë, por janë entitete të pavarura dhe se ka kufizime strikte për vlerën dhe shkallën e tërheqjes së kapitalit prej këtyre degëve.

«Banka Qendrore do të vazhdojë të monitorojë bankat në pronësi greke dhe nëse është e domosdoshme do të marrë masa të tjera sipas mandatit të saj për të parandaluar ndikimin e mundshëm negativ në sektorin bankar të Serbisë», thuhet në përgjigjet e Bankës Qendrore të Serbisë.

Reuters

Leave a Reply

Back to top button