Analiza

Banaliteti i zemërimit

French polling boothsRien ne va plus, thonë francezët, ose asgjë nuk funksionon më. Por ky përkthim është anemik, i zhveshur nga kuptimi i thellë idhnak që ka në gjuhën e galëve dhe që është shprehja e ndjesisë së çuditshme të humbjes. Sigurisht që nuk është e vërtetë. Shumë gjëra funksionojnë shumë mirë në Francë. Por ky vend është zhytur në pesimizëm. Gota është gjithmonë gjysmë bosh

Roger Cohen

Kriza e modernitetit nuk ndihet askund më fort se sa në Francë, ku tashmë një cerek shekulli globalizim ka sjellë zymtësi dhe mosbesim në një shkallë epike. Në ankth prej kapitalizmit, e parehatuar me fleksibilitetin, e pabindur nga i ashtuquajturi model anglo-sakson, Franca është tërhequr në mllefin e vet. Imigrantët dhe hapja, për francezët kanë qenë më shumë rreziqe se sa shanse.

Edhe kuzhina e saj e lavdishme duket tashmë disi e palëvizshme, shumë e rëndë për kohën e vet, e paaftë të përshtatet. I mungon kreativiteti spanjoll, është e kyçur në të kaluarën. Verërave e saj, më të mirat në botë pa asnjë diskutim, u ka munguar narrativa, ingredienti thelbësor i marketimit modern. Kompanitë e saj private të klasit botëror vihen përfund prej valës së pretendimeve të pafund të funksionarëve shtetërorë. Presidenti i saj, dikur mishërimi mbretëror i lavdisë franceze, sot është një figurë e rëndomtë, që lufton banalen.

Rien ne va plus, thonë francezët, ose asgjë nuk funksionon më. Por ky përkthim është anemik, i zhveshur nga kuptimi i thellë idhnak që ka në gjuhën e galëve dhe që është shprehja e ndjesisë së çuditshme të humbjes. Sigurisht që nuk është e vërtetë. Shumë gjëra funksionojnë shumë mirë në Francë. Por ky vend është zhytur në pesimizëm. Gota është gjithmonë gjysmë bosh.

Një vrer i tillë duhet të gjejë patjetër shprehje politike. Dhe e ka gjetur tek Fronti Nacional i ekstremit të djathtë që udhëhiqet nga Marine Le Pen, fituese në zgjedhjet për Parlamentin Europian, e cila e ka hedhur tashmë vështrimin drejt një tjetër vendi: Pallatit presidencial.

Ajo mundet që të bëhet presidente. Fronti Nacional është shfaqur edhe më parë, sidomos në 2002, kur babai i saj Jean-Marie Le Pen mbërriti deri në balotazh në zgjedhjet presidenciale. Por në 12 vitet që kanë kaluar që atëherë, krizat europiane dhe franceze janë thelluar. Franca ka një rritje ekonomike pothuajse zero dhe një papunësi që rritet. Me afro 25 % të votave, Fronti Nacional la pas socialistët që po qeverisin me 14% dhe Unionin për një Lëvizje Popullore të qendrës së djathtë me 20.8%.

“Një tërmet”, ishte verdikti i kryeministrit socialist, Manuel Valls. Dhe nuk gabohet. Sistemi dypartiak është shndërruar tashmë në një sistem tripartiak. Marine Le Pen, më e butë, më e zgjuar dhe më ambicioze se i ati, është e zgjedhshme. Ajo është e kualifikueshme për presidente.

Ndërkohë, në kontinent zemërimi ndaj fitores së Frontit Nacional ishte i dukshëm (nuk ka zgjedhje më të përshtatshme për të shfryrë zemërimin se sa ato europiane, për arsye se pushteti i vërtetë i Parlamentit Europian është i kufizuar). Në Britani, Austri dhe Danimarkë, më shumë se 15 % e votave shkoi gjithashtu tek lëvizjet politike anti imigrantëve, anti Europës, anti establishmentit, anti mërzisë. Por, ka ndodhur pikërisht në Francë, e cila bashkë me Gjermaninë përbëjnë bërthamën e Bashkimit Europian, që një krizë ekonomike dhe psikologjike ka marrë formën më akute.

Sipas të përditshmes franceze Le Monde, Fronti Nacional mori 43% të votave të punëtorëve dhe 37 përqind të votave të të papunëve. Ndjenja popullore në Francë është kthyer kundër Europës, të cilën e shohin si të lidhur me masat e kursimit, stanjacionin, papunësinë dhe imigrimin e madh. Premtimi i Le Penit për një Francë më nacionaliste dhe më kunder imigrantëve, që refuzon integrimin europian dhe Amerikën, ka joshur të pakënaqurit. Një bosht i premtuar Paris-Berlin-Moskë, me Putinin dhe “vlerat e tij të familjes” si shpëtimin e Europës, maskon një boshllëk idesh ekonomike. Përshtatur në shqip nga bota.al

Kriza në Francë shkon shumë më thellë se sa sfidat e saj ekonomike. Për një komb të mundur në Luftën e Dytë Botërore, por që nëpërmjet Gjeneralit De Gaulle iu lejua të shpallë në një farë mënyre fitoren nën hijen e Aleatëve, Bashkimi Europian ishte mënyra më e mirë për të dalë nga një poshtërim i çuditshëm. (Ishte gjithashtu shpëtim për Gjermaninë, por kjo është tjetër histori). Europa ishte një ide e guximshme, një kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara, një mjet për një formë të re ambicjeje kombëtare, e cila që në gjenezë ishte “shumë franceze”. Një fuqi e mesme, që kishte pësuar rënie të madhe, Franca mund të ëndërronte sërish përmes Europës. Mund të jepte mendimin e saj. Madje, mund të ndryshonte botën.

Por më pas ndodhi surpriza e madhe, rënia e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Franca preferonte dy Gjermani. Krejt papritur pati vetëm një të tillë. Donte të ishte e sigurtë për zotimin e një Gjermanie të bashkuar ndaj Europës dhe monedha e përbashkët dukej garancia më e sigurtë. Krejt papritur, u gjend e lidhur me Euron, pikërisht në një moment kur vrulli drejt një integrimi më të madh politik europian avulloi. Ajo donte të ishte një kundërpeshë ndaj Uashingtonit. Krejt papritur, kjo ambicie po dukej qesharake. Donte që të paktën të ofronte një kundërmodel ndaj hiperkapitalizmit. Jo kaq papritur, sistemi i saj ekonomik, pavarësisht gjithë të mirave, thjeshtë dukej i lodhur, ashtu si ata fshatrat francezë që u ka ikur rinia dhe gjallëria.

Historia mund të luajë lojëra mizore. Në këtë çerekshekullin e fundit i ka luajtur disa të tilla Francës. Sigurisht, Marine Le Pen nuk mundet të kthejë kohën mbrapa. Por kjo nuk do i pengojë njerëzit e zemëruar që të ëndërrojnë. Ndoshta Franca do të fitojë Kupën e Botës dhe gjithçka do të shkojë mirë për pak kohë. Por edhe kjo është, padyshim, thjeshtë një ëndërr. (New York Times)

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button