Rusët zgjerojnë praninë e tyre në Siri. Fotografitë satelitore sinjalizojnë veprimtarinë në terren. Vladimir Putini personalisht ka konfirmuar ndihmën humanitare, teknike dhe ushtarake. Dhe shton se do të vazhdojë ta bëjë, sepse pa ndihmën për Asadin, do të ishin shumë më tepër refugjatët dhe do të ishte e pamundur të mposhtej terrorizmi. Madje, fton perëndimin që të bashkëpunojë.
Informacionet më të fundit i shtojnë kunjat në mozaikun rus në SIri. Qendra është gjithmonë rajoni i Latakias, me aeroportin e Jablehut. Pamjet e nxjerra nga një satelit dhe të botuara në faqen e internetit të “Foreign Policy”, tregojnë hapësira për të vendosur struktura, sheshe për helikopterë, shtim rrugësh. Eshtë pak, thonë ekspertët, por gjithësesi është fillimi. Burime nga SHBA thonë se Moska ka dërguar 200 ushtarë, një dyzinë tankesh T90, 35 blinda, 15 mjete artilerie dhe sisteme antiajrorë S-22. Një pjesë e madhe e materialeve kanë ardhur me anije – në Latakia, Tartus – dhe me avionët e mëdhenj An124 Condor. Të paktën 15 fluturimet që kanë përshkuar hapësirën iraniane dhe irakene.
Burimet nga shërbimi i fshehtë amerikan bëjnë të ditur se brenda pak javësh, Moska mund të dërgojë 1000-1500 ushtarë, trupa që duhet të shërbejnë si mburojë në rajonin bregdetar, prej kohësh qendër e alavitëve. Kështu që, është e mundur që do të mbërrijnë pajisjet e nevojshme për kontigjentin. Ata që bëjnë rojë në Bosfor, fotografojnë kalimin e anijeve ushtarake ruse, i ashtuquajturi “Syria Express”. Më tej priten helikopterët e sulmit: është folur për Mig dhe Sukhoi 24. Objektivi përfundimtar është krijimi i një baze të përparuar që duhet t’i japë një dorë forcave siriane, për të parandaluar inkursionet izraelite, që kanë shkatërruar në të kaluarën armatime të rëndësishme.
Nuk përjashtohet që rusët të shtyhen edhe më në lindje. Sipas qendrës amerikane të studimeve, ISë, mendohet që ka bërthama të vogla përreth Slinfahut, një rajon që është porta në korridorin e Latakias dhe që shpesh herë është sulmuar, edhe gjatë javëve të fundit. Informacione ka gjithashtu për dhjetëra autobusë me ruse që kanë mbërritur në qytezën e Hamas, elementë që janë vendosur në klubin e hipizmit, tashmë i shndërruar në kazermë. Mediat siriane kanë folur për një dërgesë ndihmash për civilët.
Kremlini dëshiron ta forcojë mikun Asad, të përpiqet të frenojë rënien e aparatit të tij dhe të tentojë ta paraqesë si të keqen më të vogël, një ide që e ndajnë edhe disa eksponentë europianë.
Ish negociatori finlandez, Marti Ahtisari ka zbuluar për The Guardian se në vitin 2012, Moska kishte ofruar një plan që parashikonte negociata për daljen nga skena të diktatorit. Por perëndimorët kishin thënë jo, sepse ishin të sigurtë për fundin e afërt të regjimit. Një projekt që është rishfaqur kohët e fundit, mes lëvizjeve taktike për t’i dhënë kohë raisit dhe qëllimeve të vërtetë për të arritur një kompromis. Sa për Asadin, dje ai ka përsëritur se, përpara cilësdo zgjidhje politike, duhet të mposhtim terroristët. Që në fjalorin e tij si president, do të thotë, cilido që i kundërvihet.
Ndoshta e gjithë kjo do të jetë në qendër të një takimi të afërt, mes Rusisë, dhe SHBA në OKB. Për momentin nuk është parashikuar, por rusët nuk e kanë përjashtuar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka komentuar: “Kur presidenti të vendosë se është në interesin tonë që të kemi një bisedë me Putinin në lidhje me këtë, Obama do të marrë telefonin dhe do ta telefonojë”.
Corriere della Sera – Bota.al