Analiza

BE-Turqi më pranë, falë kurdëve

Screen Shot 2015-06-09 at 17.26.32

Selahatin Demirtas, një tjetër 40-vjeçar në këmishë të bardhë, protagonist në zhvillimet e një vendi të rëndësishëm

Nga Giulia Belardelli

Dyzet e dy vjeç, me këmishë të bardhë, një të folur karizmatike e plot vizion, progresiv dhe liberal. Për Selahatin Demirtash, udhëheqësin e partisë kurde HDP, nga e hëna filloi një fazë e re politike. Suksesi i partisë së tij në zgjedhjet parlamentare turke të 7 Qershorit – 13 përqind të votave, 80 vende në Parlament – është një pikë kthese historike për Vendin e Gjysmëhënës.

Demirtash, është pagëzuar me emra të ndryshëm – “Ciprasi turk” ose më mirë akoma “Obama turk” – por përtej ngjashmërive që e lidhin atë me liderët e tjerë botërorë, më pak ose më shumë të rinj, është lidhja e saj me Perëndimin ajo që përfaqëson imazhin potencialisht më përçarës, nga pikëpamja e skenarëve ndërkombëtare.

Në fakt, me këmishën e tij të bardhë dhe sjelljen e butë, Demirtash mishëron fytyrën e një kurdi, pa lidhje me luftëtarët guerrilas, në drejtimin e një partie të hapur ndaj pakicave të tjera (alevitët, turkmenët dhe të tjerët) dhe e vëmendshme ndaj të drejtave të grave dhe homoseksualëve.

Avokati i të drejtave të njeriut, me tashmë dy mandate parlamentare mbi shpinë, Demirtash arriti të fitojë mbështetjen e shumë votuesve, duke përkrahur një pjesë të mirë të ideve libertariane, të shprehura nga të rinjtë e Parkut Gezi, të cilët nuk e kanë harruar represionin e ashpër, me të cilin i shpërndau protestat dy vite më parë Rexhep Taip Erdogani.

Të rinjtë, kanë vlerësuar vëmendjen e Demirtash ndaj kërkesave të tyre, dhe shumë prej tyre vendosën t’i besojnë votën e parë të jetës së tyre. Megjithatë në aspektin moshor, dyzetedyvjeçari kurd i takon të njëjtës gjeneratë të udhëheqësve “në këmishë të bardhë” – nga kryeministri francez Manuel Vals, kryeministri grek Aleksis Cipras, ai italian Mateo Renci – që përtej pozicioneve shumë të ndryshme politike, ndajnë një stil jozyrtar dhe qasje komunikative më pak vertikale.

Demirtash, është një model politik shumë i ndryshëm nga ai i “Sulltanit”, të cilit Erdogan i është afruar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Orator i aftë dhe negociator i palodhshëm, ai bart vizionin e një “Turqi të re”, që shkon përtej mbrojtjes së interesave dhe hapësirave – politike, kulturore dhe të identitetit të pakicës kurde.

Për Evropën, suksesi i tij elektoral dëshmon se ekziston një pjesë e mirë e Turqisë, e cila tenton të shkojë drejt Perëndimit, një aks që sot udhëhiqet kryesisht nga pakica kurde. Dhe janë po kurdët aksi kryesor anti-ISIS, që ka demonstruar aftësi në luftimin e fanatikëve të Kalifatit, në një mënyrë më efikase sesa koalicioni ndërkombëtar.

Në zgjedhjet e kaluara, partia e Erdoganit AKP ishte në gjendje të thithte votën e fiseve kurde, që këtë herë e braktisën. Dhe arsyeja nuk qëndron vetëm tek aftësia e padyshimtë tërheqëse e Demirtashit karizmatik, por edhe në qëndrimin e mbajtur nga Erdoga,n gjatë ditëve tragjike të rrethimit të Kobanit nga milicia e Shtetit Islamik.

Asokohe, për të mos çuar ujë në mullirin e armikut të tij, presidentit sirian Bashar Al-Asad, Erdogan urdhëroi forcat e armatosura që të mos ndërmerrnin asnjë veprim në mbështetje të Peshmergave kurdë. Tanket turke, të pozicionuara në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, nuk hynë në veprim, edhe pse pak kilometra më larg, në Kobani, po kryhej një masakër e vërtetë. Kur shkuan të djelën në votime, kurdët  e kujtuan këtë fakt.

Në kontrast me ISIS-in, mbrojtja e minoriteteve, të drejtat e grave dhe të komunitetit LGBT. Tashmë, të gjitha këto elemente e lidhin partinë kurde, me forcat liberale progresive të Perëndimit, të cilat pas votës të së djelës, nuk kanë asnjë shfajësim për ta parë Turqinë një palë të arsyeshme dhe të hapur.

“Unë kam qenë gjithmonë i përfshirë në politikë, qëkur isha adoleshent. Politika është pjesë e jetës sime. Kam luftuar përherë për demokracinë. Dhe si shumë të rinj kurdë, kam bërë disa beteja kundër të drejtave të mohuara të kurdëve, në emër të identitetit etnik, dhe kundër shtypjes. Jam në politikë prej gati 25 vjetësh”-tha Demirtas në një intervistë të fundit për Euronews.

“Gjatë 8 viteve të fundit, kam qenë deputet dhe bashkë-kryetar i një partie. Unë gjithashtu kam qenë avokat në fushën e të drejtave të njeriut, por vullnetarisht. Me pak fjalë, gjatë gjithë këtyre viteve kam luftuar gjithmonë, pa pushuar një moment, për parimet dhe vlerat që unë besoj. Dhe kurrë nuk jam ndalur”- shtoi ai. Qëkur ishte i ri, në udhëkryq e jetës së aq shumë kurdëve, në mes luftës së armatosur dhe politikës, ai zgjodhi këtë të fundit. Hyri rreh të njëzetave tek lëvizjet për të drejtat civile, duke spikatur shumë shpejt si një politikan trim dhe gjithmonë i qetë.

Përballë Erdoganit – që gjatë fushatës zgjedhore e cilësoi atë si një “artist baresh” – Demirtash ka treguar se mund të fitohet, edhe pa ulëritur dhe fyer kundërshtarin. Obama kurd – “ashtu si zezakët amerikanë, edhe ne jemi detyruar të luftojmë racizmin”- shpjegonte disa kohë më parë – Demirtash, është i pari që ka frenuar në të vërtetë ëndrrat plot lavdi të Erdogan. Të hënën,  presidenti u detyrua të hapë sytë dhe shohë realitetin:në planet e tij, do të duhej të ishte dita e parë e “Perandorisë së re osmane”; në fakt, ishte dita e parë e një Turqie të re.

“HuffingtonPost.it” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button