Analiza

Benyamin “Bibi” Netanyahu, një histori e shkurtër e një gardiani vetmitar dhe dyshues

Screen Shot 2015-03-06 at 09.00.11

Ishte viti 1997 kur Ari Shavit, një gazetar i së përditshmes “Haaretz”, shkroi një artikull me titull “Viti i urrejtjes për Bibin”. Kjo urrejtje zgjat prej 20 vjetësh. Në fillim të marsit Benjamin Netanyahu i foli për herë të tretë Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Dhe është rekord, sepse udhëheqësi i vetëm i huaj të cilit i është dhënë një nder i tillë ka qenë anglezi Winston Churchill. Pak ditë më pas, Netanyahu do të shkojë në zgjedhje dhe, në rast se do të zgjidhej, do të thyente edhe një rekord tjetër: do të ishte Kryeministri izraelian më jetëgjatë në pushtet, edhe më shumë se patriarku David Ben Gurion që dominoi vitet Pesëdhjetë e Gjashtëdhjetë.

Denigruesit e Bibit e quajnë “Prestigjatori”. Flet një anglishte të përkryer, pa theks hebraik. Është thellësisht i influencuar nga sezoni i gjatë amerikan i tij, fillimisht si i diplomuar në MIT-in e famshëm të Boston (diplomim i dyfishtë, Arkitekturë dhe Menaxhim Biznesi), më pas si biznesmen, së fundi si Ambasador pranë Kombeve të Bashkuara. Dhe si shumë udhëheqës amerikanë, izraeliani Netanyahu është një kontradiktë e gjallë. Bibi shprehet si mbrojtës i familjes, por deri më tani disponon tri martesa. I konsideruar i afërt më hebrenjtë religjiozë, nuk bën asnjëherë shfryrje devocioni. Është Kryeministri i vetëm izraelian i lindur pas themelimit të shtetit hebre, por e ka kaluar gjysmën e jetës së tij jashtë vendit. Ekstremist në fjalë dhe në libra, qeveris si pragmatist. Do të parandalojë një holokaust të rij, por në shtyp grumbullohen vogëlsitë e tij, si “harresa” sistematike për të paguar faturat në restorant. Ka lindur në ekranet e CNN-it, por do të hyjë në histori si Kryeministri izraelian me raportin më të keq me shtypin (në Knesset është edhe një ligj kundër së përditshmes së afërt me të, “Israel Hayom”).

Ajo e tij është një sagë e madhe familjare, ajo e aristokracisë hebraike, e bardhë dhe e djathtë, në një vend të drejtuar gjithmonë nga elita ashkenaze e majtë. Gjyshi i Bibi, Rabini Nathan Mileikowsky, në Varshavë drejtonte një shkollë të famshme hebraike, Gjimnazin Krinsky. Udhëtoi nëpër të gjitha kryeqytetet e Europës duke folur, ndër ta parët, për lindjen e një shteti hebraik në Palestinë. Në vitin 1920 mbërriti në Tel Aviv, ku e hebraicizoi mbiemrin e tij në Netanyahu, “dhurata e Zotit”. Mileikowsky kishte 9 fëmijë, më i vogli i të cilëve, Benzion, do të bëhet babai i Benyamin. Edhe ai i parapriu kohëve, duke shkuar për të mbështetur në Shtetet e Bashkuara lindjen e Izraelit gjatë Shoahut dhe duke mbajtur mbi shpatulla arkivolin e gurut të së djathtës hebreje, rrënjëshkulurit Vladimir Jabotinsky (Ben-Gurion ju kundërvu deri sa qe gjallë transportimit të eshtrave të tij në Izrael).

Bibi është shënuar nga influenca e këtij babai të rreptë dhe gjenial. Njëlloj si familja Kennedy, familja Netanyahu janë të izoluar, të vetëkënaqur, paksa paranojakë. Njëlloj si familja Kennedy, familja Netanyahu ushqente ëndërra të mëdha për djalin e tyre të madh dhe kur Yoni, ashtu si djaloshi Joe Kennedy Jr., ra duke luftuar, të gjitha shpresat u vendosën mbi vëllanë më të ri. Dhe ashtu si familja Kennedy, forca motorike e familjes ishte një baba i bindur se nuk ishte pranuar dhe vlerësuar kurrë sa duhet (i mohuan katedrën në Universitetin e Jeruzalemit). I konsideruar një prej historianëve më të mëdhenj të Inkuzicionit, në vitin 1962 Benzion shokoi miq e të afërm duke e mërguar veten dhe familjen e vet në Shtetet e Bashkuara, ku pranoi një katedër në Dropsie College. Dhe kur Bibi mbeti i plagosur në një operacion të ushtrisë izraeliane, prindërit nuk u kthyen nga Amerika për ta vizituar të birin në spital. Benzion pothuajse ishte duke humbur edhe martesën e Yoni, pasi ishte tepër i zënë me korrigjimin e bocave të kryeveprës së tij lidhur me Inkuizicionin.

I ati, që ka ndërruar jetë në 2012, ishte një lloj legjende për studimet e tij, për vizionin laik dhe ekstremist të historisë hebraike të tij (“hebrenjtë dhe arabët janë si dy dhi që ndeshen kokë më kokë në një urë të ngushtë. Njëra duhet të bjerë në lumë, por rrezikon që të vdesë. Dhia më e fortë do ta arrijë ta hedhë atë më të dobëtën, dhe besoj se fuqia hebraike në fund do të fitojë”), për forcën e karakterit, pothuajse një indiferencë stoike, me të cilën likuidonte armiqtë (“shtypi bolshevik”, thoshte). Bibi është rritur me këtë zemërim, brenda kësaj epopeje përjashtimi dhe zgjedhjeje. Netanyahu, që nga i ati ka trashëguar sidomos një vizion ideologjik dhe ciklik të holokaustit (në këtë prizëm lexon atomiken e Teheranit), në moshën 14 vjeçare qau kur papritmas u detyrua që ta lërë papritmas Izraelin për të shkuar e jetuar në një vend të quajtur Pennsylvania. Por Bibi u bë një student i shkëlqyer i Cheltenham High School në Wyncote, një rrethinë e Philadelphia, ku shokët i thërrisnin “Ben”. Po kjo vetmi do ta shtynte që të hynte në Sayeret Matkal, njësia elitare legjendare e Izraelit, ku Bibi do të shërbejë nën komandën e Ehud Barak, rivalit të ardhshëm të tij në politikë në vitin 1999 e më pas aleat i ngushtë në qeveri deri në vitin 2013.

Bibi ka qenë një ushtar trim, në avionin Sabena të kidnapuar në 1972 në aeroportin ndërkombëtar të Bejrutit, ku hodhi në erë 13 avionë, dhe në një inkursion të famshëm në Kanalin e Suezit, ku vetëm përpjekjet e dy bashkëluftëtarëve e shpëtuan Bibi nga mbytja nën peshën e pajimeve. Në sulmin ndaj Sabena, Bibi dhe 11 të tjerë u maskuan si teknikë me kominoshet e bardha të aeroportit. Shfrynë rrotat e avionit, u shtinë sikur do ju përgjigjeshin kërkesave të terroristëve, u ngjitën në krahët e avionit, sulmuan dyert e tij dhe brenda 90 sekondave i vranë kidnapuesit. Bibi kapi një terrorist nga flokët, duke i hequr nga dora një granatë.

Bashkë me të atin, figura tjetër që ka përcaktuar jetën dhe karrierën e Benyamin ka qenë i vëllai Yoni, ikonë kombëtare, hero lufte dhe viktima e vetme e sulmit legjendar në Entebbe. Yoni dhe Bibi nuk qenë të ngjashëm: vëllai i madh ishte më i mbyllur, më kompleks, më filozofik, më i errët, më romantik, njëlloj i përkushtuar ndaj babait, por më i pavarur se ai. Letrat e Yoni për Bibi janë plot dashuri dhe inkurajim. “Ti je miku i i vetëm i vërtetë që kam pasur ndonjëherë”, i shkruan vëllai Bibi në vitin 1967. Kurse 3 vite më pas: “Të dua më shumë se kushdo tjetër në botë”. Dy javë përpara vdekjes së Yoni, Bibi kishte filluar një punë pranë Boston Consulting Group, ku punoi bashkë me Ira Magaziner, guru i ardhshëm i shëndetësisë i Presidentit Clinton.

Sikur Yoni të mos ishte vrarë në aeroportin e Ugandës, Bibi nuk do të kishte zbritur kurrë në politike. Do t’i përkushtohej biznesit apo akademisë. Vdekja e Yoni është vendimtare për të kuptuar vetminë e Netanyahu, që humbi një prej personave të paktë që mund ta kuptonin, dashuronin, vërtet. Në gjurmën e kësaj tragjedie familjare, Netanyahu kërkoi një periudhë pritjeje për të krijuar atë që do të bëhet Instituti Jonathan, i projektuar për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar. Netanyahu kthehet në Izrael, gjen punë tek Rim Industries, një shoqëri mobiliesh. Në majin e vitit 1981, pas një martese tashmë të dështuar me Micky, ai martohet me Fleur (hebreje vetëm nga ana e babait, do t’i duhej të konvertohej). Vitin e ardhshëm fillon ngritjen karriera e tij politike, kur Moshe Arens, ambasadori izraelian në Washington, një mik i vjetër i Benzion, i kërkoi që të ishte zëvendësi i tij. Bibi siguroi postin e Arensit dhe gjatë katër viteve të mëpasme do të kontribuonte në ekspozimin e së kaluarës naziste të ish Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kurt Waldheim, në abrogimin e rezolutës famëkeqe “sionizmi është racizëm” dhe në avancimin e kauzës së emigrimit të hebrenjve sovjetikë. Fleur Netanyahu e shoqëroi të shoqin në Izrael, por tensionet në martesën e tyre u rritën në proporcion me famën e Bibi dhe në vitin 1988 erdhi divorci. Shkaku nuk do të ishte tradhtia, siç është dyshuar gjerësisht, por lënia padore, fizike dhe intelektuale. Fleur do të shkonte të punonte bashkë me Ronald Lauder, një prej mbështetësve të Netanyahu në New York.

I armatosur me para në pjesën më të madhe me prejardhje nga jashtë vendit dhe nga aureola e suksesit, Netanyahu mori kontrollin e Likudit si outsider i politikës, duke lënë prapa “princat e partisë” Dan Meridor, Ehud Olmert dhe Zeeb Begin. Takoi bashkëshorten aktuale të tij Sara, e lindur në një qytezë të vogël në afërsi të Haifas nga një familje fetare, e njohur edhe si “Airess” për shkak të profesionit që ushtronte, stjuardesë. Sara mbeti shtatzënë dhe disa muaj më vonë u martuan. Netanyahu do të kishte më pas një marrëdhënie me një asistente, e quajtur Ruth Bar. Sara e zbulon dhe brenda pak orësh Netanyahu del në televizionin e mbrëmjes duke shpallur tradhëtinë dhe duke i kërkuar falje së shoqes. Izraelianët nuk e interpretuan si një shenjë vendosmërie, por dobësie. Askujt nuk i kish interesuar ndonjëherë se Ben-Gurion, Moshe Dayan apo Golda Meir kishin pasur flirte jashtëmartesore dhe pjesës më të madhe të hebrenjve fetarë i kanë interesuar gjithmonë më shumë kompromiset territoriale sesa ato bashkëshortore.

Tek Bibi kishte kështu diçka amerikane, fëminore, diçka jo mjaftueshëm të pjekur ose padron i vetvetes. Por “Bibigate” nuk e rrëzon kolosin Netanyahu. Dhe qysh atëhere, Sara ka qenë gjithmonë përkrah të shoqit, duke i shkaktuar jo pak kokëçarje, duke parë se midis dadove, parukiereve dhe kostos së akulloreve, çdo ditë tregohen histori të nivelit të ulët për shtëpinë Netanyahu, nga këpucët e lëshuara drejt punonjësve të shërbimit në shtëpi tek ministrat që ngrihen në këmbë për të bërë të ulet bashkëshortja. Duke mos mundur ta sulmojnë në planin politik, të paktën prej ngathtësisë së tij të lindur, Bibi është demonizuar nëpërmjet së shoqes, e paraqitur si një lloj Lady Macbeth.

Dyshues dhe vetmitar, krejtësisht i privuar nga ironia (Një herë Larry King tha: “Në një shkallë nga njëshi tek dhjeta, si i ftuar Bibi është tetë. Po të kishte pak humorizëm, do të arrinte tek dhjeta”), prej 20 vitesh Netanyahu është psikanalizuar nga çdo gazetar dhe intelektual izraelian. Nuhatjet dhe analizat e tij lidhur me Lindjen e Mesme, nga vullneti fals i paqes së palestinezëve në kërcënimin e bombës atomike iraniane, kanë rezultuar të gjitha të drejta, deri edhe profetike. Pyesni izraelianët se çfarë mendojnë për Bibi dhe do t’ju japin dy lloje përgjigjesh: atë që e konsideron si përbindësh që e ka penguar Izraelin të shkëputet nga territoret biblike të Judeas e të Samarias dhe atë që e konsideron si gardian të domosdoshëm të Izraelit në një Lindje të Mesme që bie copa copa. Atëhere, si shpjegohet popullariteti dhe suksesi i Bibi? E ka shkruar Tom Segev, një editorialist i “Haaretz”. Izraelianëve nuk u intereson kurrë ndershmëria: “Duan të dinë në fakt sesa vlen shekeli (monedha kombëtare e tyre, shënimi im.) dhe se nuk do të ketë bomba nën makinat e tyre”. Në këtë Bibi ka qenë gjigant. Ka liberalizuar dhe pasuruar ekonominë izraeliane dhe jo rastësisht i është ngjitur nofka “Mr. Security” (të kemi parasysh këtu kamikazet që çdo ditë hidhnin veten në erë në Izrael nën qeveritë e Rabin, Peres apo Barak).

Luftarak me fjalë, Bibi është demonstruar gjithmonë një udhëheqës mbrojtës, edhe në luftë. Kurrë një rriskim. Për të, kostoja e një gabimi eventual për Izraelin është gjithmonë superiore ndaj përfitimeve eventuale. Emblematike tentativa e dështuar e vrasjes së Khaled Meshaal, kreut të Hamasit, në rrugët e Amman. Operacioni, i urdhëruar nga Netanyahu, qe një fiasko. Qysh atëhere, Bibi e urren marrjen përsipër të rreziqeve, përfshi gjithmonë të kërcënuarën goditje preventive ndaj instalimeve atomike iraniane. Vizioni i tij evoluon vazhdimisht, përshtatet. Trashëgimia e madhe e Netanyahu është ajo që ka arritur të ngulisë në kokën e izraelianëve idenë se konflikti në të cilin janë viktima dhe protagonistë prej 100 vjetësh nuk do të largohet kurrë, se duhet të përgatiten për ta menaxhuar dhe jo zgjidhur, se duhet të jenë të fortë, se në fund do të fitojnë me “murin e hekurt”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button