Analiza

Berlusconi: Në 2011, komplot kundër meje brenda dhe jashtë

kujtimet geithnerDetajet librit me kujtime të Geithnerit që pritet të botohet së shpejti, konfirmojnë ato gjëra që i dinte prej kohësh, pra që Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një kërkesë nga ana e disa europianëve për të rrëzuar qeverinë e tij në nëntor 2011. “Nuk jam i habitur. Në vitin 2011- dhe kulmi arriti ne samitin e G20-es –  kundër meje dhe Italisë pati një lëvizje që nisi brenda vendit tonë, por që më pas u shtri edhe jashtë vendit, në një përpjekje për të zëvendësuar qeverinë time, të zgjedhur nga qytetarët, me një tjetër qeveri”

Alan Friedman

Zbulimet që ka bërë Timothy Geithner mbi komplotin europian të vitit 2011 kundër qeverisë së tij e bëjnë të lumtur Berlusconin. Flet me admirim dhe mirënjohje për Barac Obamën dhe rrëfen me kënaqësi se si presidenti i SHBA i dha të drejtë në samitin e G20-ës në nëntor 2011. Por kur përmend Matteo Renzin, nga i cili është i zhgënjyer prej mënyrës se si vazhdoi me reformën elektorale dhe të Senatit pas marrëveshjes së Nazarenos, shikimi i tij ndryshon dhe bën të kuptojë që nuk do të ketë më lëshime. Për Beppe Grillon ka vetëm përçmim. Shndërrohet në militant të vendosur kur ankohet për pengesat europiane si për shembull Fiscal Compact apo kufiri i 3 përqindëshit në raportin deficit-GDP, për të cilin kërkon një moratorium. Dhe për arrestimin e Claudio Scajolës thotë në mënyrë lakonike se “ai ishte prej kohësh larg lëvizjes sonë”.

Silvio Berlusconi, i ulur në kopshtin e vilës së tij San Martino në Arcore, është shumë në formë. Zbulimet e ish Ministrit amerikan të thesarit duket se i kanë dhënë jetë. Thotë se detajet librit me kujtime të Geithnerit që pritet të botohet së shpejti, konfirmojnë ato gjëra që i dinte prej kohësh, pra që Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një kërkesë nga ana e disa europianëve për të rrëzuar qeverinë e tij në nëntor 2011. “Nuk jam i habitur. Në vitin 2011, kundër meje dhe Italisë pati një lëvizje që nisi brenda vendit tonë, por që më pas u shtri edhe jashtë vendit, në një përpjekje për të zëvendësuar qeverinë time, të zgjedhur nga qytetarët, me një tjetër qeveri”, thotë.

“Që në qershor të vitit 2011, kur ende nuk kishte shpërthyer kriza e spread-eve presidenti i Republikës, Napolitano priste në zyrë Montin dhe Passeran, për të zgjedhur teknikët në rast të një qeverie të mundshme, e madje edhe të hartonin dokumentin programor. Më tej mësuam se ka patur katër faza të hartimit të tij, e fundit madje me 196 faqe”.

Kujtimet bëhen gjithnjë e më të saktë. “Unë e kisha ndjesinë që po ndodhte diçka dhe në një moment mendova madje që kishte edhe një regji precize. Madje, në samitin e G20-ës në Kanë, miq dhe kolegë të vendeve të tjerë më thoshin: Ke vendosur të japësh dorëheqjen? Sepse ne dimë që pas një jave do të vijë qeveria Monti”.

Udhëheqësi i Forza Italias nuk është i habitur që këta zbulime të rinj vijnë nga një njeri i Obamës. “Presidenti amerikan u soll mirë gjatë samitit të G20. Ne ishim thirrur nga Merkel dhe Sarkozy në dy mbledhje, në dy ditë të njëpasnjëshme, dhe në këto mbledhje u bë një përpjekje që të më detyronin të pranoja një ndërhyrje të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Unë i garantova që llogaritë tona ishin në rregull dhe nuk kishim asnjë nevojë për ndihma nga jashtë. Kështu refuzova ta pranoj këtë ofertë, që do të nënkuptonte kolonizimin e Italisë sic ndodhi me Greqinë. Domethënë me një Trojkë, të përbërë nga i dërguari i Bankës Qendrore Europiane, nga Komisioni Europian dhe nga FMN, që do ta kishte transformuar Italinë në një vend me sovranitet të kufizuar”.

Ish kryeministri komenton edhe fjalët e presidentit Obama, që sipas Financial Times, gjatë samitit të G20 në Kanë në fillim të nëntorit 2011 kishte thënë: “I think Silvio is right”, domethënë që Berlusconi kishte të drejtë që refuzonte ofertën e një shpëtimi prej 80 miliardë dollarësh nga FMN dhe BE. “Besoj që edhe Presidenti Obama ishte në anën time kur këmbëngulja për ndihma shumë më të buta për Greqinë, duke reflektuar për atë politikë kursimi që po u imponohej të gjithë shteteve dhe me të cilën nuk isha absolutisht dakord”.

Dhe a ka një moral të fabulës në gjithë këtë për Italinë dhe Europën e sotme? Berlusconi këtu bën një spot elektoral. “Sot unë mendoj që ashtu si është situata në Itali, nuk ekziston veçse një mundësi për të siguruar një mbrojtje të interesave të Italisë në Europë, dhe kjo mundësi quhet Forza Italia”.

Po përtej kësaj retorike, përse nuk votoni për të tjerët? Berlusconi këtu hidhet në sulm. “Grillo ulëret, leh. Nuk merret absolutisht seriozisht në Europë. Madje e shohin me një ndjesi frike dhe nuk do të ndikojë mbi asnjë vendim. Partitë e vogla nuk llogariten. Vota për PD nënkupton që, nëse fitojnë, atëherë President i Komisionit Europian do të zgjidhet një farë zotërie që quhet Schulz, i cili nuk e do aspak Italinë”.

Për Matteo Renzin dhe reformat Berlusconi qëndron i qetë, por shprehet “shumë i zhgënjyer” nga mënyra se si kryeministri ka vazhduar me reformat për të cilat u ra dakord në Nazareno. Po a do ia dalë Renzi të bëjë reforma pa votat e Forza Italias? “Nuk besoj”.

Pra, u prish marrëveshja e Nazarenos? “Qëllimi ishte të bënim reforma së bashku. Tani, duke parë se si u hodh hapi i parë, jemi shumë skeptikë për mundësinë që të punojmë së bashku. Do të vendosim rast pas rasti.

Berlusconi është edhe më i prerë kur flitet për kufizimet europianë, Fiscal Compactin dhe raportin deficit-GDP, që duhet të mbetet nën 3%. “Në një moment kur ekonomia nuk tërheq, do të duhej në mos anulimi, të paktën një moratorium për të dy këta parametra dhe ndoshta, nëse ekonomia nuk e rimerr veten, një zhvlerësim kompetitiv i Euros dhe garancia e borxhit për vendet anëtarë të monedhës së përbashkët”. (Corriere della Sera)

Leave a Reply

Back to top button