Histori

“BETEJA” / Ajatollahu që hyri në luftë me … Pepsin

Në fund të viteve ‘50, Ruhollah Khomeini ishte pjesë e një grupi klerikësh shiitë, që kishin në shënjestër komunitetin fetar të Bahá’í, që ishte pakicë në Iran. Ky grup urrehej, pasi ishte heretik në sytë e tyre, edhe për shkak të lidhjes që kishte me Izraelin.

Gjërat morën një kthesë të çuditshme, kur ata mësuan se kontratën për tregtimin e pijes së famshme amerikane Pepsi në Iran, e kishte firmosur biznesmeni i besimit Bahá’í, Habib Sabet. Në vitin 1957, Khomeini deklaroi se kushdo që konsumonte Pepsi, do të “piqej në flakët e ferrit”. Tregtimi i kësaj pijeje ra menjëherë, duke i mundësuar rivales Coca-Cola që të hynte vrullshëm në vend, por duke u siguruar që të emëronte në krye të degës lokale një person, që nuk i përkiste fesë Bahá’í.

Teksa ndjenjat anti-perëndimore u shtuan në vitet ‘60, sulmet ndaj Pepsit u intensifikuan. Në vitin 1963, fabrika e Pepsit u grabit dhe u dogj. Policia sekrete e Shahut, mundet të ketë përkeqësuar antipatinë ndaj kësaj pijeje, për shkak të metodave të tmerrshme të torturimit të burrave, përmes futjes në anusin e tyre të shisheve të Pepsit.

Pas revolucionit, Khomeini do ta anulonte përfundimisht atë lloj fetva-je, ashtu si dhe fetva të ngjashme kundër kompanive si Shveps, kur kontrolli i fabrikave u zhvendos tek operatorët, që cilësoheshin më të pranueshëm nga kleri fondamentalist shiit.

Pepsi mori hak në vitin 2012, kur në uebsajtet iraniane në internet, filluan të qarkullojnë thashetheme, se kompania po planifikonte të përdorte një lazer të fuqishëm për të projektuar imazhin e logos së saj në sipërfaqen e Hënës, duke rikujtuar me ironi një besim popullor në Iran në vitin 1979, se fytyra e Khomeinit do të shfaqej në sipërfaqen e Hënës, pasi u kthye nga mërgimi.

Mijëra iranianë hipën mbi çatitë e shtëpive të tyre, duke ia ngulur sytë Hënës. Kur asgjë nuk ndodhi, disa prej tyre blenë nga inati Coca-Cola. Ndër imazhet ironike që qarkullonin në internet, në prag të ngjarjes, ishin ato që e shfaqnin Ajatollah Khomeinin të mbivendosur në hënë, duke pirë një gllënjkë freskuese të Pepsit. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button