BotaMAIN

Bisedimet nuk po shkojnë askund. Trump sanksionon Putinin

Edhe pse ndikimi ekonomik në Rusi pritet të jetë i kufizuar, vendimi përbën një kthesë të madhe në politikën e jashtme të Trump, i cili më parë kishte thënë se nuk do të vendoste sanksione derisa vendet evropiane të ndalonin blerjen e naftës ruse. Kremlini reagoi duke thënë se “Rusia është imune ndaj sanksioneve”

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, në përpjekje për t’i ushtruar presion Moskës që të negociojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se takimi i planifikuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Budapest do të shtyhej pa afat. “Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk çojnë askund,” tha Trump.

Edhe pse ndikimi ekonomik në Rusi pritet të jetë i kufizuar, vendimi përbën një kthesë të madhe në politikën e jashtme të Trump, i cili më parë kishte thënë se nuk do të vendoste sanksione derisa vendet evropiane të ndalonin blerjen e naftës ruse. Kremlini reagoi duke thënë se “Rusia është imune ndaj sanksioneve”.

Trump kishte kërcënuar disa herë me masa më të ashpra ndaj Moskës, por i kishte shmangur deri më tani, me shpresën për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje pas tre vjet e gjysmë lufte.

Administrata e tij është përpjekur ta paraqesë SHBA-në si një ndërmjetës disi neutral mes dy vendeve në luftë, pas viteve të mbështetjes së hapur ndaj Ukrainës nga paraardhësi i tij, Joe Biden.

Por presidenti amerikan është treguar gjithnjë e më i zhgënjyer nga Kremlini për mungesën e vullnetit për të ecur përpara me negociatat.

Sanksionet janë gjithashtu diçka që udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kishte kërkuar prej muajsh. Ai i quajti ato “një sinjal të mirë” nga SHBA, duke shtuar se një armëpushim do të ishte i mundur nëse vende të tjera do t’i shtonin presionin Rusisë.

Të mërkurën, Trump kritikoi Putinin për mungesë serioziteti në arritjen e paqes dhe shprehu shpresën se sanksionet do të mund të çojnë në një përparim. “Thjesht ndjeva se kishte ardhur koha. Kemi pritur gjatë,” tha ai.

Ai e përshkroi paketën e sanksioneve si “të jashtëzakonshme”, duke shtuar se do të donte që ato të hiqeshin sa më shpejt nëse Rusia ndalon luftën.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se masat ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte pa kuptim”.

Sipas tij, kompanitë e prekura – Rosneft dhe Lukoil – financojnë “makinerinë e luftës së Kremlinit”.

Trump dhe Putin u takuan në Alaska në gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – një takim i dytë tani është anuluar.

Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë. Dy kompanitë e sanksionuara eksportojnë rreth 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Vetëm Rosneft prodhon gati gjysmën e naftës ruse, që përbën rreth 6% të prodhimit global, sipas vlerësimeve të qeverisë britanike.

Konsumentët më të mëdhenj të Moskës janë Kina, India dhe Turqia. Trump u ka bërë thirrje edhe këtyre vendeve që të ndalojnë blerjen e naftës ruse, si pjesë e përpjekjeve për t’i shkaktuar presion ekonomik Kremlinit.

Në muajt e fundit, Ukraina ka goditur rafineritë dhe infrastrukturën energjetike ruse për të dëmtuar ekonominë e vendit.

Zelensky vizitoi Shtëpinë e Bardhë të premten, duke kërkuar që Ukraina të pajiset me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, të afta për të goditur thellë në territorin rus, por u largua pa rezultat.

Një ditë më parë, Trump kishte njoftuar propozimin për t’u takuar me Putinin në Hungari, pas një telefonate të paparalajmëruar nga lideri rus. Por pas një bisede mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, ideja u pezullua, dhe Trump tha se nuk dëshironte “një takim të kotë”.

Më pas, ai sqaroi se kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për raketat Tomahawk, duke thënë se ato ishin “tepër të ndërlikuara” dhe kërkonin një vit stërvitje intensive për t’u përdorur. Zelensky la të kuptohej se, si në rastin e sanksioneve, Trump mund të ndryshojë mendim në të ardhmen. Luftimet në terren vazhduan gjatë natës, me bombardime mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku u vranë të paktën dy persona, sipas autoriteteve.

Më herët të mërkurën, Rusia kishte lëshuar një valë të re sulmesh që lanë të paktën shtatë të vrarë, mes tyre edhe fëmijë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhej në Shtëpinë e Bardhë kur u njoftuan sanksionet dhe i përshëndeti ato si një hap për “t’i shtuar presionin” Putinit.

Ai pritej të diskutonte një plan me 12 pika, përgatitur nga aleatët evropianë dhe Kievi, që parashikon ngrirjen e vijave aktuale të frontit, kthimin e fëmijëve të deportuar, si dhe shkëmbimin e të burgosurve. Plani përfshin gjithashtu një fond rindërtimi për Ukrainën, garanci sigurie dhe një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Trump ka lënë të kuptohet se pengesa kryesore në bisedime është refuzimi i Moskës për të ndalur luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit – një ide që Zelensky e mbështet. Rusia, megjithatë, e ka hedhur poshtë këtë propozim. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe kërkon që trupat ukrainase të largohen nga zonat e Donbasit lindor që janë ende nën kontrollin e Kievit. / BBC – Bota.al

Back to top button