Analiza

BLAIRI DHE SHOKET / Jeta e dytë (si lobistë) e udhëheqësve politikë

MAURIZIO RICCI

blairi dhe shoketSiç ndodh shpesh në barcaleta, është gjithmonë gjermani që bën figurën e të trashit dhe naivit. Dhe kështu, për të nderuar pagën e tij prej 250 mijë eurosh në vit si president i Nord Stream, gazsjellësi ruso-gjerman i Gazpromit, ja tek shfaqet Gerhard Schroeder, ish kancelar i Gjermanisë, që përqafon ngrohtësisht Putinin në Shën Petërsburg, përpara telekamerave, dhe pikërisht në ditët kur një pjesë e mirë e botës e shihte udhëheqësin rus si një rrezik ndaj paqes botërore. Më të shkathët, ashtu si në barcaleta, edhe pse të paparagjykuar, anglezi, spanjollët dhe italianët, që deri tani kanë ruajtur imazhin e tyre publik pavarësisht takimeve të përsëritur dhe përqafimeve të sigurtë me personazhe të diskutueshëm si Gheddafi, iraniani Ahmadinejad apo kazaku Nazarbayev, lojtarë të fortë të një biznesi të jashtëzakonshëm në të katër anët e globit. Në fakt, Schroederi nuk është i vetmi ish i politikës që ka nisur një jetë të dytë duke i ofruar zyrat e tij biznesit ndërkombëtar. Madje, me sa duket ai fiton më pak, krahasuar me të tjerë si Tony Blair, Felipe Gonzales dhe Joze Aznar, me të ardhurat e tyre milionëshe.

Vetëm Xhorxh Bushi po e shijon qetësisht pensionin, duke pikturuar. Ish-ët e tjerë – nga Clinton tek John Major dhe deri tek Al Gore – minimumi mbajnë leksione dhe konferenca paguhen mirë. Zakonisht – në rrethin e ishëve të politikës – jepen nga 40 deri 80 mijë euro në një orë. Kësaj, shumë prej tyre i shtojnë edhe një vend në këshilla dhe administrata të kompanive të mëdha dhe institucioneve shumëkombësh.

Dhe pikërisht këtu terreni nis të bëhet i rrëshkitshëm. Sepse është një gjë të jesh në një këshill administrativ, pak a shumë si një testimonial, dhe është gjë krejt tjetër të veprosh aktivisht si konsulent, duke ofruar aftësi dhe dije për të hapur investime apo ndërmjetësuar biznese. Në këtë terren ndodhet ish kryeministri i Italisë dhe ish presidenti i Komisionit Europian, Romano Prodi. Prodi e ka bërë gjithmonë konsulentin ekonomik ndërkombëtar, që përpara se të merrej me politikë madje, dhe i ka edhe kredencialet akademike dhe profesionale për ta bërë. Prandaj nuk është aspak e çuditshme që t’i rikthehet. Mëkat që kjo gjë e çon në shoqëri të papëlqyeshme. Si kolegji i konsulentëve, të thirrur për t’i sugjeruar reforma liderit kazak Nazarbayev, që shumëkush e konsideron një diktator të pamëshirshëm. Nuk është e qartë se cilat reforma janë sugjeruar, por forumi është i spikatur, duke parë që në krah të Prodit janë yje të tillë të politikës si Schroeder, dhe mbi të gjitha Blair.

Ish lideri laburist mishëron më mirë se çdo figurë tjetër figurën e “të riut të rikthyer”, që po riciklohet si një biznesmen i suksesshëm. Në Londër e kritikojnë se përzien shumë veprimtarinë e bamirësisë, detyrat politike ndërkombëtare (si i dërguar special në Lindjen e Mesme) dhe tratativat e biznesit. Eshtë i organizuar me saktësi. Ka një shoqëri ombrellë “Tony Blair Associates”, për operacionet e deklaruar si tregtarë, që sipas faqes së internetit janë konsulenca për qeveri, shumëkombëshe, investitorë institucionalë. Në këtë kuadër, për shembull, Blairi ka formosur kohët e fundit një kontratë me qeverinë e Mongolisë. Por është po kaq aktiv edhe në Gjirin Persik. Për llogari të tij, për qeveri apo kompani, për një bankë të madhe si JP Morgan tek e cila është konsulent?

E vështirë ta mësosh, sepse llogaritë e Tony Blair Associates nuk janë shumë transparente. Sipas vlerësimeve, Blair duhet të arkëtojë afro 30 milionë euro në vit: një e ardhur më shumë se e respektueshme për një kompani që, në shërbim të ish liderit ka vënë në dispozicion një staf prej 150 punonjësish.

Rrugën Blairit ia kishte treguar një tjetër lider i madh socialist, Felipe Gonzales, edhe ai i larguar nga politika pak kohë pasi kishte mbushur 50 vjeç. Gonzales krijoi vite më parë një kompani konsulence, Ialcan bashkë me tre bijtë e tij. Dhe këtu kanalizon veprimtarinë e tij si ndërmjetës. Cfarë ndërmjetësi? Praktikisht, Felipe është njeriu në Europë i Carlos Slimit, manjati meksikan, personi i dytë më i pasur në botë pas Bill Gates (sipas të dhënave është një rol që i sjell afro gjysmë milioni dollarë të ardhura në vit).

Në të njëjtën kohë Gonzales (që nuk e ka mësuar asnjëherë anglishten) kuron interesat në Amerikën Latine të grupit informatik dhe të botimeve Prisa, që boton mes të tjerave të përditshmen El Pais. Ialcan sot arkëton gjysmë milioni Euro në vit, dhe e ka nisur me një kapital social prej 3100 eurosh. Pasuria e akumuluar sot është 2.6 milionë Euro.

Ai që është detyruar ta mësojë me shpejtësi anglishten është Jose Aznar, lderi i qendrës së djathtë që zëvendësoi Gonzalesin si kryeministër dhe që doli edhe ai nga skena sapo mbushi 50 vjeç. Në fakt, përveç një kontrate konsulence me Endesan, kompaninë elektrike spanjolle, pjesa më e madhe e aktivitetit të Aznarit lidhet me kompani amerikane. Partneri i Bushit, Blairit dhe Berlusconit në aventurën irakene është këshilltar i NewsCorp të Murdochut, dy gjigandë si Kpmg dhe Dla Piper, i kolosëve energjetikë si Doheny, i prodhuesit më të madh të floririt në botë, kanadezit Barrick Gold, për të cilin Aznar sapo ka përmbyllur një marrëveshje për një minierë në Santo Domingo.

Një biznes i jashtëzakonshëm që tashmë e ka ndarë nga politika: në 2013 Aznari ishte në udhëtim, larg Spanjës, për 190 ditë nga 365 duke shëtitur në 22 vende të ndryshëm. Ekspertët thonë që secili prej këtyre roleve i sjell Aznarit 200 mijë euro në vit. Totali mendohet të jetë 1 milion Euro në vit, por kompania e konsulencës ku është administrator i vetëm, Famaztella, në vitin 2013 ka arkëtuar vetëm 242 mijë Euro. Pasuria e akumuluar e kompanisë, që ka nisur me një kapital social prej 3 mijë Euro, është afro 2 milionë sot.

Leave a Reply

Back to top button