Analiza

Blue Jeans dhe Irlanda e veriut. Çfarë zbulon portreti i Tony Blairit?

tony blairSi lider i madh që ka qenë, Tony Blairi di t’i përdorë mirë artet manipulues të komunikimit gojor, të shkruar dhe pamor. Për mirë apo për keq, u takon historianëve që të kuptojnë dhe vlerësojnë. Gjykimi është i vështirë dhe mbetet i pezullt. Por, ka një të dhënë e cila nuk mund të diskutohet: ish-kryeministri britanik ka një aftësi të veçantë përpara autorëve të portreteve. Di të përdorë fytyrën dhe imazhin e tij, për t’u rrëfyer dhe për të “ndryshuar lëkurë”. Në fotografi, përballë telekamerave apo kur pozon për një pikturë është ai që drejton objektivin dhe penelin. Si një narcizist i përsosur, i vëmendshëm ndaj detajeve, veshjeve, grimasave, shikimeve. Më shumë se sa biografitë dhe autobiografitë, që gjithësesi mbeten shumë interesante, parabola e jetës së tij mund të përshkruhet fare mirë prej pesë pikturave që ai vetë, një mik i mirë i mesazhit, ka lejuar të realizohen. Duke ndier nevojën për t’u transformuar.

Tek piktura e fundit (komisionuar prej National Portrait Gallery në Londër dhe e paraqitur në Mall Gallery), me autor Alastair Adamas, president i Shoqërisë Mbretërore të Autorëve të Portreteve, shfaqet një Tony Blair dandy, arkitekti i Britanisë “Cool” të viteve nëntëdhjetë, reformatori që bëri të gjithëpushtetshme financën, 61-vjeçari i sotëm që ka bërë të “lërë mendtë” ish bashkëshortja e Rupert Murdochut. I përjetësuar në vendin e punës në shtëpinë e tij të bukur në Buckinghamshire, veshur me blue jeans dhe duart në xhepa, një bluzë “polo” të hapur tek gryka, dhe me xhaketë sportive. Dhe në sfond, një afresk: flamuri i “Union Jack” dhe slogani “No surrender” (“Mos u dorëzo”), që ka qenë një homazh për fundin e telasheve irlandezo-veriorë (një prej kryeveprave të Blairit kryeministër), por që tingëllon si paralajmërim për ata që mendojnë se është larguar. Mos u dorëzo. Eshtë gjithmonë i njëjti, i helmët, vanitoz dhe i pushtetshëm.

Esht fenomenologjia e njeriut dhe politikanit Blair, që as nuk do t’ia dijë për sikletin e milionave të fituara për konsulencën e ofruar bankës “JP Morgan” apo despotëve kazakë, dhe arkivon zbulimet e fundit mbi disponueshmërinë për të bashkëpunuar me Rebekah Brooksin (ish kryeredaktorja e “News of the World”, “truri” i spiunazhit gazetaresk) për ta nxjerrë nga telashet. Një manipulues klasi, një mendje super e rafinuar. Lider. E të mendosh që deri në vitin 2007 kishte refuzuar të pozonte, e konsideronte një xhingël të kotë. Më pas ndërroi mendje, në momentin kur po përmbyllte një dekadë në Downing Street. Atëherë, i nxitur nga e shoqja, iu “dorëzua” dy autorëve të portreteve. Një testament politik: asnjë fjalë, vetëm tipare, ngjyra, shprehje. Tek i pari, me autor Jonathan Yeo: një Blair me kravatë, i trishtuar, me një lulëkuqe në këmishë. Eshte lulëkuqja e “Ditës së Përkujtimit”, për nder të të rënëve në luftëra. Në portretin e dytë, me autor Phil Hale, që ndodhet në Galerinë e Parlamentit: një Blair i menduar, i lodhur prej luftërave të brendshme të laburistëve, gati për tërheqjen taktike. Por jo për të dalë në pension. Përkundrazi, i gatshëm për t’u rikthyer, duke ia besuar kujtimet e tij librave dhe intervistave. Dhe tre pikturave të “ringjalljes”. Njëra, që ia dedikoi miku i tij George Bush: Blairi i ashpërsuar prej luftës së Irakut. Dhe më pas: Blairi zyrtar për National Portrait Gallery, sërish pa kravatë, agresiv në stilin Uncle Sam, që të ngul sytë dhe të ulëret. Dhe në fund, Blairi dandy me sloganin “Mos u dorëzo”. Manipuluesi i mrekullueshëm është gati të rezistojë. Me blue jeans. Një komunikues akrobatik i vetvetes. Shtegshënues për të birin, Euan, i cili do të garojë i sigurtë në zgjedhjet politike në një kolegj laburist.

Leave a Reply

Back to top button