Ekonomi

Borxhi grek dhe dështimi i një lidershipi

Nga Martin Wolf

Çfarë s’mund të paguhet nuk do të paguhet. Ideja që grekët do të grumbullojnë teprica të mëdha fiskale përgjatë një brezi, për të shlyer borxhet ndaj qeverive kreditorëve, para që në fakt u përdorën për të shpëtuar huadhënësit privatë nga marrëzia e tyre, është një mashtrim. Pra, çfarë duhet të bëhet? Zgjedhja qëndron mes së drejtës, së leverdishmes dhe të rrezikshmes

tsipmamama-820x418

Ndonjëherë, gjëja më e drejtë për t’u bërë është një veprim i zgjuar. Dhe ky është rasti aktual për Greqinë. I kryer mirë, nga reduktimi i borxhit do të përfitonte Greqia dhe pjesa tjetër e eurozonës. Kjo mund të krijojë vështirësi, por këto do të jenë më të vogla sesa ato që janë krijuar deri më tani nga “hedhja” e Greqisë në “gojën e ujqërve”.
Mjerisht, arritja e një marrëveshjeje të tillë mund të jetë e pamundur. Kjo është arsyeja, se përse besimi se kriza në eurozonë ka përfunduar është i gabuar. Askush nuk mund të ndihet i befasuar, nga fitorja i partisë së majtë Syriza në Greqi.
Në mes të së ashtuquajturës “rimëkëmbje”, papunësia ka arritur në 26 përqind të forcës së aftë për punë, ndërsa papunësia mes të rinjve është mbi 50 përqind. Prodhimi i Brendshëm Bruto, është gjithashtu 26 përqind poshtë periudhës, para se të niste kriza.
Por në këtë rast, PBB është veçanërisht një masë e papërshtatshme e rënies së mirëqenies ekonomike. Bilanci i llogarive korente, ishte minus 15 përqind e PBB-së në tremujorin e tretë të vitit 2008 por ka qenë në sufiçit që nga gjysma e dytë e vitit 2013.
Pra, shpenzimet e grekëve për mallra dhe shërbime, në fakt kanë rënë me të paktën 40 përqind. Duke pasur parasysh këtë katastrofë, është e vështirë të habitesh se përse votuesit refuzuan qeveritë e mëparshme dhe politikat e tyre, që ndoqën me gjysmë zemre urdhërat e kreditorëve.
Sikurse është shprehur kryeministri i ri Aleksis Cipras, Evropa është e themeluar mbi parimin e demokracisë dhe populli grek ka folur. Më e pakta, që duhet të bëjnë fuqitë evropiane, është të dëgjojnë zërin e grekëve. Megjithatë, të gjitha zërat thonë se kërkesat për një marrëveshje të re mbi borxhin do të refuzohen. Të ushqesh një përgjigje të tillë është një absurditet i madh.
Në veçanti, dy propozime moraliste i japin një përgjigje të arsyeshme kërkesave greke. Propozimi i parë, është se grekët kanë marrë hua paratë dhe kësisoj janë të detyruar t’i kthejnë ato mbrapsht, pavarësisht sesa mund të kushtojë kjo. Ky është kryesisht qëndrimi që mbahet ndaj debitorëve, që zakonisht kur nuk kanë çfarë të paguajnë, duhet të përfundojnë në burg.
Megjithatë, e vërteta është se kreditorët në rastin konkret kanë edhe përgjegjësinë morale që ta japin huanë me mençuri. Nëse ata nuk do të bëjnë kujdesin e duhur ndaj huamarrësve të tyre, ata e meritojnë atë që do të ndodhë. Në rastin e Greqisë, shkalla e lartë e borxheve të jashtme në veçanti, ishte mëse e dukshme. Gjithashtu, ky rezultat tregonte mënyrën sesi ishte drejtuar shteti grek për vite më rradhë.
Propozim i dytë, është se që prej krizës ndërkombëtare, pjesa tjetër e eurozonës ka qenë jashtëzakonisht bujare me Greqinë. Edhe ky pohim gjithashtu është i rremë. Vërtetë, kreditë e ardhura nga eurozona, së bashku me shumën e vënë në dispozicon nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kapin një total prej 226.7 miliardë euro (rreth 125 përqind e PBB-së), e cila është rreth 2/3 e borxhit të përgjithshëm publik grek, që zë rreth 175 përqind të GDP.
Por kjo ndihmë në pjesën dërrmuese shkoi jo për të përfituar grekët, por për të shmangur fshirjen e kredive të këqija, ndaj qeverisë dhe bankave greke. Vetëm 11 përqind e kredive financiare, financuan drejtpërdrejt aktivitetet e qeverisë. Afro 16 përqind e ndihmës, u përdor për të paguar këstet e këtyre kredive. Ndërkohë, pjesa tjetër u përdor për operacionet kapitale të llojeve të ndryshme: pra paratë erdhën dhe pastaj ikën jashtë përsëri.
Një politikë më e ndershme, do të kishte qenë shpëtimi i drejtpërdrejtë i huadhënësve të huaj. Por edhe kjo do të ishte gjithësesi shumë e turpshme.
Sikurse vënë në dukje vetë grekët, lehtësimi i borxheve është diçka normale. Gjermania vetë ka përfituar shumë nga fshirja e herëpashshme e borxheve të saj të jashtme, përgjatë shekullit të kaluar.
Çfarë s’mund të paguhet nuk do të paguhet. Ideja që grekët do të grumbullojnë teprica të mëdha fiskale përgjatë një brezi, për të shlyer borxhet ndaj qeverive kreditorëve, para që në fakt u përdorën për të shpëtuar huadhënësit privatë nga marrëzia e tyre, është një mashtrim. Pra, çfarë duhet të bëhet? Zgjedhja qëndron mes së drejtës, së leverdishmes dhe të rrezikshmes.
Sikurse argumenton ish-kreu i departamentit evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Reza Moghadam “Evropa duhet të ofrojë lehtësim të konsiderueshëm të borxhit, përgjysmim të  borxhit të Greqisë dhe në këmbim të reformës, të kërkohet normalizimi i bilancit fiskal”.
Kjo masë – shton ai – do të garantojë qëndrueshmëri kur borxhet ndodhen në nivelin e 110 për qind të PBB-së, kufi për të cilin ministrat e eurozonës ranë dakord në vitin 2012. Por këto reduktime, nuk duhet të bëhen të pakushtëzuara. Qasja më e mirë filloi në vitin 1996 me inisiativën e FMN-së dhe BB-së për “vendet me borxhe të rënda dhe që ishin të vafra”. Sipas asaj nisme, lehtësimi i borxheve miratohej vetëm pasi vendi plotësonte kriteret e qarta për reformën.
Një program i tillë, do të ishte në dobi të Greqisë, që kërkon një modernizim politik dhe ekonomik. Por një qasje politikisht e përshtatshme do të ishte të vazhdohet me devizën e “zgjatjes dhe të pretendimit”. Pa dyshim, ka mënyra të ndryshme për të shtyrë për me tej kohën e dhënies llogari. Ka madje edhe mënyra, për uljen e vlerës aktuale të interesit dhe pagesave, pa ulur vlerën nominale. E gjithë kjo, do të lejonte eurozonën të shmangë përballjen me çështjen morale të lehtësimit të borxheve, edhe për vendet e tjera të goditura nga kriza, sidomos Irlanda.
Megjithatë, një qasje e tillë nuk mund të japë rezultatin e ndershëm dhe transparent, që nga ana e tij është shumë i nevojshëm. Qasja e rrezikshme, do të ishte të shtyje Greqinë drejt falimentit. Pasi ky skenar, ka të ngjarë të krijojë një situatë, në të cilën Banka Qendrore Evropiane nuk do të ishte më në gjendje që të vepronte si Banka qendrore e Greqisë. Kjo pastaj, do të detyronte një dalje të Greqisë nga euro. Në terma afatshkurtër, rezultati për Greqinë me siguri do të ishte katastrofik.
Hamendja ime, është se ajo do të pengonte çdo lëvizje drejt modernitetit për një brez. Por dëmi nuk do të ishte vetëm për Greqinë. Ajo do të tregonte gjithashtu, se bashkimi monetar në eurozonë nuk është i pakthyeshëm, por thjesht një pengesë e vështirë e kursit të këmbimit. Kjo do të ishte më e keqja për të dyja botët: ngurtësi, pa kredibilitetin e një bashkimi monetar.
Në çdo krizë të ardhshme, pyetja do të ishte nëse do të ishte ky “momenti i daljes”.
Destabiliteti kronik do të ishte pasojë e gjithë kësaj. Krijimi i eurozonës, është ideja dytë më e keqe monetare, që anëtarët e saj kanë përjetuar ndonjëherë. Por prishja e këtij bashkimi do të ishte diçka edhe më e keqe. Megjithatë, kjo është ajo që po e shtyn Greqinë drejt daljes nga zona euro. Rruga më e drejtë, është që të njohim rastin për lehtësimin e borxheve, e kushtëzuar kjo nga realizimi i disa reformave të verifikueshme. Politikanët do ta kundërshtojnë këtë ide. Shtetarët do të kapen me të. Shumë shpejt, ne do të mësojmë se nga çfarë brumi janë bërë të dyja palët. /Financial Times/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button