Analiza

Bosnja në vendnumëro

Nga Vuk Bacanovic

“Buka”, Bosnja Hercegovinë

Një vit më parë, myslimanë, kroatë dhe serbë zbritën së bashku në shesh, për të protestuar kundër korrupsionit dhe papunësisë. Dukej se gjithçka do të ndryshonte. Në fakt nuk ndodhi asgjë. Dhe tani, vendi është sërish në prag të kaosit

Screen Shot 2015-03-18 at 13.19.12

Në shkurt të vitit të shkuar, Bosnje Hercegovina u përfshi nga një valë të madhe protestash, të nisura në qytetin e Tuzlës, dhe të nxitura nga varfëria dhe papunësia. U sulmuan zyrat e qeverive kantonale në federatën myslimano-kroate, dhe shumë shpejt revolta u shtri në mbarë vendin. Ndjesia e përgjithshme ishte se asgjë nuk do të ishte si më parë.

Megjithatë, me kalimin e muajve, plenumet, domethënë forumet spontane, të organizuara nga qytetarët për të parashtruar kërkesat e tyre, pushuan gradualisht së funksionuari. Përjashtimi i vetëm ishin takimet e kërkuara nga disa aktivistë, me qëllim mbledhjen e fondeve, përmes organizimit të konferencave mbi “ditët e lavdishme të revoltës”.

Më vonë, rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën në 12 tetor të vitit 2014 dëshmuan se orientimi politik i shumicës së qytetarëve të Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe të Bosnjës, nuk ka ndryshuar shumë. Risia e vetme ishte kolapsi që pësoi Partia Social Demokratike dhe suksesi i papritur i Frontit Demokratik.

Ndër kërkesat e prezantuara nëpër plenume ishte krijimi i një qeverie teknike për kantonin e Tuzlës, por që doli të jetë një dështim i plotë. Qeveria e re lokale ka përshtatur të njëjtat taktika si paraardhësit, dhe në veçanti është sjellë me grusht të hekurt, ndaj punëtorëve të industrive të falimentuara, mobilizimi i të cilëve kishte qenë në themel të protestave. Me pak fjalë, çdo gjë u kthye siç kishte qenë para demonstratave, dhe në të vërtetë asgjë nuk ndryshoi.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, niveli i mirëqenies ekonomike, dhe në veçanti i fuqisë blerëse është sa një e treta e mesatares evropiane. Vendi ndan me Shqipërinë titullin e shtetit më të varfër, në mesin e atyre vendeve për të cilat ka të dhëna Eurostati, Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian. Vetëm gjysma e qytetarëve të moshës mes 15 dhe 64 vjeç është aktive në tregun e punës, dhe një e treta e tyre, është në kërkim të një pune.

Sipas një dokumenti, të publikuar nga drejtoria për planifikim ekonomik në qeverinë federale, në vitin 2013 vetëm 38.5 përqind e popullsisë aktive për punës, kishte një punë, çka përbën rreth gjysmën e mesatares së vendeve të BE. “Me një rritje mesatare vjetore prej 3 përqind, dhe pa një rritje demografike, do të duhen 42 vjet, para se vendi të arrijë standardet e jetesës së vendeve të Bashkimit. Megjithatë, me një rritje prej 5 përqind, kjo periudhë do të reduktohet në 24 vjet” – thuhet në raport.

Qeveritë e reja të Bosnjës, si ajo kombëtare ashtu edhe ato vendore, nuk kanë asnjë strategji konkrete për zhvillimin e vendit, por vetëm atë për respektimin e paktit, për rritje dhe punësim të përcaktuar nga Brukseli, një plan që gjithësesi vitet e fundit, nuk dha asnjë rezultat pozitiv, madje edhe tek vetë shtetet e Bashkimit Evropian.

Bosnja gjendet aktualisht mes kudhrës dhe çekanit, dhe jeton nën një konflikt të ngjashëm me atë që ka kundërvënë veriun me jugun e BE-se. Kjo përplasje bën që qeveria nga njëra anë të shmangë dogmën e kursimit, dhe nga ana tjetër të ketë një rendiment të lartë të obligacioneve qeveritare, që e bën të vështirë financimin, duke iu drejtuar kësisoj përdorimit të kredive ndërkombëtare.

Manipulimet nacionaliste

Partitë populiste të qendrës së djathtë, që përbëjnë edhe shumicat e reja, në të dy qeveritë në nivelin federal, besojnë se rritja ekonomike do të mund të stimulohet falë uljes së taksave mbi punësimin. Por jo të gjithë janë dakord me këtë. Nëse do të ndiqej kjo rrugë, do të ishte e vështirë të kompensohej rënia e të ardhurave nga taksat dhe menaxhuar defiçiti, që do të kishte prirjen e pashmangshme për t’u rritur.

Bosnje Hercegovina nuk zotëron struktura të afta për të zbatuar reformat që i nevojiten. Marrja e më shumë kredive nga jashtë, me shpenzimet shumë të mëdha për buxhetin e shtetit, sot duket mundësia e vetme për të ruajtur paqen sociale. Por raporti i drejtorisë së planifikimit ekonomik, shpjegon qartë se një zgjedhje e tillë do të prodhojë brenda një kohë të shkurtër, një situatë të paqëndrueshme: “Në një periudhë afatgjatë defiçiti publik, i cili që tani është shumë i lartë, mund të bëhet i pakontrollueshëm. Në të kaluarën, ai financohej me kreditë që vinin nga jashtë, por këto burime janë shterur për shkak të krizës financiare globale. Nëse eksportet nuk rriten në një masë të mjaftueshme, defiçiti do të bëhet edhe më i qëndrueshëm, dhe kjo do të dobësojë rritjen, ngadalësojë edhe përmirësimin e standardeve të jetesës së boshnjakëve”.

Një situatë e tillë të bën të mendosh se këtë vit do të përsëriten episode të ngjashme me ato të shkurtit 2014. Qeveria s’do ketë zgjidhje tjetër: para rënies së të ardhurave, do jetë e detyruar të shkurtojë shpenzimet publike. Në këtë mënyrë, edhe shtylla kryesore mbi të cilën mbahet aktualisht paqja sociale – që është administrata publike – mundet shumë shpejt të përballet me reduktimin e personelit, çka do të rrisë edhe rrezikun e rritjes së varfërisë. Në fund demonstratat, në të cilat tani për tani marrin pjesë kryesisht punëtorët ose pronarët e bizneseve të vogla, mund të zgjerohen dhe të bëhet me të vërtetë mbresëlënëse.

Një sistem i kalbur

Intelektualët e krahut të djathtë besojnë se Bosnje Hercegovina mund të shpëtohet vetëm përmes reformave radikale, të tilla si transferimi i kompetencave nga drejtuesit e partisë dhe burokracia tek operatorët privatë, përmes liberalizimit të ekonomisë, që nga ana e vet mund të ringjallë rritjen ekonomike. Por edhe ky plan do të marrë kohë për t’u vënë në zbatim. Dhe sot Bosnja nuk ka luksin të presë. Kriza globale që po godet Eurozonën, mendohet se do të regjistrojë një kulm të ri negativ në periudhën 2016-2017. Bosnja, që tashmë gjendet e gjunjëzuar, nuk ka shumë kohë, për të zbatuar reformat e nevojshme.

Atëherë pyetja më e rëndësishme nuk është nëse demonstratat do të rifillojnë ose jo, por kur do të shpërthejnë sërish cilët do të marrin pjesë dhe sa intensive do të jenë ato. Nëse qeveria do të vendosë të miratojë këto masa radikale, duhet të bëjë llogaritë me një valë të re protestash – duke marrë parasysh dështimin e parashikueshëm të reformave aktuale – të cilat mund të përhapen në të gjithë vendin dhe përshkallëzohen në atë masë sa të kërkojnë ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Në këtë pikë ka një alternativë: ruajtja e statuskuosë. Kjo zgjidhje do t’i lejonte sistemit të qëndronte në këmbë edhe për pak kohë, por që në mënyrë të pashmangshme, do të çonte kategoritë e dobëta sociale drejt rrënimit të plotë. Sistemi është i kalbur, por në çdo rast ia del të mbijetojë në një farë mënyre, për shkak të manipulimeve të propagandës nacionaliste dhe mungesës së një opozite të mirëfilltë, e cila do të ishte në gjendje të kanalizonte zemëratën sociale. Sidoqë të shkojnë gjërat, ngjarjet e shkurtit 2014 do të përsëriten së shpejti. Mbetet të shihet në çfarë forme, dhe nëse autoritetet politike do t’i shfrytëzojnë ato në avantazhin e tyre.

Leave a Reply

Back to top button