
“Përpjekja e fundit që i kërkohet botës është të shmangë fatin e Republikës së Weimarit.” Përvoja e Republikës gjermane zgjati pesëmbëdhjetë vjet, nga viti 1918 deri në vitin 1933, dhe u karakterizua nga një ferment i madh kulturor, i gjallëruar nga shkrimtarë si Thomas Mann dhe Herman Hesse, nga poetë si Rainer Maria Rilke, dhe nga eksperimentet arkitekturore të Bauhaus-it. Por gjithashtu ishte një klimë vazhdimisht e pasigurt, dekadente, e përshkruar ndër të tjera në Berlin Alexanderplatz, romani i Alfred Döblin i botuar në vitin 1929. Dhe, mbi të gjitha, një shoqëri e udhëhequr nga një qeveri gjenetikisht e dobët, e ndërtuar mbi një sistem institucional të ndërlikuar dhe të paqartë. Një skenar anarkie që i hapi rrugën dhunës, si edhe diktaturës dhe Adolf Hitlerit: pak a shumë, i njëjti kuadër që Robert Kaplan e imagjinon për kohët tona.
Kjo është teza kryesore, megjithëse jo e vetmja, e librit të tij të ri “Shekulli i brishtë. Kaosi dhe pushteti në botën në krizë të përhershme”.
“Të jemi të qartë, – thotë Kaplan për ‘la Lettura’ – unë nuk po parashikoj ardhjen e një tjetër Hitleri apo diçka të ngjashme. Ajo që më intereson te Weimari është fakti që themeluesit dhe organizatorët e asa republike ishin aq të shqetësuar se mos shfaqej një tjetër diktator, sa u hodhën në ekstremitetin tjetër. Ata krijuan një sistem ku askush nuk qeveris, askush nuk është në pushtet. Një strukturë që është gjithmonë në krizë, e zhytur në kaos.”
Në librin e tij, Kaplan, 73 vjeç, i lindur në Nju Jork, gazetar dhe shkrimtar me ndikim global, pohon se sot Toka, “e zvogëluar nga teknologjia”, i ngjan shumë Gjermanisë së fillimit të shekullit XX: një “Weimar gjeopolitik”.
Askush nuk është në gjendje të ushtrojë më një hegjemoni globale. Jo më Shtetet e Bashkuara. Ende jo, nëse do të ndodhë ndonjëherë, Kina. Kriza e institucioneve multilaterale dhe e së drejtës ndërkombëtare është tashmë e dukshme për të gjithë. Kaplan sjell një përkufizim të mprehtë dhe të hidhur të politologut Ian Bremmer: nuk ka rëndësi G7, grupi që përfshin shtatë fuqitë më të industrializuara të botës; nuk ka rëndësi G20, që përfshin ekonomitë e reja të mëdha (nga Kina te India). Ne jetojmë në epokën e “G0”: shumë samite, zero vendime.
Në analizën e Kaplan rrjedh një rrymë e fortë pesimizmi. Ai e deklaron hapur që në kapitullin e parë: “Duhet të përballem me një temë të pakëndshme për lexuesin. Supozimi se natyra njerëzore nuk do të përmirësohet. Si mund të jem i sigurt për këtë? Nuk jam, por e marr si të mirëqenë. Për ta shpjeguar, më lejoni të marr në shqyrtim mendimin e mbrojtësit më autoritar dhe më efektiv të tezës se natyra njerëzore po ndryshon për mirë: Steven Pinker, psikolog konjitiv në Harvard.”
Pas kësaj, Kaplan bën një analizë të shkurtër të esesë së Pinkerit “Rënia e dhunës. Pse periudha që po jetojmë është ndoshta më paqësorja në histori”.
Kaplan vëren se është e vështirë të pajtohesh me Pinkerin, duke parë luftën në Ukrainë dhe Gazë. Me kalimin e shekujve dhe viteve, prirja drejt dhunës nuk ka ndryshuar, përkundrazi, ka marrë forma të tjera dhe sot është kanalizuar në internet, në rrjetet sociale. “Njerëzimi është po aq pervers sa ka qenë gjithmonë; thjesht teknologjia është zhvilluar.”
Megjithatë, mbi një pikë thelbësore Kaplan bie dakord me Pinkerin: “Shpesh është vetëm një numër i vogël njerëzish që shkaktojnë trazira të dhunshme në një rajon ose në gjithë globin.”
Kjo është teza e dytë e “Shekullit të brishtë”. Një prej këtyre figurave është sigurisht Vladimir Putini. Kaplan e trajton temën me stilin e tij, duke përshkuar ngjarjet kryesore të historisë ruse, duke cituar shkrimtarë si Aleksandr Solzhenitsyn dhe ciklin e tij monumental të romaneve “Rrota e kuqe”, apo historianë si Barbara Tuchman (“Topat e gushtit”). Por më pas mbështetet kryesisht te “profecia” e Henry Adamsit, nip i presidentit të gjashtë të Shteteve të Bashkuara, John Quincy Adams, dhe stërnip i John Adamsit, presidentit të dytë dhe njërit prej “Etërve themelues” të vendit.
Henry nuk u tërhoq nga politika, por nga studimet dhe udhëtimet. Jetoi midis shekujve XIX dhe XX. Në vitin 1907 botoi një lloj ditari të titulluar Edukimi i Henry Adams.
Ndër idetë e tij më depërtuese, shkruan Kaplan, është kjo: “Nyja kryesore e Evropës ishte dhe do të jetë Rusia.” Një realitet “tepër i madh, tepër bizantin, pothuajse tepër aziatik” për të bashkëjetuar me demokracitë evropiane. Putini është trashëgimtari i fundit i kësaj papajtueshmërie ruse me sistemet politike të Kontinentit të Vjetër.
Në vitet ’90 ekzistoi një iluzion i shkurtër për hapje drejt Perëndimit, me Boris Jelcinin në krye të Kremlinit. Bill Clintoni dërgoi ekipe të tëra këshilltarësh dhe ekonomistësh për të transplantuar kapitalizmin në atë vend të pafund. Rezultati? Dështim i plotë: Putini na ka kthyer “në gjurmët e historisë, të përshkruara nga Henry Adams”.
Megjithatë, sipas Kaplanit, sulmi ndaj Ukrainës mund të ketë një efekt paradoksal: “Rusia do të vazhdojë të përbëjë një sfidë të madhe, por këto vite lufte po e shterojnë. Po shohim se po humbet terren në Afrikë, në Moldavi, në Kaukaz, në Siberi dhe në Lindjen e Largët.”
Kjo na çon te teza e tretë: të gjitha fuqitë e mëdha janë në rënie, sidomos nga pikëpamja gjeopolitike. Shtetet e Bashkuara dolën të dobësuara nga luftërat në Afganistan dhe Irak, “dy ndërmarrje perandorake të përmasave të mëdha”: një disfatë e dyfishtë që i hapi rrugën fitores së Donald Trumpit në vitin 2016.
Gjatë mandatit të tij të parë, Amerika pësoi një rënie të besueshmërisë, të cilën Joe Bideni e rikuperoi vetëm pjesërisht. Dhe tani historia po përsëritet.
Por edhe Kina ndodhet në një terren të rrëshqitshëm. Presidenti Xi Jinping ka braktisur rrugën e përcaktuar nga “qeverisja e jashtëzakonshme e Deng Xiaoping”, nga viti 1978 deri në vitin 1989. Deng, “një nga figurat më të nënvlerësuara të shekullit XX”, e nxori Kinën nga varfëria e trashëguar nga Mao Zedong dhe e transformoi ekonominë e saj, pa e hapur megjithatë ndaj demokracisë. Sigurisht, mbetet njolla historike e masakrës së Sheshit Tiananmen, në qershor 1989, me qindra, në mos mijëra, të rinj të vrarë. Por me Xi Jinping situata është bërë shumë më e rrezikshme. Vlerësimi i Kaplanit është i ashpër: “Xi është një ideolog leninist për të cilin parimi udhëheqës është forca.”
Në përfundim, sot kemi në krye të tre superfuqive ushtarake udhëheqës të paqëndrueshëm ose të rrezikshëm, që veprojnë në një kontekst pothuajse pa rregulla, me opinione publike të helmuara nga rrjetet sociale. Ky është Weimari i ri, qyteti global që po fundoset në anarki dhe po përgatit terrenin më të përshtatshëm për luftëra të reja. / La Lettura – Bota.al





