Analiza

Bota, sipas Vladimir Putinit

Alexander J. Motyl

Profesor i shkencave politike në Rutgers University

bota sipasFjalimi në një takim gala i Vladimir Putinit përpara deputetëve dhe zyrtarëve rusë të martën, nuk befasoi askënd, as kur shpalli aneksimin e Krimesë nga Rusia. Pjesa më interesante ishte pikëpamja e tij e shtrembëruar për historoinë e Rusisë, si dhe pohimi i tij që tash,ë ideologjia zyrtare e Rusisë është një lloj i cuditshëm hipernacionalizmi agresiv.

Megjithatë, kur foli për Ukrainën, Putini u duk se shkoi aq larg sa të linte të kuptohej që nuk kishte patur qëllime agresivë dhe nuk kishte në plan të ndante pjesën tjetër të vendit.

Po të dëgjosh Putinin, e harron kollaj se Rusia është dhe ka qenë për shumë shekuj vendi më i madh i botës, dhe që i ka fituar territoret e vet përmes ekspansionit imperialist që shpesh është shoqëruar me gjenocid dhe spastrime etnikë. Putini preferon ta shohë Rusinë sikur ka qenë gjithmonë në mbrojtje, një viktimë e makinacioneve perëndimorë dhe komunistë: “Me një fjalë, ne kemi të gjithë arsyet të besojmë se politika e famshme e frenimit të Rusisë, që u ndoq në shekujt 18, 19 dhe 20, poa vazhdon edhe sot. Ata po përpiqen vazhdimisht të na vënë pas qoshes, sepse ne kemi një pozicion të pavarur, sepse ne e mbrojmë, dhe sepse ne u vëmë gjërave emrin sic e kanë e nuk jemi hipokritë”, tha ai.

Sipas Putinit, pas Revolucionit të 1917-ës, ishte radha e bolshevikëve që të dëmtonin Rusinë. Putini injoron faktin që pjesa dërrmuese e bolshevikëve ishin rusë dhe partia që themeloi Lenini ishte gjithashtu ruse. Po s’ka rëndësi.

Putini thotë: “Bolshevikët, për një sërë arsyesh – Zoti i gjykoftë – i bashkëngjitën pjesë të mëdha të jugut të Rusisë historike, Republikës së Ukrainës. Kjo u bë pa marrë parasysh përbërjen etnike të popullisë, dhe sot këto zona formojnë Ukrainën juglindore. Më pas, në 1954 u mor një vendim për të transferuar Krimenë tek Ukraina… Ajo që ka rëndësi të thuhet sot, është se ky vendim u mor në shkelje të qartë të normave kushtetuese që ishin në fuqi edhe atëherë madje”.

Edhe një herë, miopia historike e Putinit të lë pa frymë: Vendimi i Nikitra Hrushovit për t’ia dhënë Krimenë Ukrainës ishte po aq kushtetues sa edhe cdo gjë tjetër që udhëheqësi komunist bëri përgjatë të gjithë periudhës së ekzistencës së BRSS. Bashkimi Sovjetik ishte ngritur mbi paligjshmërinë dhe dhunimin sistematik të të drejtave të njeriut dhe atyre civile. Nëse Hrushovi e kishte gabim, kjo ndodhi sepse i gjithë BRSS ishte gabim dhe nuk duhej të ishte krijuar që në krye të herës.

Nuk është habi që, në këtë narrativë të Putinit nuk ka vend për kombin që imperializmi rus arriti ta asgjësojë – tatarët e Krimesë. Rusia pushtoi khanate-n e tatarëve të Krimesë në 1783. Më pas, autoritetet rusë i etyruan tatarët që të largoheshin nga vendlindja e të lashtëve të tyre dhe i zëvendësoi me rusë.

Dhjetëra mijëra tatarë vdiqën ose u vranë. Dy të tretat u desh të largohen nga Krimea. Në vitni 1944, spastrimi etnik u plotësua kur Stalini dëboi të gjithë popullsinë tatare të Krimesë – afro 200 mijë vetë – në drejtim të Uzbekistanit si dhe disa rajone të tjerë sovjetikë. Pothuajse gjysma vdiqën rrugës. Vetëm në fund të viteve 1980 ata filluan të kthehen në atdheun e tyre, për të zbuluar se tokat dhe pronat e tyre ishin pushtuar nga të ardhurit prej Rusisë.

Në vend të kësaj, Putini shpjegon përse Krimea është e rëndësishme për Rusinë. “Edhe varret e ushtarëve rusë, guximi dhe trimëria e të cilëve sollën Krimenë në perandorinë ruse, janë gjithashtu në Krime. Eshtë edhe Sevastopuli, një qytet legjendar me një histori të jashtëzakonshme, një fortesë që shërben si vendlindje e Flotës ruse të Detit të Zi… që simbolizon lavdinë ushtarake të Rusisë dhe vlerat e saj të jashtëzakonshme”.

Po tatarët e Krimesë? Ja si mendon Putini: “E vërtetë, ka qenë një kohë kur tatarët e Krimesë u trajtuan padrejtësisht, ashtu si një numër popujsh të tjerë në BRSS. Por, unë mund të them vetëm një gjë: Miliona njerëz të etnive të ndryshme vuajtën gjatë atij represioni, dhe kryesisht rusët”.

Gënjeshtra të lë pa gojë. Tatarët e Krimesë nuk u trajtuan “padrejtësisht” nga ndonjë forcë e errët. Ata iu nënshtruan gjenocidit të Perandorisë totalitare ruse. Edhe rusët “vuajtën”, por vuajtja më e madhe, sic thotë historiani i Yale, Timothy Snyder në librin “Bloodlands”, ra mbi polakët dhe ukrainasit.

 

 

 

 

 

Pavarësisht gjithë viktimizimit, fjalimi i Putinit pohon me zë të lartë se Rusia është rikthyer: eshtë e zemëruar sa s’ka më, dhe nuk do të pranojë më poshtërime. Kjo Rusi, pra Rusia e re, është edhe viktimë, edhe agresor: “Sot është detyrim t’i japim fund histerisë dhe të refuzojmë retorikën e Luftës së Ftohtë, si dhe të pranojmë një gjë të qartë: Rusia është një pjesëmarrëse e pavarur dhe aktive në jetën ndërkombëtare, dhe ajo, ashtu si vendet e tjerë, ka interesat e vet kombëtarë, që duhen pranuar dhe respektuar”.

Më tej, Putini adopton një ton pajtues kundrejt Ukrainës. Natyrisht, ai denoncon një herë qeverinë e re si të paligjshme, si të futur në kthetrat e fashistëve imagjinarë, dhe thekson detyrimin e Rusisë që të mbrojë rusët dhe rusishtfolësit nga sulmet e supozuar.

Ja dhe Putini i butë: “I bëj thirrje popullit të Ukrainës. Sinqerisht, dua që të na kuptoni: në asnjë rrethanë nuk duam t’ju dëmtojmë, apo fyejmë ndjenjat tuaja kombëtare. Ne e kemi respektuar gjithmonë integritetin territorial të shtetit të Ukrainës… Mos i besoni ata që ju tmerrojnë me Rusinë, që bërtasin se rajone të tjerë do e pasojnë Krimenë… Ne duam që Ukraina të jetë një shtet i fortë, sovran dhe i pavarur… Duam që paqja dhe miqësia të vijnë në tokën e Ukrainës, dhe bashkë me vende të tjerë jemi gati të ofrojmë bashkëpunim të plotë si dhe mbështetje për këtë qëllim. Por e përsëris: Vetëm qytetarët e Ukrainës janë në gjendje të sjellin rendin në shtëpinë e tyre”.

Nëse janë fjalë të sinqerta, atëherë shënojnë një shkëputje të dukshme nga retorika luftëdashëse e konferencës për shtyp të 4 marsit, ku deklaroi se nuk ishte i shqetësuar nga lufta me Ukrainën. Në të vërtetë, nëse është i sinqertë, Putini ka deklaruar qartë se nuk do e pushtojë pjesën tjetër të Ukrainës si dhe të përpiqet të aneksojë disa prej provincave juglindore të saj.

A po tregohet i vërtetë, apo është fjalimi një tymnajë për agresionin e mëtejshëm? Sigurisht, nuk e dimë, por tani që Putini ka folur para botës se ka vetëm qëllime paqësorë ndaj Ukrainës, komuniteti ndërkombëtar do të bëjë mirë t’ia kujtojë, sa herë që tundimi për të futur hundët në vendin fqinj dhe për të shkaktuar telashe në Ukrainë, bëhet shumë i fortë për t’i rezistuar.

Specialist për cështjet e Rusisë dhe ish BS, Motyl është autor i gjashtë librave akademikë dhe disa romaneve, përfshirë “Hebreu që ishte ukrainas”, “Orkideja ime”, “Borë e ëmbël”.

Leave a Reply

Back to top button