Analiza

BRAZIL / Askush nuk është i lumtur në vendin e futbollit

Paulo Lins

El Pais Semanal

askush 2Askush nuk është i lumtur në vendin e futbollit. Nuk ka familje që s’ka frikë për sigurinë e afërmve, nëse dalin apo rrinë në shtëpi, në çdo orë të ditës dhe të natës. Të pasurit jetojnë në brendësi të komplekseve të fortifikuar dhe survejuar, udhëtojnë me makina të blinduara në një gjendje tensioni të përhershëm. Klasa e mesme e di që, në çdo moment, një i afërm apo një mik mund të humbasë jetën gjatë një grabitjeje. Situata është edhe më keq për të varfërit e favelas-ve dhe periferive, që rrezikojnë të vdesin nga dora e një keqbërësi apo një polici në një prej vendeve të botës ku, sipas raporteve të ndryshëm, numri i zezakëve mes moshës 15 dhe 25 vjeç që vriten nga policia është më i larti.

Përballë investimeve për Botërorin, që do të nisë në 12 qershor dhe do të zgjasë një muaj, shumë brazilianë kanë pyetur përse këto burime nuk janë investuar për arsimin publik, transport apo sistemet e kanalizimeve. Pyetja lind nga fakti që, për të reduktuar dhunën, këta investime janë shumë më të nevojshëm, se sa operacionet e policisë.

Në faqen e internetit të revistës Uol, Gilberto Carvalho, sekretar i përgjithshëm i presidencës së republikës, ka shkruajtur: “Kritika që kam dëgjuar më shpesh është që administrata federale ka tërhequr fonde nga shëndetësia dhe arsimi, për të organizuar Botërorin. Eshtë një legjendë pa logjikë dhe pa bazë. Qeveria federale nuk ka bërë shpenzime drejtpërdrejtë të lidhur me Botërorin. Nuk është as e vërtetë, sic deklarojnë më kritikët, që për shkak të këtyre investimeve arsimi dhe shëndetësia janë në një situatë shumë të keqe. Mbi të gjitha, sepse 25.6 miliardë realët (8.3 miliardë Eurot) që janë investuar prej vitit 2010, për stadiumet dhe kantierët publikë të Botërorit as nuk mund të krahasohen me 825.3 miliardët realë (268.6 miliardë Euro) që qeveria federale ka investuar për arsimin dhe shëndetësinë në po të njëjtën periudhë. Stadiumet kanë kushtuar 8 miliardë realë dhe qeveria ka kontribuar me 3.9 miliardë realë, përmes financimeve të Banco Nacional do desenvolvimento economico e social (Bndes). Të gjithë financimet do të duhet të rimbursohen. Kantierët e qyteteve që do të presin ndeshjet e turneut i kanë kushtuar qeverisë 17.6 miliardë realë. Janë kantiere aeroportesh, transporti publik dhe telekomunikacioni, të gjitha vepra që do të mbeten pas Botërorit, në përdorim dhe në avantazh të vendit”.

E dimë mirë që vendet e punës që janë krijuar prej përgatitjeve për turneun janë të përkohshëm. Nëse, sic pohon Carvalho, investimet për aktivitetin janë minimalë dhe paratë do të rikthehen në arkat publike, shpenzimet për sektorët vërtetë të nevojshëm janë edhe më të ulët, duke marrë parasysh dimensionet e problemit. Me apo pa Botërorin, 825.3 miliardë realët e investuar për shëndetësinë dhe arsimin në po të njëjtën periudhë nuk kanë shërbyer për të përmirësuar në mënyrë domethënëse sotuatën. Ka nevojë për shumëfishim të investimeve me burime të thesarit, apo përmes huave, për të prëmirësuar edhe transportin dhe sistemin e kanalizimeve në vend.

Një herë e mirë

Nuk mund të mohohet që ka patur progres social: programi i ndihmave ekonomike Bolsa familia funksionon, sepse shumë familje kanë filluar të dërgojnë fëmijët në shkollë dhe situata e tyre e ushqimit është përmirësuar. Në Brazil, punëtorët me paga më të ulëta, edhe pse kanë një vend pune fiks dhe përpiqen të kursejnë sa më shumë që të munden, vuajnë nga uria ose ushqehen keq, dhe kush është i papunë për shkak të mungesës së formimit apo sepse, për shkak të moshës, nuk është më në gjendje të kryejë punët e rënda, marxhinalizohet dhe konsiderohet një djall i gjorë. Dhe dhuna sa vjen e rritet. Por gjëja më e mirë është që shumë familje që kanë shfrytëzuar këto ndihma të qeverisë, pasi e kanë rimarrë veten, kanë vendosur të heqin dorë prej tyre.

Në sektorin arsimor, programet për përmirësimin e arsimit të lartë, Reuni, Prouni dhe Pronatec janë nisma të mira, por vetëm zbutëse për një problem shumë të rëndë. Duhet pranuar që edhe papunësia ka rënë në mënyrë domethënëse. Ardhja e mjekëve kubanë (që vijnë nga një ishull me një prej shkollave më të mira të mjekësisë në botë dhe që eksporton doktorë në shumë vende) ka qenë një zgjidhje e shpejtë për një problem që zvarritet prej vitesh. Ka qenë një masë e nevojshme për shkak të situatës që ishte krijuar në zonat e largëta prej qendrave urbane dhe prej sjelljes së keqe të një pjese të vogël të personelit shëndetësor brazilian.

Kuotat që u janë lënë në universitete studentëve të shkollës publike janë një tjetër hap përpara. Studentët që kishin frekuentuar shkollat publike nuk mund të shkonin në universitet, sepse në disa shkolla shpesh herë mungonin profesorë dhe materiali didaktik, për të mos folur për problemet e shkaktuar nga grevat, që sigurisht janë të nevojshme, por vonojnë mësimin e studentëve dhe kanë pasoja që nuk i njohim aq mirë. Por kaq e rëndë është situata e shpërndarjes së mësuesve dhe profesorëve, që nuk gjykon drejt rëndësinë që ka puna e tyre. Shumë brazilianë janë kundër kuotave në universitete për studentët me ngjyrë, sepse besojnë që pikësëpari duhet të përmirësohet arsimi publik. Në një farë kuptimi jam dakord, por në pritje të këtij përmirësimi nuk mund të futen në vështirësi të gjithë ata persona që kanë bërë detyrën e tyre duke u formuar me sakrifica në shkolla të një cilësie shumë të keqe (një refleks i vendit) dhe që, pavarësisht gjithckaje, nuk i kanë braktisur studimet, shpesh herë duke punuar ditën dhe studiuar natën.

Një prej episodeve më të trishtë të historisë sonë të vonë i përket vitit 2013, kur policia shtypi manifestimin e profesorëve në Rio de Janeiro. Eshtë e qartë që kuotat kanë një kuptim vetëm nëse, në të njëjtën kohë, ka angazhim për të krijuar një sistem arsimor cilësor. Për këtë arsye kuotat janë të rëndësishme në një moment kur shkolla publike nuk është tamam një model arsimimi, kulture, kërkimi, pasurimi dhe zhvillimi shpirtëror. Shkolla duhet bërë një vend tërheqës dhe për t’u dashur nga të gjithë studentët.

Kuotat janë të justifikuara edhe nga situata historike e zezakëve, që në Brazil kanë nisur të frekuentojnë shkollën vetëm pas viteve tridhjetë të shekullit që kaloi, dhe që punojnë që fëmijë, pa fituar mjaftueshëm për të mundur të vazhdojnë në arsimin privat dhe pa kohën e mjaftueshme për të bërë detyrat në shtëpi. Dhe me një pagë gjithnjë më të vogël se të bardhët.

Problemi i arsimit fillor dhe të mesëm duhet zgjidhur një herë e mirë: nuk mund të varet vetëm nga mësuesit, që janë heronj të vërtetë. Komunat, shtetet dhe qeveria qendrore, pavarësisht nga partitë, duhet të bashkëpunojnë për të mbërritur në një nivel të pëlqyeshëm arsimi dhe shëndteësie, për të crrënjosur një herë e mirë urinë në vend.

Për t’iu kthyer temës së dhunës, që nga mandati i parë i Sergio Cabral, guvernatori i Rio de Janeiros, ka patur një politikë përplasjeje pa limit ku kanë vdekur dhe vazhdojnë të vdesin keqbërës dhe të pafajshëm. Situata ka marrë përmasa kaq alarmante, saqë ka shtyrë artistë të ndryshëm dhe persona të shoqërisë civile, përfshirë mua, që të firmosin një dokument kundër këtij operacioni të qeverisë. Pastaj kanë lindur Unidades de policia pacificadora (Upp) për të crrënjosur keqbërjen e armatosur në Rio de Janeiro.

Nën rrethim

Upp janë mirëpritur nga banorët e Rios. Edhe unë i kam parë me sy të mirë, sepse përplasjet mes grupeve të armatosur në favelas-et dhe armët në qarkullim kanë pësuar rënie. Isha lodhur duke parë të shëtisnin në trotuarë të rinj dhe minorenë me pushkë në krahë, pistoleta e revolverë të cfarëdo lloji. Flitet pak për trafikantët e armëve dhe municioneve. Por narkotrafikantët kanë emigruar drejt favelas-eve të tjera. Paqësimi ka ndodhur vetëm në zonat e kontrolluara nga Upp: favelas-et e “paqësuara” jetojnë në gjendje rrethimi. Paqësimi nuk u pasua prej nismave politike për të cilat kishte aq shumë nevojë.

Eshtë politik krimi i armatosur në Brazil, sepse bashkon të varfër, ata që vuajnë nga uria, ata që pësojnë diskriminime racorë, krahun e paspecializuar të punës, pasardhësit e skllevërve, gjysmëanalfabetët, një pjesë të mirë të popullsisë indigjene që ka qenë viktimë e gjenocidit dhe që është e diskriminuar si popullsia me ngjyrë, në mso më shumë, dhe banorët e veriut të emigruar në qytetet më të pasur të vendit. Janë viktima të një diskriminimi të pafytyrë nga ana e pasardhësve të europianëve dhe imigrantëve të bardhë të klasave më të pasura, që kur Brazili është Brazil, dhe që kanë patur më shumë shanse sociale thjeshtë për faktin që janë të bardhë (ngjyra e kolonizatorëve). Shoqëria braziliane është raciste si ajo europiane apo amerikane. Më ka ardhur në majë të hundës duke dëgjuar që varfëria është zezake apo gjysmëzezake dhe që të bardhët apo pothuajse të bardhët kanë në dorë pasurinë e vendit.

Këtu askush nuk pranon se është racist, askush nuk pranon që bën diskriminim. E vërteta është që shumë politikanë nuk ndihmojnë, ashtu sikurse nuk e bëjnë shumë brazilianë që vetëshpallen të mirë apo solidarë. Jetojmë në një vend plot me mungesa, dhe e them sepse kam vuajtur për faktin që jam zezak, sepse kam jetuar në një favela dhe sepse kam parë të vdesë mamanë time për mungesë të ndihmës mjekësore në vendin e futbollit.

Kemi zakonin që për të gjithë këqiat ua vëmë fajin narkotrafikantëve, por askush nuk bëhet i tillë brenda natës: afrimi me botën e krimit është i ngadaltë, pervers dhe fillon në moshën e shkollës. Nuk e bën kushdo të qëllojë një polic. Eshtë një prirje që krijohet tek ai që ka jetuar gjithmonë në ferr dhe ka vendosur të përballet me djallin.

I njoh mirë narkotrafikantët, sepse kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë, të rinisë dhe pjekurisë në krah të tyre: janë analfabetë apo gjysmëanalfabetë me një familje të pastrukturuar, janë më të varfërit e më të varfërve, konsiderohen të ligj, pa të drejtën për t’u mbrojtur. Ndëshkimi është i nevojshëm, por edhe duhet lehtësuar rikuperimi i atyre që kanë shkelur ligjin duke shmangur transformimin e tyre në dicka më të keqe, sic bën sistemi penal brazilian. Eshtë organizimi ynë shoqëror që krijon krimin.

Ka marrë fund koha kur i vihej faji historisë, kolonizimit, skllavërisë, diktaturës dhe dominimit ekonomik europian dhe amerikan. Kemi lënë gjithcka pas krahëve dhe është koha të ndreqim gabimet. Nuk mund të pranojmë që të vazhdojmë të kemi shkolla të shkatërruara, spitale që nuk kanë as më të nevojshmet, një sistem transporti mbytës, fëmijë që sëmuren sepse mungon sistemi i kanalizimeve. Eshtë koha që këtë vend ta shndërrojmë në një komb.

Paulo Lins është shkrimtar brazilian i lindur në Rio de Janeiro në 1958, autor i librit mbi të cilin bazohet filmi City of God

Leave a Reply

Back to top button